Muzaka: Te Partizani s’kam nevojë të firmos
Mesfushori Gjergji Muzaka është i fundit që është bashkuar me grupin gjatë fazës përgatitore. Futbollisti kishte pësuar një dëmtim në përfundim të sezonit, që e la për shumë kohë jashtë fushave të lojës, ndërkohë që së fundmi ka qenë për disa javë jashtë vendit dhe nuk ka pasur mundësi të stërvitej rregullisht. Megjithatë, prej katër ditësh, Muzaka është vënë nën urdhrat e Neptun Bajkos dhe dalëngadalë po rikuperon ditët e humbura. "Normalisht, prisja ofertën e Partizanit për të bërë një zgjedhje, pasi jam i lidhur shpirtërisht me këtë klub dhe ndihem i detyruar ta respektoj deri në fund, - thotë Muzaka. – Prita momentin e duhur dhe më pas vendosa të rikthehem". Përsa i takon cështjes së kontratës, Muzaka shprehet se ka rënë dakord dhe se ende nuk ka firmosur, por ky detaj nuk e shqetëson aspak futbollistin, i cili shton se firma nuk është një problem. "Sigurisht, kam biseduar me presidentin Xhani dhe kemi arritur një akord përsa i përket anës financiare, - vijon futbollisti. – Firmën nuk e kam hedhur, por unë nuk kam nevojë të firmos te Partizani, pasi jam shumë i lidhur me këtë dhe i detyrohem shumë". Pas gati dy javësh, starton Kategoria Superiore, ndërsa Muzaka i sheh me optimizëm objektivat e të kuqve në këtë sezon. Sipas mesfushorit, skuadra do të jetë akoma më shumë kompetitive, nëse do të bëhen edhe blerjet e paralajmëruara nga drejtuesit e klubit. "Nëse vijnë brazilianët që priten dhe Bylykbashi, atëherë mund të them me plot gojën se Partizani do të jetë një pretendent i denjë për titull", - shprehet Muzaka. Në fakt, të kuqtë do të kenë pothuajse të njëjtin grup me atë të sezonit të kaluar, ku arritën të rivalizonin deri në fund ekipin e Elbasanit për të lëshuar më pas vetëm në metrat e fundit. "E treguam edhe vitin e kaluar se me të njëjtin grup mund të rivalizonim të gjitha skuadrat në luftën për të fituar titullin, kështu që këtë vit ky objektiv nuk mund të quhet i ekzagjeruar.
F. Kodra