Xherard: “Kemi ardhur për trofeun”
Kapiteni i Anglisë, Stivën Xherard, theksoi se “tre luanët” kanë ardhur në Afrikën e Jugut me synimin e vetëm: fitimin e Kupës së Botës. “Kemi përpara një mundësi fantastike. Ne e dimë se jemi një ekip i mirë dhe në ditën tonë ne jemi të aftë të mundim këdo. Do të jetë një sfidë e madhe për ne, por ne jemi të bindur se ne mund t’i japim vetes sonë një llogari të mirë”. Anglia e ka fituar vetëm një herë Kampionatin Botëror, në vitin e largët 1966, e për më tepër në shtëpinë e saj. Xherard theksoi se ka një numër arsyesh për ta fituar Botërorin, duke filluar qysh nga humori në skuadër, por dhe nga aftësia e stafit teknik. “Boll të hedhësh sytë në dhomën e zhveshjes për të parë se sa të eksituar duken djemtë. Kjo më frymëzon mua, ne të gjithë e dimë se jemi gati për aventurën. Cdo ditë që kalon ne bëhemi edhe më të mirë, nisur edhe nga lartësia mbi nivelin e detit”. “Runi? Është një lojtar fantastik, dhe vjen pas një sezoni të pabesueshëm, ndoshta më i miri i tij. Ai është në kategorinë e lojtarëve si Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo”. Anglia nis aventurën me ndeshjen kundër Shteteve të Bashkuara (të shtunën, 20:30).
Kapelo
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, tha se “tre luanët” janë të aftë të fitojnë Kampionatin Botëror. Italiani tha për mediat: “Anglia është gati për ndeshjen kundër Shteteve të Bashkuara. Ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë, pasi niveli i parashikimit është me të vërtetë i madh. “Ne jemi këtu prej tetë ditësh, trajnimi ka shkuar shumë mirë dhe unë jam shumë konfident. Jam shumë i bindur se ekipi mund të arrijë finalen. Në mënyrë të natyrshme besoj se kemi një skuadër që mund të mbërrijë në finale. Nuk dëshiroj t’iu tregoj lojtarëve se kush do të luajë deri dy orë përpara fillimit të ndeshjes, është diçka që e bëj gjithmonë. Lojtarët janë fizikisht mirë dhe mendjet e tyre janë të fokusuara në ndeshjen që po vjen. Kanë dëshirën dhe oreksin për të bërë mirë. Lojtarët që kam këtu janë lojtarët më të mirë anglezë. Jam i bindur për këtë”.
12 Qershor 2010