E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, përgatitjet mund të nisin si ekip amator

Nga ILIR CARA

Stafi drejtues dhe grupi që përfundoi sezonin e fundit do të nisin punën për Kategorinë e Parë. Gjithsesi, pritet ndryshimi i premtuar

Partizani i vullnetarëve e realizoi misionin e tij në Kategorinë e Dytë, duke e kthyer ekipin në Kategorinë e Parë për sezonin 2012-2013. Por, kush do të jetë Partizani i këtij sezoni? Kjo është një pyetje që pakkush mund ti japë përgjigje, ndonëse ka individë apo institucione, që e dinë përgjigjen e saktë, por për momentin ngurojnë ta shpalosin.

Nga sa është thënë, këtë vit do të marrë fund puna vullnetare. Për administratorin e të kuqve, Gjergji Thakën, kjo është një pyetje, së cilës ai nuk mund ti kthejë përgjigjen e saktë për momentin, pasi ai nuk ka gjërat më thelbësore që përcaktojnë planet e së ardhmes. Gjithsesi, stafi teknik ka menduar që ta nisë punën stërvitore, me shpresën se rrugës gjërat do të përmirësohen.

Nëse kërkohet një Partizan për të luftuar Superligën, duhen bërë të paktën pesë përforcime cilësore. Misionin që kishte Partizani i krijuar në shtator të 2011-ës, e përmbushi me sukses, por askush të mos e mendojë se me atë mënyrë veprimi mund tia dalim edhe në Kategorinë e Parë.

Këtë gjë ua kam komunikuar edhe futbollistëve në analizën që i bëmë sezonit dhe që nga kjo javë do të nisim përgatitjet. Këto përgatitje i nisim në mënyrë amatore, sepse për momentin nuk ka asnjë plan të detajuar, kjo për vetë faktin se nuk na është komunikuar se kush do të jetë prijësi i klubit.

Përgatitjet i nisim si ai Partizan, që mbylli Kategorinë e Parë, por zhvillimet që priten mund të ndryshojnë gjithçka. Ne, për të mos përsëritur situatën e një sezoni më parë, ku nisëm punën pasi kishte nisur kampionati, kemi vendosur të nisim stërvitjet, ku javë pas javë do të rrisim ngarkesën.

Si staf po bëjmë tonën, thjesht për ta mbajtur të karikuar grupin, me shpresën se do të vijnë elementët e duhur për ta përballuar me sukses edhe Kategorinë e Parë. Shpresat janë të mëdha se Partizani do të bëhet ashtu siç e kërkon tradita dhe të rikthehet te vendi i tij, në elitën e futbollit shqiptar, – u shpreh për Sportin shqiptar administratori i të kuqve, Gjergji Thaka.

Ndryshim strategjie Edhe vetë futbollistët, të cilët u aktivizuan me Partizanin në edicionin e fundit, e dinë shumëmirë se Kategoria e Parë është më e fortë, kështu që klubi do të ketë përgjegjësi më të mëdha. Drejtuesit aktualë të Partizanit e kanë bërë të ditur se do të ketë një strategji tjetër në drejtimin e ekipit, kështu që duhet luftuar shumë për ta merituar një fanellë të kuqe.

Pra, Partizani do ta rrisë pjacën sezonin e ri, por që të ndodhë kjo më parë duhen parë xhepat. Nëse nuk ka financa të mjaftueshme dhe mbi të gjitha të garantuara, gjithçka mund të mbetet në kuadrin e dëshirave, sepse ajo që ndodhi në Kategorinë e Dytë nuk është rrugë për tu ndjekur. Për inerci dhe dashamirësi, që nga kjo javë, Partizani do të nisë përgatitjet, por vëmendja dhe shpresa mbetet te ndryshimi i shumëpërfolur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›