E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fejzullahu preferon Mjallbyn

Erton Fejzullahu nuk dëshiron të rikthehet te NEC Nijmegeni. Sulmuesi kosovar është huazuar në Mjallby nga klubi holandez deri në qershor, mirëpo ai preferon të mbetet në klubin suedez për një periudhë afatgjate.

"Nuk dëshiroj të kthehem në NEC Nijmegen, shpresoj që Mjallby të më mbajë. Nuk besoj se kjo do të ishte shumë e kushtueshme", theksoi Fejzullahu për të përditshmen suedeze Kristianstadsbladet.

Drejtori sportiv i Mjallbyt, Thomas Andersson-Borstam, nuk ka qartësuar nëse 23 vjeçari do të mbetet në këtë klub apo jo. Por, duket se gjithçka do të varet nga vetë lojtari. "Sa i përket Ertonit, do të varet gjithçka se si do të luajë ai gjatë pranverës", ishte i shkurtër ai.

Fejzullahu kishte luajtur në Mjallby në periudhën 2007-09, para se të transferohej në NEC Nijmegen. Në Holandë, ish përfaqësuesi U-21 i Suedisë nuk e kishte treguar veten, prandaj ishte huazuar në ekipin danez Randers, ku po ashtu nuk shkëlqeu. Muaj më parë u huazua sërish në Mjallby, ku shpreson të luajë edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›