E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombetarja ne dileme me apo pa Kuzhene

Me apo pa atë? Një dilemë e vjetër sa bota dhe që varet mbi kokën e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka. A duhet të vazhdojmë me Josip Kuzhen drejt një rinovimi të mundshëm të ekipit kombëtar, apo të mbështetemi tek një trajner tjetër (me shumë gjasa i huaj). Argumentet janë të shumtë, si pro, ashtu edhe kundër, por kroati ka gjetur një aleat të fuqishëm.

Ky aleat është Lorik Cana, kapiteni i Shqipërisë në dy ndeshjet ndaj Francës dhe me gjasë kapiteni i vërtetë i kombëtares së të ardhmes. “Jam që Kuzhe të qendroje, është shprehur kosovari, - një trajner i ri do të komplikonte situatën”. Cana thekson se kroati është një personalitet i madh dhe se lojtarët duan që ai të mbetet. Natyrshëm që, Duka do ta ketë shumë parasysh një opinion të tillë.

Ndërkaq, në prag është Rumania dhe Kuzhe do të duhet të bëjë zgjedhjet e tij. Hyka dhe Roshi luajtën shumë mirë në “Stad dë Frans” dhe nuk është pak kur shkëlqen në një stadium të tillë.

Në dispozicion të trajnerit janë edhe të tjerë si Januzi apo Bakaj, ndërsa do të kthehen pas pezullimit kapiteni i parë, Altin Lala, dhe sulmuesi kryesor Erion Bogdani. Të dy mund të quhen në fund të karrierës me kombëtaren, të paktën mesfushori i Hanoverit dhe Kuzhe do të duhet të vendosë nëse ta aktivizojë apo ta lerë në stol.

Të paktën, jemi të qetë për diçka. Pas Francës nuk ka më dyshime se do të duhet rinovim, ndërsa Rumania është një ndeshje që mund dhe duhet të fitohet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›