Xhemajli, katër muaj sprovë

I transferuar verën e vitit që shkoi për 9 milionë euro, Blerim Xhemajli është dashur ta mbante vetë, së bashku me përfaqësuesin tjetër zviceran Gokhan Inler, mesfushën e Napolit, i cili ishte në kërkim të rinovimit të mesfushës së klubit italian. Më shumë errët se dritë, mesfushori shqiptar nga Maqedonia, së bashku me Inlerin, nuk kanë bindur.
Ishte e qartë se që nga fillimi i sezonit 2011/12, dyshja e përfaqësueses zvicerane nuk ka arritur ta gjejë ekuilibrin e duhur taktik në skuadër. Xhemajli është mesfushor pothuajse komplet, mirëpo deri tash nuk ka bindur as përpara as prapa.
Trajneri Walter Mazzarri ka preferuar të llogarisë në mesfushorin Walter Gargano, para Xhemajlit. Mirëpo, as dyshja Gargano-Inler nuk i ka dhënë përgjigjet e duhura. Për këtë, Mazzarri ka vendosur të kërkojë sërish zgjidhje taktike dhe të lojës.
Në këtë drejtim, Xhemajli, i cili ishte titullar kundër Milanit, është një mesfushor që mund të garantojë kualitet dhe manovër, përpos solucionit të gjuajtjes nga jashtë 16 metërshi nga i cili shënonte dy gola.
Në një sezon, i cili për Napolin nuk po shkon si duhet, Xhemajli mund ta japë kontributin e tij. Nga ky muaj fillon faza vendimtare e sezonit, kështu që Napoli sot ka nevojë më shumë se kurrë për mesfushorin shqiptar.
Tek e fundit, Xhemajli duhet të djersitet fort, ngase këta janë katër muajt e fundit të sezonit, të cilët mund të jenë edhe një sprovë dhe vendimtarë për të ardhmen e tij në klubin napolitan.
Moenchengladbach, pas Xhemajlit
Ndërkohë, Blerim Xhemajli është bërë objektiv i klubit gjerman Borussia Moenchengladbach. Drejtori sportiv i këtij klubi, Max Eberl do të mundohet që gjatë verës ta transferojë në Gjermani përfaqësuesin zviceran.
Klubi nga Bundesliga ka përfituar 17,5 milionë euro nga shitja e talentit Reus në Borussia Dortmund, kështu që këto para dëshiron t'i shpenzojë në blerjen e lojtarëve të rinj. Ish futbollisti i Boltonit, Torinos dhe Parmës ishte transferuar gjatë vitit që shkoi në Napoli për 9 milionë euro. Prandaj, Gladbach mund të tentojë ta blejë 25 vjeçarin për 7-8 milionë gjatë verës.
Tuttonapoli.net