Olta Boka: Fqinjët tanë janë inteligjentë
Një orë pas kalimit të Shqipërisë në finalen e Festivalit Evropian, këngëtarja 16- vjeçare është shprehur se ishte arritje e merituar, që e nxori vendin nga pjesëmarrja rutinë
Beograd
Shqipëria këndon e treta në natën finale të Festivalit Evropian të Këngës që po mbahet këto ditë në Beograd. Nesër në orën 21.00, në Arenën e kryeqytetit serb, 16- vjeçarja Olta Boka, përfaqëson Shqipërinë me këngën "Zemrën e lamë peng".
Gjatë interpretimit në natën gjysmëfinale Olta ka pasur në kontroll emocionet. Nuk kishte në radhët e adhuruesve të këngës evropiane ndonjë atmosferë me flamuj shqiptarë, edhe pse komentet gjatë gjithë ditëve tregonin që kënga e kompozuar nga Adrian Hila dhe Pandi Laço është pëlqyer shumë.
Në intervistën që dha për Shekullin një orë pas seleksionimit për në finale, Olta shfaqet e sigurtë dhe e përmbajtur, duke na lënë të kuptojë se kënga meriton edhe më në finale.
Olta, ke vetëm një orë që ke lënë Arenën, na thuaj si po e përjeton kalimin në finale?
Janë ndjenja shumë të papërshkrueshme. Të paktën nëpërmjet punës së madhe që kemi realizuar them se ia kemi arritur qëllimit që dëshironim, apo edhe çfarë meritonim. Jemi të gjithë të lumtur dhe paksa të lodhur. Do të falënderoja të gjithë ata që në atë 15 minutësh më kanë dhënë mbështetjen nëpërmjet votave dhe për këtë iu jam mirënjohëse.
Sonte stafi e hoqi frikën nga lodhja që ke shfaqur gjatë provave.
Kanë ndikuar shumë emocionet. Në performancë ka të bëjë siguria që mund t'i japësh vetes, ajo që ke për të dhënë më shumë, ose mbështetja e të gjithëve. Janë disa gjëra njëkohësisht. Gjithsesi mendoj se perfomanca më e mirë ka qenë sonte.
Njerëzve u kishte pëlqyer kënga shqiptare si një këngë e shtruar, po e fortë.
Po, janë dy ekstreme që shkojnë mirë bashkë dhe është e vërtetë. Është një këngë baladë, po e fortë dhe më vjen mirë që e këndoj.
Tani që i ke parë mund të japësh një gjykim për nivelin e festivalit. Si të është dukur?
Më pëlqejnë shumë këngë. Ka një konkurrencë të fortë.
Konkurrencë të fortë muzikore apo shfaqjeje?
Nga ana muzikore, po ndoshta dhe nga ana e performancës për ato këngë që japin më shumë shoë skenik. Këtu përmend Greqinë, Ukrainën, Turqinë, Rusinë. Me një fjalë, janë këngë që janë vërtet kandidate dhe konkurrente të forta.
Atëherë, në drejtim të shoët skenik, "Zemrën e lamë peng" është kandidate aspak e fortë.
Në një farë mënyre po, sepse duke qenë baladë nuk ka si të bësh performancë tjetër. Ata që kanë bërë performancë kishin këngë të forta, ritmike.
Në përgjithësi ajo për të cilën fliste muzika e këtij festivali ishte e varfër, pothuajse gjithçka për dashurinë.
Kam vënë re se këngët nuk ishin vetëm për dashurinë. Kishin edhe një përmbajtje ndryshe të dashurisë që është ndjenja universale. Për shembull kënga ruse, ose Gjeorgjia me "Peace ëill come". Të gjitha këngët flasin, them se nuk ka pasur përjashtime edhe të teksteve të tjera.
Ishte reagimi i publikut konform nivelit të prurjeve në Eurosong 2008?
Jam e kënaqur me përzgjedhjen e finalistëve. Duke qenë se ka qenë publiku ai që i ka zgjedhur, i bie që të ketë bërë një zgjedhje inteligjente.
Pas këtij suksesi nuk munguan komentet e llojit: ishte një këngë që e vlerësuan edhe "armiqtë", fqinjët si Greqia apo Serbia.
Në këtë moment fqinjët kanë lënë mënjanë mëritë e tyre, pavarësisht se në politikë mund të jenë "armiqtë e Shqipërisë". Them se janë treguar objektivë ose subjektivë, sipas mendimit që kanë shprehur, kështu që nuk mund t'i quaj armiq të paktën në këtë fushë. Ndoshta në politikë po, por kjo që po flasim nuk ka të bëjë fare me politkën. Na kanë vlerësuar të ashtuquajturit "armiq". Pra, njerëzit që na rrethojnë, fqinjët tanë, janë inteligjentë.
Në këtë kuptim ajo skenë të ka nxitur më shumë emocione patriotike?
Unë jam patriote, përkrah shtetin dhe vendlindjen time. Fakti që në ato momente, në një skenë serbe unë po mendoja për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, them se mund të mjaftojë. Kjo ka qenë arsyeja e parë që mua më ka dhënë forcë për të pasur një prezantim më të mirë.
Me numrin tre, që radha jote në finale, ke ndonjë lidhje?
Gjithnjë kam thënë se numri im me fat është treshi. Nuk e di pse. Gjithsesi edhe po të më kishte rënë ndonjë numër tjetër do ta pranoja.
Si përfundim, këtë arritje e quan të pritshme apo fat?
Them se kalimi në finale është arritje e madhe, duke qenë se Shqipëria ishte futur në rutinën e vetëm pjesëmarrjes në gjysmëfinale. Për të gjithë ne ka qenë një arritje e madhe.
Mesazhi i parë që ke marrë, cili ishte?
Më kanë ardhur mesazhe nga njerëzit që kisha afër, nga instrumentistët, nga kryetarët e delegacionit. Dhe një urim nga kryeministri dhe bashkëshortja e tij. Më thanë se ndiheshin të lumtur dhe krenarë. Më uruan fat dhe suksese.
Gjithë kjo që ndodhi më bën të kem shpresa për tu ngjitur shkallë- shkallë. E realizuam këtë dëshirë dhe nuk mund të pretendojmë që të ngelim në vend. Duke qenë se na u dha kjo mundësi them se meritojmë diçka më të mirë edhe në finale, të ndihemi të sigurtë dhe të bëjmë atë për të cilën kemi ardhur këtu.