Rama, asnjë ulje takse për biznesin e vogël, ka rritur deri në tri herë taksat e tjera lokale

Vendimet e Këshillit Bashkiak denoncojnë mashtrimet e kryebashkiakut të Tiranës
TIRANE – Kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, gënjen kur pretendon se, “gjatë 3 viteve të fundit, bashkia e Tiranës ka ulur më 30 për qind taksën e biznesit të vogël dhe atë të pasurisë nga niveli i përcaktuar me ligj, për të gjitha bizneset e prodhimit në qytetin e Tiranës, me qëllim lehtësimin në kushtet e krizës energjetike që kalonte vendi”.
Ndërsa, brenda dy ditësh Edi Rama, një herë nga pozitat e kryebashkiakut të Tiranës dhe një herë nga pozitat e kryesocialistit, e ka përsëritur “uljen me 30 ëpr qind në 3 vitet e fundit e taksës së biznesit të vogël”, të dhënat zyrtare nga bashkia e Tiranës flasin për mos ulje të taksës së biznesit të vogël dhe për rritje të taksave të tjera lokale, sikurse janë taksa e gjelbër dhe taksa e pastrimit.
Biznesi i vogël
Vendimi Nr. 3 i datës 25. 02. 2008, i Këshillit Bashkiak të Tiranës, është një fotokopje e Vendimit Nr. 3, të datës 05. 02. 2007, po të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për pjesën e taksave për biznesin e vogël. Për pasojë, edhe për vitin 2009, kur bashkia e Tiranës vepron ende me Vendimin Nr. 3, të datës 25. 02. 2008, i cili është viti i tretë (2007 – 2009) i premtimit të përmendur nga Edi Rama, taksat e biznesit të vogël nuk kanë pësuar asnjë humbje.
Me logjikën e krahasimit, duke rimarrë si shembull subjektin tregtar në rrugën “Fortuzi”, saktësisht furrën e bukës që u vizitua dy ditë më parë nga Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, nga tabelat “Kategoritë e bazës dhe nivelet e taksës vendore mbi biznesin e vogël”, në dy vendimet e datave 5 dhe 25 shkurt, respektivisht të viteve 2007 dhe 2008, mëson se ky subjekt, ka paguar as më shumë e as më pak, por për çdo vit 595 mijë lekë (të reja). Edhe për vitin 2009, viti i tretë i premtimit të përmendur nga Edi Rama, ky subjekt, në rast se nuk ka paguar, do të paguajë sërish 595 mijë lekë (të reja), taksë vendore, të vendosur nga Edi Rama.
Nga tabelat “Kategoritë e bazës dhe nivelet e taksës vendore mbi biznesin e vogël”, në dy vendimet e datave 5 dhe 25 shkurt, respektivisht të viteve 2007 dhe 2008, mëson se edhe kategoritë e tjera të biznesit të vogël, me xhiro vjetore nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë (të reja), për vitet 2007, 2008 dhe 2009 (3 vitet e fundit të pretenduara prej Ramës se ka ulur taksat vendore), kanë paguar (ose do të paguajnë), të njëjtin detyrim takse lokale, sipas kategorive respsektive të listuara nga këshilli bashkiak i Tiranës, për herë të fundit prej më se një viti.
Taksat e rritura
Përpos pretendimeve të gënjeshtërta të Edi Ramës, për ulje taksash për biznesin e vogël, ai ka premtuar dhje po e bën realitet, rritjen e disa taksave lokale edhe për banorët, familjet e tyre, por edhe për bizneset. që sipas një strategjie të tij, mësohet se kjo rritje do të vazhdojë deri në vitin 2010.
Shembulli më i mirë është taksa e gjelbër, e cila përveçse është një taksë e përkohshme, e vendosur nga Edi Rama për familjet e Tiranës, pa u mbështetur në asnjë ligj të mundshëm, mësohet se që prej vitit të kaluar, dhe deri në vitin 2010, kjo taksë do të njohë vetëm rritje.
Kështu, ndërsa për vitin 2008, kjo taksë ishte 300 lekë (të reja) për familje, në vitin 2009 do të jetë 400 lekë (të reja) për familje, dhe në vitin 2010, kjo taksë do të arrijë nivelin 500 lekë (të reja) për familje.
Biznesi i vogël, ai që Edi Rama “i qan më shumë hallin”, pore dhe biznesi i madh dhe ai VIP, do të jenë edhe më “të persekutuarit”, nga kjo rritje progresive e taksë së gjelbër.
Këtë vit, jo vetëm bizneset e vogla, por edh bizneset e mëdha dhe VIP, që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, do të paguajnë dyfishin e taksës së gjelbër, që paguan në vitin 2008. Ndërsa vitin e ardhshëm 2010, niveli i kësaj takse, do të jetë trefishin e asaj që bizneset e vogla, të mëdha dhe VIP, kanë derdhur për arkën e bashkisë së Edi Ramës, në vitin 2008.
Rritje, ka premtuar dhe do të realizojë Edi Rama edhe për taksën e pastrimit.
ndërsa në vitin 2008, familjet e kryeqytetit paguan nga 3600 lekë (të reja) secila, gjatë këtij viti, kjo taksë rritet me 4500 lekë (të reja) për familje dhe për vitin 2010, e njëjta taksë, shkon deri në 5000 mijë lekë (të reja), për çdo familje të Tiranës.
Sipas Vendimit Nr. 3 të datës 25. 02. 2008 të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, mësohet se rritja e taksës së pastrimit, për bizneset e vogla, të mëdha dhe VIP, pësoi një rritje nga 2000 – 20000 mijë lekë (të reja), për vitin 2009 krahasuar me vitin 2008. Në të njëjtat nivele, kjo taksë do të rritet edhe për vitin 2010, krahasuar me vitin 2009.