Regjistro foshnjën, të marrësh shpërblimin!

Hiqen gjobat për mosregjistrimin e fëmijëve në gjendjen civile. Nëse kryen praktikat e regjistrimit për 2 muaj, prindërit do të përfitojnë një bonus. Të gjithë ndryshimet e ligjit për gjendjen civile
TIRANË - Qytetarët shqiptarë tani do të mund të gëzohen jo vetëm me lindjen e një fëmije, por edhe me një “grusht” lekë nëse do ta regjistrojnë beben në 2 muajt e parë të lindjes. Saktësisht, 50 mijë lekë të vjetra është “çmimi” që i është vënë çdo bebeje të regjistruar në kohë nga familjarët e tyre. Disa ndryshime që i janë bërë ligjit “Për gjendjen civile”, pritet që brenda pak ditësh të sjellin edhe risinë në regjistrimin e popullsisë. Sipas disa burimeve të gazetës “Korrieri”, mësohet se pasi janë propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, janë miratuar edhe nga qeveria ndryshimet e reja të ligjit. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, mësohet se do të hiqet krejtësisht gjoba në lekë, që bëhej në rast se fëmija nuk regjistrohej 45 ditë pas lindjes. Ndryshimi i ligjit “Për gjendjen civile” pritet që të sjellë jo vetëm heqjen e gjobës financiare, por edhe një “hangari” tjetër, siç ishin hapja e proceseve gjyqësore në rastet kur qytetarët tregoheshin neglizhentë dhe nuk regjistronin fëmijët në gjendjet civile brenda afatit të përcaktuar prej 1 muaji e gjysmë. Ndërkohë, burimet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile bënë të ditur se, përveç rastit që familjarët do të marrin shumën prej 50 mijë lekësh të vjetra, në rast se do të regjistrojnë fëmijën brenda afatit kohor 60 ditë pas lindjes, për “harrakatët” që do ta shkelin këtë rregull të paktën nuk do të ketë më gjoba administrative. Një tjetër detaj i zbuluar dje për “Korrierin” nga po të njëjtat burime, është dhe fakti se është menduar që të ketë edhe një fushatë për të gjithë ato që ende nuk i kanë regjistruar pranë gjendjeve civile fëmijët e tyre. “Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve në ligj, gjë që në fakt pritet të ndodhë deri në mesin e muajit të ardhshëm, do të ketë një afat prej 2 muajsh, ku nuk ka rëndësi mosha e fëmijës së paregjistruar, por prindërit nëse brenda 60 ditëve të ardhshme, pra deri në mesin e muajit shtator të këtij vitit shkojnë e regjistrojnë fëmijët e tyre pranë gjendjeve civile, atëherë ata do të marrin në dorë shpërblimin prej 50 mijë lekësh të vjetra. Nga ky ndryshim i ligjit pritet që të përfitojnë me mijëra qytetarë, të cilët kanë “harruar” që të regjistrojnë fëmijët e tyre. Por një tjetër kategori e cila pritet që të këtë jo pak përfitim, janë dhe komunitetet e romëve dhe pakicat e tjera, të cilat historikisht kanë qenë problematikë në regjistrimin e fëmijëve të tyre, duke sjellë dhe një pikëpyetje të përhershme në numrin e vërtetë të tyre.