E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: Bylykbashi, ende e presim

Cështja e Dorian Bylykbashit është kthyer në një telenovelë tashmë, pasi mesfushori elbasanas prej më shumë se katër ditësh pritet të mbërrijë te Partizani. Mirëpo, deri dje nuk dukej asnjë shenjë e tij në klubin kryeqytetas, ndërkohë që është e pamundur të kontaktosh me lojtarin, të cilit nuk i dihet adresa momentalisht. Për presidentin e klubit, Albert Xhani rikthimi i fantazistit është i sigurt, ndonëse edhe katër ditë më parë e kishte deklaruar të njëjtën gjë. "Presim që Bylykbashi të vijë te Partizani, pasi kemi arritur me të një akord paraprak", - është shprehur numri një i të kuqve për "Panorama Sport". Bylykbashi duhet të ishte nisur për në Ukrainë, ku duhet të kalonte një provë stërvitore, mirëpo, duket se gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve, ndërkohë që futbollisti ka marrë edhe një ftesë nga kombëtarja shqiptare për miqësoren e datës 16 gusht ndaj San Marinos. Kësisoj, edhe sikur të kishte në plan për t'u nisur gjatë këtyre ditëve është e pamundur, për faktin se duhet të paraqitet nën urdhrat e Oto Baricit. Në këto kushte, elbasanasit duket se ka gjetur një akord me drejtuesit e Partizanit dhe pritet vetëm që ai të firmosë me të kuqtë. Sipas Xhanit, mosparaqitja e Bylykbashit në klub gjatë këtyre ditëve nuk përbën një problem për të ardhmen dhe se mesfushori do të jetë pjesë e Partizanit. "Nuk shqetësohem që Bylykbashi nuk është paraqitur gjatë këtyre ditëve, ai do të kthehet te Partizani dhe për këtë jam i bindur. Sipas bisedave që kemi bërë, kemi rënë dakord për shumën financiare që ai do të përfitojë, kështu që në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë problem. Ne kemi besim te Bylykbashi, pasi është një nga lojtarët që gjithmonë i ka mbajtur premtimet", - përfundon presidenti i të kuqve. Ajo që mund të jetë shqetësuese për lojtarin është fakti, se ai nuk është bashkuar për skuadrën në këtë fazë përgatitore dhe normalisht nuk ka ngarkesën e duhur fizike. Futbollisti është stërvitur për disa ditë me Elbasanin, por kjo nuk do të thotë se ai është i gatshëm për të nisur sezonin. Qysh pas ndeshjeve të Elbasanit në Ligën e Kampioneve, fantazisti ka marrë pushimet, duke mos u rikthyer te të kuqtë, qoftë edhe për t'u stërvitur me grupin, që aktualisht ndodhet në kulmin e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm.
Fatjon Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›