Xhevdet Feri: Pse kandidoj për së dyti
Sot dita e fundit e mandatit të kryetarit të Qendrës Kinematografike Shqiptare, i ardhur në këtë detyrë që prej dhjetorit të 2005-ës. Në këtë intervistë ai tregon për sukseset dhe dështimet e Qendrës në katër vitet që e drejtoi.
Para pak kohësh, Feri ka hedhur kandidaturën për një mandat tjetër në Ministrinë e Kulturës, e treta në harkun kohor, 1998-2009. Ja cilat janë avantazhet që Kryetari i Qendrës Kinematografike Shqiptare i njeh vetes kundrejt kandidatëve të tjerë:
"Përvoja katërvjeçare në këtë punë, qartësia për gjërat që shkojnë mirë dhe ato që duhen përmirësuar në praktikë, shtimi i buxheteteve dhe shfrytëzimi i mundësive sidomos atyre ndërkombëtare".
Zoti Feri, a do të kandidoni për së treti për kreun e Qendrës?
Mandati që kam unë ligjërisht mbaron më 1 dhjetor. Kam filluar punë më 1 dhjetor të 2005-ës. Sigurisht që në dispozicion të Ministrit të Kulturës kam vënë kandidaturën për mandat të dytë.
Tani mbetet në vullnetin, arsyetimin dhe analizën e Ministrit për t'i propozuar Këshillit të Ministrave, për të bërë pjesën e tij të punës, në mënyrë që më 1 dhjetor, kur skadon mandati i kryetarit aktual, QKK ta ketë autoritetin juridik të kryetarit. I kemi kërkuar Ministrisë që të vendosim sa më shpejt, pra qeveria të vendosë sa më shpejt emërimin e kryetarit sepse qendra do ta kordinojë procesin.
Kështu që nëse administrata bëhet përgjegjëse për zbatimin e vendimeve që merr Këshilli Miratues i Projekteve dhe për ligjshmërinë e tyre, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, apo Kryetari i saj duhet të merret me politikat e zhvillimit.
Pra, që të zgjerojë sa më shumë mundësinë e fondeve në favor të prodhimit kinematografik, kontakteve, integrimit të Shqipërisë në institucione ndërkombëtare, kurse vetë komuniteti i kineastëve, i organizuar në bazë të ligjeve shqiptare në shoqata, ka mundësinë e një kontrolli absolut mbi të gjithë këtë proces.
Ne kemi një buxhet me të cilin nuk kënaqemi dot kurrë. Nuk i kalon 1 milion eurot. Gjatë vitit ai lëviz, hera-herës është shtuar. Kemi kërkuar ekstra dhe qeveria hera-herës dhe na ka dhënë.
Në një mandat të dytë, cilat do të ishin prioritetet?
Nëse qeveria shqiptare do të kërkojë kontributet e mia për mandatin e dytë, unë gjysmën e punëve i kam në mes.
Në këto katër vjet kemi dyfishuar buxhetin, kemi hapur seksione të posaçme për kineastët e rinj. Minimalisht kemi mbjellë tre festivale si "Festivali i Filmit Shqiptar" i cili kishte 6 vjet që nuk bëhej, Festivali i Durrësit, dhe TIFF-i, i cili u mbështet nga ne sepse ishte duke vdekur.
Ju e dini që këtë vit ai nuk është më Festival i Filmit të Shkurtër, po edhe i filmit të gjatë. Shqipëria është antarësuar minimalisht në tre-katër forume ndërkombëtare, në "Euroimage", agjencia e Këshillit të Evropës për Kooproduksionin Evropian.
Nga ana tjetër, programet të filmit shqiptar në botë edhe Evropë po shtohen dhe kineastët tanë po marrin pjesë nëpër festivale shumë të mira. Kemi dy-tre filma të cilët janë në qarkullim nëpër festivalet e kategorisë "B". Po flasim modestisht për këtë kategori, megjithëse kemi qenë edhe në Festivalin e Venecias.
Këtë vit kemi pasur pesë premiera të filmit artistik, pa llogaritur filmin e shkurtër, të animuar dhe dokumentar.
Kemi arritur të financojmë edhe njerëz të cilët po bëjnë film me metrazh të gjatë për herë të parë. Pesë prodhime kanë mbaruar xhirimet, janë në postproduksion ose mbarojnë brenda vitit.
Unë vazhdoj të theksoj që suksesi ka dy elementë pozitivë. Një është ligji dhe sistemi mbi të cilin ne punojmë dhe e dyta është produkti. Nëse produkti është i sukseshëm, atëherë t'i mund të shtosh aksionet, mund të bindësh qeverinë të shtojë buxhetin, mund të dalësh në tregun evropian.
Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht këtu me mburrje të karakterit të mirëadministrimit, apo të politikave që bëhen brenda në Qendër. Po ju them një shifër financiare: produkti vjetor kinematografik kalon 4-5milionë euro falë sistemit të kooproduksionit, falë suksesit të kineastëve tanë që arrijnë të montojnë para jashtë. Nëqoftëse i kemi dhënë Artan Minarollit 300 mijë euro, filmi i tij kushton 1 milion.
