Xhani u hedh "grepat" futbollistëve korçarë
Tefik Osmani, shkes i katër lojtarëve nga Korça. Presidenti Xhani, pas kthimit nga Greqia, kafe me mbrojtësin
Presidenti i të kuqve, Albert Xhani, të enjten në orët e vona të mbrëmjes, menjëherë pas kthimit të tij nga Greqia është ndalur në qytetin e Korçës, atje ku telefonatën e parë e ka bërë në adresë të Tefik Osmanit, me të cilin është takuar dhe më pas ka pirë një kafe tek hotel "Turizmi". Por kjo nuk ka qënë e reja e kësaj kafeje mes Xhanit dhe Osmanit, pasi menjëherë kanë mbërritur edhe dy futbollistë korçarë, siç janë Çajku dhe Ngjela. Biseda mes tyre ka zgjatur shumë dhe burime pranë kësaj bisede në Korçë bëjnë me dije se vetë "bosi" i të kuqve është interesuar për Çajkun dhe Ngjelën, por edhe pse nuk ishin të pranishëm, edhe për dy lojtarët e tjerë, Larti dhe Çipi. Ka shumë mundësi që të katër këta futbollistë sezonin e ardhshëm të veshin fanellën e Partizanit dhe, në qoftë se do të ndodhë, atëherë numri i korçarëve te të kuqtë do të shkojë në shtatë, pra një armatë e tërë futbollistësh juglindorë. Kjo bisedë është bërë pikërisht për njohjen mbi këta futbollistë korçarë dhe si gjithmonë shkesi i këtyre gjërave te Partizani, kur bëhet fjalë për korçarët, është Tefik Osmani. Biseda ka kaluar këndshëm tek hotel "Turizmi" për disa orë dhe Xhani, me sa duket, e ka ndarë mendjen që të marrë sa më shumë futbollistë nga ky qytet, pasi duket se Korça ka lojtarë të shumtë të talentuar, gjë që e tregon edhe aktivizimi i tyre në shumë ekipe shqiptare. Të katër futbollistët korçarë, Ngjela, Çajku, Larti dhe Çipi, janë gati që sezonin e ri të veshin një fanellë të tillë, siç është ajo e kuqe, por kjo do të duket më qartë në ditët në vijim, ku do të merret edhe mendimi i trajnerit Hasan Lika dhe më pas do të shikohet edhe prova te kjo skuadër. Kujtojmë se te Partizani luajnë tre lojtarë nga Korça, siç janë Osmani, Shkëmbi dhe Dhëmbi. Kafeja e së enjtes në Korçë i ka shijuar më shumë se asnjëherë tjetër Albert Xhanit, ndërkohë që në këtë kafe mes miqsh nuk kanë munguar të jenë të pranishëm edhe specialistë korçarë. Pas kësaj vizite "flash" në Korçë, Xhani më pas është larguar drejt kryeqytetit, ndërkohë që i pyetur në lidhje me këtë takim mbrojtësi i të kuqve, Tefik Osmani, do të shprehej: "Nuk mund të them se çfarë u bisedua në këtë takim me presidentin, por nuk mund ta mohoj se kanë qenë edhe Ngjela dhe Çajku. Unë gjithmonë kam pirë kafe me presidentin, aq më tepër se ishte edhe mysafir në Korçë. Për atë që thoni ju, që janë katër futbollistë korçarë, të cilët mund të jenë pjesë e Partizanit në të ardhmen, për këtë nuk mund të them gjë, pasi kjo do të duket në ditët në vijim. Unë personalisht di të them se jam ende i mërzitur për atë trofe të humbur dhe këtë e pa edhe presidenti." Pra, Osmani duket se këtë herë do të sjellë me vete në kryeqytet jo pak, por katër futbollistë nga vendlindja e tij.