"Shqipëria si kazan fosilesh për energjinë e pastër të Italisë"
Ajo çka kemi paralajmëruar në mënyrë të përsëritur ndaj strategjisë Berisha-Ruli, shitjeve që po bën kjo qeveri nën dorë, tek deklaron për demagogji sE po nxit investimet e huaja nën parrullën e faljes së Shqipërisë për një euro, ndaj hapjes së dyerve të vendit industrive më ndotëse dhe më të rrezikshme të kontinentit: atyre fosile, d.m.th., TEC-ve me naftë e me qymyrguri dhe energjisë bërthamore, konfirmohet edhe nga artikujt e shtypit të huaj. Para pak ditësh, gazeta e madhe zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" botonte artikullin e mëposhtëm, të cilin po e përkthejmë të plotë.
Fjalia e fundit e shkrimit duhet t'i bëjë megjithatë të mendohen këta politikanë pa ndonjëfarë dinjiteti kombëtar: jo gjithçka që ata vendosin prapa tezgave të tyre 1 euro, mund të realizohet.
Shqipëria, ashtu si dhe Kosova, vuajnë nën ngushticat kronike të rrymës, çka bën që të ndërpritet energjia përditë. Hidrocentralet e Shqipërisë, më së shumti të vjetëruar, prodhojnë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, çdo vit rreth 4000 gigavat/orë; vitin e kaluar u importuan rreth 2800 gigavat/orë. Për qeverinë "Berisha" projektet për prodhimin e energjisë gëzojnë prioritet të lartë. Ekzistojnë plane për ngritjen e një centrali bërthamor, prodhimi i të cilit, sidoqoftë, do të shkojë kryesisht drejt Italisë. Aty ndërtimi i centraleve bërthamore është i ndaluar. Një tjetër projekt i një investitori italian për të ngritur një TEC me qymyrguri në Shqipëri, është paracaktuar gjithashtu për eksport në Itali dhe tregun vendas. Ministri shqiptar i ekonomisë dhe energjisë, Genc Ruli e quan projektin të realizueshëm. Ndërsa TEC-in me naftë që po ndërtohet në Vlorë, Ruli e quan si masë emergjence për kapërcimin afatshkurtër të krizës së energjisë. Për centralin atomik mungon kuadri ligjor. Kritikuesit e projektit nënvizojnë preferencën e Italisë për zhvendosjen e industrive të rrezikshme ose ndotëse në vende të tjera. Një projekt për djegien e plehrave italiane në Shqipëri para katër vjetësh, dështoi për arsye të qëndresës së veprimtarëve shqiptarë të mjedisit.