Nëse "Muajt e Mjaltit" i kemi dhënë 250 mijë euro ai kushton 1 milion e gjysmë. I thonë 6 herë më shumë sesa fondet publike. Pra, përfitohet një vepër me këtë kapital. Ajo futet në fondin e trashëgimisë kulturore. Kemi arritur të futim edhe subjekte që deri dje nuk i kemi pasur.
Për shembull Televioni Shqiptar, po kontribuon në projektet tona me afro 20 mijë euro, por këto nuk janë pak. Digitalb është bërë partneri më i mirë i yni, ai është futur në prodhimin e filmit të shkurtër.
Këto janë rezultatet. Kinematografia po bëhet atraktive në treg dhe tregu po reagon pozitivisht ndaj produktit kinematografik. Kjo mund të na bëjë entuziastë. Ngul këmbë tek sistemi, tek sukseset e kinematografisë, tek transparenca. Gjithkush nga kineastët e di. Një nga sukseset është që ne pothuajse kemi zhdukur piraterinë e filmit shqiptar, të vjetrit. Ai sot transmetohet në mënyrë legjitime.
Shteti Shqiptar është treguar aq zemërgjerë sa 70% të të ardhurave që krijohen nga qarkullimi i filmit, ua jep autorëve. Ky është një gjest jashtëzakonisht fisnik sepse me ligj u takon 10%.
Çfarë ka dështuar?
Një gjë që ka dështuar në reformën në kinematografi: përdorimi i aseteve të mbetura në ish Kinostudio, godina, territori dhe disa shërbime kinematografike.
Ne i kemi paraqitur një projekt të ri qeverisë, delikat, por shumë të bukur. Kryeministri ka qenë entuziast dhe Ministri i ri i Kulturës është entuziast dhe ka marrë menjëherë hapat për ta çuar më tutje procesin, për ta shëndërruar të gjithë ish Kinostudion, pa krijuar absolutisht asnjë lloj konflikti me subjektet që janë tashmë të instaluar në mënyrë të ligjshme në këtë territor, në një qytet arti, kulture. Këtu nuk ka asnjë kinema, asnjë teatër, asnjë kopsht për fëmijë, asnjë lulishte. Kemi siguruar partnerë ndërkombëtarë për projekt.
Ky është një ndër projektet që ju mendoni të realizoni në një mandat të dytë?
Një nga premtimet është rritja e buxheteve, nëpërmjet buxhetit të shtetit, promovimit të mirë të produktit tonë, i cili do zgjojë vëmendjen e subjekteve private në Shqipëri, që kanë filluar t'i bashkangjiten buxheteve tona, nëpërmjet shfrytëzimit të të gjithë mundësive që ofron anëtarësimi i Shqipërisë në organizma ndërkombëtarë. Të bëhemi palë me sa më shumë partnerë.
Kjo është një mundësi tek e cila duhet të insistojmë. Është një nga pikat e përqëndrimit të punës nëse do të ketë një mandat të dytë.
Nga ana tjetër mund të përsosen disa praktika. Mund të ndërtohet një raport më i mirë midis shoqatave dhe bordit.
Konkretisht ku çalon ky raport?
Një herë të dy vjet shoqatat zgjedhin bordin dhe pastaj pothuajse janë inekzistente. Edhe fillojnë kontestimet e vendimmarrjes së bordit në mënyrë nervoze. Ndërkohë që bashkëpunimi midis bordit dhe shoqatave mund të zgjasë gjithë kohës që ata janë mandatuar.
Në praktikën time nuk i kam kërkuar kurrë bordit të marr vendim. Nuk kam dashur të ushtroj disa kompetenca që janë në ligj sepse më është dukur e tepërt që kryetari i Qendrës ndan buxhetet për gjini.
Përmirësimi i këtyre praktikave që burojnë nga eksperienca, është një mundësi për t'u përmirësuar. Debati që kemi është i natyrshëm. A duhet të financojmë autorë të huaj? Me të drejtë kineastët shqiptarë mund të thonë që këto janë paret e taksapaguesit shqiptar, pse ia jep këtij regjisori të huaj?
Nëse e mbyllim derën kështu, do të kthehemi prapë atje mbrapa, sepse për hir të së vërtetës, të gjithë regjisorët shqiptarë, që montojnë financat dhe shkojnë tek 1 milion e ca euro buxhet, janë regjisorë shqiptarë dhe përdorin pare franceze, austriake, gjermane.
Në këtë periudhë në Qendër nuk është përjashtuar kurrkush. Pothuajse të gjithë regjisorët, po them regjisorët e gjeneratës së vjetër, Anagnosti, Milkani, Vladimir Prifti, Saimir Kumbaro, Spartak Pecani, Kujtim Çashku kanë bërë film. Gjeneratë e dytë Gjergj Xhuvani, Fatmir Koçi, Artan Minarolli, Besnik Bisha kanë bërë filma sa herë kanë dashur, ose sa herë kanë mundur. Po fusim emra të rinj në treg. Deri edhe shkollat i kemi stimuluar.
Me dy fjalë cilat janë avantazhet tuaja?
Përvoja katërvjeçare në këtë punë, qartësia për gjërat që shkojnë mirë dhe ato që duhen përmirësuar në praktikë, shtimi i buxheteteve dhe shfrytëzimi maksimal i mundësive të reja që kemi krijuar për shkak të polikave sidomos atyre ndërkombëtare.