E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Ja postet që do të ndahen në Kuvend

Deputeti Jemin Gjana deklaroi se Kuvendi i 14 Dhjetorit do të bëjë analizën e zgjedhjeve në ato qarqe ku janë arritur rezultate mjaft të dobëta


TIRANË - Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputeti i kësaj force politike, Jemin Gjana, deklaron se Kuvendi i 14 dhjetorit mund të prekë të gjitha postet drejtuese në selinë blu.


Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Gjana vuri në dukje se gara është e hapur për të gjitha postet që do të zgjidhen nga Kongresi i dhjetorit. Sipas deputetit Gjana, Kuvendi Kombëtar do të bëjë edhe analizën e zgjedhjeve të Qershorit, veçanërisht në ato qarqe ku janë arritur rezultate mjaft të dobëta.


Nga kjo analizë, sipas deputetit demokrat, nuk përjashtohet as kryesia e vogël e partisë. Afati për kryerjen e procesit të analizës në qarqe, sipas Gjanës, është deri më 3 dhjetor, datë në të cilën i gjithë ky proces duhet të ketë përfunduar.


Për sa i përket ndarjes së posteve partiake nga ato ministrore, Gjana u shpreh se kjo ndarje nuk duhet të prekë pozicionet e niveleve të larta. Ai shtoi se vetëm funksionet e niveleve të ulëta, duhet që të jenë pjesë e ndarjes së posteve partiake nga ato ministrore.


Z. Gjana, si anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, si i komentoni zhvillimet brenda kësaj force politike, kur pritet të mbahet Kongresi për zgjedhjen e lidershipit dhe strukturave të tjera të kësaj partie?


Me zhvillimet më normale dhe me zhvillimet e një force politike fituese të zgjedhjeve, të një force politike që menaxhon bashkë me disa parti të tjera aleate qeverisjen e vendit.


Është zhvilluar një fushatë me dy qëllime kryesore; së pari, për të bërë një analizë të rezultateve të zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe së dyti, për të zgjedhur kundrejt procedurave me votim të fshehtë, bazuar në propozimet e seksioneve dhe të grup-seksioneve të Partisë Demokratike në Kuvend, për të përcaktuar delegatët, që do të përfaqësojnë degët e partisë në Kuvendin Kombëtar të PD-së.


Ndërkohë, janë duke u bërë përpjekje për të përshtatur të gjithë strukturimin e partisë me ligjin e ri elektoral, me mënyrën sesi partia do t'i përshtatet sistemit proporcional të zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Këto janë qëllimet, të cilat përpiqemi të realizojmë me këtë fushatë të zhvillimeve brenda partisë.


Si po zhvillohet analiza në bazë, konkretisht në qarkun e Dibrës që ju mbuloni për periudhën para dhe pas zgjedhjeve të 28 Qershorit?


Në qarkun e Dibrës, pothuajse ne e kemi mbyllur procesin. Në javën që u mbyll kemi zhvilluar edhe konferencat e partisë në Burrel, në Bulqizë dhe në Dibër.


Pasi kemi mbyllur ciklin e analizave në strukturat e niveleve të para dhe të dyta, kemi ardhur në Kuvendet e degëve, në të cilat është paraqitur raporti i analizës së zgjedhjeve, në secilën prej rretheve dhe janë votuar me votim të fshehtë edhe delegatët, që do të përfaqësojnë qarkun e Dibrës në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.


Si rrjedhë e një rezultati të lartë, që ka pasur qarku i Dibrës, në zgjedhjet e 28 Qershorit, ne nuk kemi pasur nevojën e rishikimit të drejtuesve në nivele të seksioneve, grup-seksioneve apo në anëtarësinë e kryesisë së partisë.


Në disa qarqe të tjera, ku ka pasur probleme, që nuk janë arritur rezultatet e duhura ose janë arritur rezultate më të dobëta, sesa rezultatet e zgjedhjeve të 2007-ës apo 2005-ës, është futur edhe në proces zgjedhjesh në disa nivele të seksioneve apo grup-seksioneve të partisë dhe procesi është në vazhdim. Afati është deri në datën 3 dhjetor për të mbyllur gjithë procesin.


Nisur nga analiza që po zhvillohet për zgjedhjet e 28 Qershorit, a mendoni, se ky proces duhet të prekë kryesinë e vogël të partisë dhe strukturat e larta të selisë blu?


Natyrisht, edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike do të ketë edhe një analizë të kësaj. Kuvendi është instanca më e lartë, e cila natyrisht do të bëjë analizën e katër viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, do të bëjë analizën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, do të bëjë parashikimet e qeverisjes së katër viteve, përmirësimeve të domosdoshme në katër vitet që vijnë dhe natyrisht do të zgjedhë lidershipin. Çdo gjë është brenda votës së Kuvendit, për të zgjedhur strukturën e re drejtuese të partisë.


A jeni ju për ndarjen e posteve ministrore nga ato partiake dhe si duhet të kryhet kjo ndarje?


Personalisht, e kam dhënë pikëpamjen time për këtë çështje. Është një çështje e diskutuar, jo tani që jemi në prag të Kuvendit të Partisë Demokratike, por prej dy vitesh është hapur një spirale diskutimesh, kryesisht mediatike, si një debat mediatik sesa një debat i zhvilluar brenda strukturave vendimmarrëse të partisë, sepse nuk ka pasur deri më tani diskutim për këtë çështje në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, në kryesinë e Partisë Demokratike. Nuk ka një përcaktim për këtë çështje në statutin e Partisë Demokratike.


