E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hebrenjtë dhe shqiptarët, në një ekspozitë në Çikago

Hebrenjtë dhe shqiptarët do të jenë pjesë e një ekspozite, e cila do të hapet pas disa ditësh në Çikago. Në Muzeun Holokaust në Çikago do të hapet Ekspozita Dokumentare, Hebrenjtë në Arkivin Shqiptar, e Prof.dr.Nevila Nika, po kështu për këtë qëllim në Universitetin Northëestern do të fillojë mësimi i historisë Shqiptaro-Hebrenje me Prof.dr.Harold Shpiro.

Para se të konkretizohej hapja e kësaj ekspozite disa ditë më parë në Çikago u mbajt një takim pune në mes shoqatës Shqiptare-Amerikane dhe asaj të Grave Hebrenje për shtetin e Ilinoisit, me përfaqësuesit Prof. Skënder Karaçica, drejtor ekzekutiv dhe Mahmut Skenderi, sekretar i SHSHA-së me Prof. Sharon Merel, kryetare e këtij asociacioni të gruas hebrenje. Ky takim shërbeu për bashkëpunimin në të gjitha fushat e jetës e sidomos për afirmimin e jetës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, që ka të bëjë me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore (1940-1945). Në këtë takim, Prof.Sharon Merel ka shprehur interesim për ndihmën që ka dhënë populli shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur populli hebre ishte afër shfarosjes së tij deri në substancën kombëtare. Për këtë qëllim doli nisma që në bashkëpunim me institucionet shkencore në Tiranë dhe Prishtinë, të fillojnë përgatitjet për hapjen e Ekspozitës Dokumentare nga periudha e Luftës së Dytë Botërore(1940-1945) në Muzeun më modern në botë Holokaust në Skokie të Çikagos. Për këtë nismë,në kërkesë të SHSHA-së Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë me drejtoreshën Prof.dr.Nevila Nika ka nisur dhjetëra ekzemplarë të botimit, Hebrenjtë në Arkivin Shqiptar, që hedhin dritë nga shpëtimi i hebrenjve në vitet 30-40 të shekullit të kaluar në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare. Me rastin e hapjes së Ekspozitës në Muzeun Holokaust do të ftohen personalitetet e njohura të dyja shteteve Shqipërisë dhe Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›