Në pikëpamjen time, një parti politike nuk është një OJQ. Një parti politike ka një lidership të caktuar, i cili zgjidhet, votohet nga anëtarësia e partisë, hyn në zgjedhje dhe pasi fiton zgjedhjet detyrimisht në konceptin tim adreson në strukturat e pushtetit legjislativ, ekzekutiv, potencialet më të mira që ai ka dhe që i ka pasur në drejtim të partisë dhe që i vendos edhe në drejtimin e pushtetit.


Në këtë pikëpamje, unë nuk shoh ndonjë pozitivitet, që të ndajmë dhe të çojmë këtë pjesë të zgjedhur në parti, pjesën që mendohet se është elita e partisë te pushteti dhe pastaj të vendosim persona të tjerë në parti dhe të fillojë që një forcë politike në pushtet të funksionojë me dy pole drejtimi, njëra që drejton pushtetin dhe tjetra që drejton partinë.


Pra, nuk shoh arsye dhe argumente. Sekretariati organizativ duhet të merret vetëm me punët e partisë dhe të mos ketë angazhime të tjera. Sekretari mediatik duhet të jetë te partia. Një sekretariat që merret me burimet njerëzore, mund të jetë te partia i pangarkuar me detyra të tjera tek ekzekutivi.


Pra, këto gjykoj unë që janë të domosdoshme. Problemet e lidershipit tjetër, të niveleve të kryetarit, të sekretarit të përgjithshëm, të nënkryetarit të partisë, unë nuk gjykoj se ka vend që t'i ndajmë në funksione, sepse nuk ka arsye që disa potenciale të rëndësishme politike të shkojnë për të qeverisur dhe të jenë poli qeverisës i vendit dhe pastaj disa të tjerë të emërohen drejtues të partisë së nivelit më të lartë saj, duke qenë një pol tjetër që drejton te partia.


Çfarë pikash mendoni se duhen ndryshuar në statutin e Partisë Demokratike?


Do të ketë shumë çështje që duhet të ndryshojnë te statuti, sepse statuti i Partisë Demokratike ka qenë për ta pasur partinë në funksionimin organizativ të saj, bazuar në një model tjetër të sistemit elektoral, ku nga sistemi elektoral mazhoritar shkojmë në sistemin elektoral proporcional.


Kështu që statuti që ka të bëjë me ristrukturimin e partisë, me organizimin e partisë, do t'i përshtatet këtij sistemi elektoral. Është ngritur një grup, të cilin e drejton sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, që po punon për këto ndryshime dhe përmirësime statutore, që ta sjellin statutin dhe organizimin e partisë në përputhje me sistemin e ri zgjedhor që kemi sot në vend.


Parimi "një anëtar, një votë", do të vazhdohet të aplikohet vetëm për grup-seksionet apo do të hiqet tërësisht nga statuti?


Kjo varet nëse do të vendoset ose nuk do të vendoset në statut, nëse do të miratohet në statut.


Nëse partia mendon se brenda katër viteve ka mundësinë t'i krijojë këto kushte, mund të vendoset në statut dhe mund të aplikohet, por duhet të presim të miratohet statuti i partisë dhe të vendosë Kuvendi për këtë çështje.


Përveçse në nivelet e seksioneve dhe grup-seksioneve, "një anëtar një votë" nuk është aplikuar as në nivelet e degëve, sepse edhe në degë ka delegatë të zgjedhur, që votojnë për kryetarin dhe kryesinë e degës. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.


Për mua, përcaktimi statutor duhet të vijë deri atëherë, kur ne të kemi mundur të plotësojmë kushtin e rigorozitetit, të përcaktimit të dokumentit, të qartë dhe të saktë të anëtarësisë së partisë, atëherë kemi plotësuar kushtin e parë dhe asgjë nuk pengon pastaj për të shkuar në votimin "një anëtar një votë".


Ne ende nuk kemi një dokument me të gjitha të dhënat, që të vërtetojë saktësisht numrin e anëtarësisë në parti. Siç bëmë me kartat e identitetit për qytetarët, partitë politike në Shqipëri, që të shkojnë në konceptin e votimit "një anëtar një votë", duhet të shkojnë me këtë dokument identifikimi të plotë, të qartë, rigoroz për anëtarësinë e partisë dhe pastaj mund të shkohet në votimin "një anëtar një votë".


A ka ndonjë rival të mundshëm deri më tani përballë Berishës për garën në zgjedhjen e lidershipit të Partisë Demokratike?


Unë nuk shoh rival të mundshëm. Megjithatë, gara është e hapur, por nuk shoh rival të mundshëm. Shoh disa arsye për këtë.


Partia Demokratike nën drejtimin e Berishës është fituese e zgjedhjeve për herë të dytë në Shqipëri, dhe një drejtues që e ka shpënë në fitore forcën e tij politike, nuk ka arsye të komentohet se mundet apo nuk mundet të mos vazhdojë të drejtojë partinë.


Partia Demokratike ka një numër të madh potencialesh njerëzore dhe shumica dërrmuese, më shumë se 90% e tyre, të këtyre emrave të spikatur në politikën e Partisë Demokratike që në fillimet e saj, ndër vite kanë qenë dhe oponentë politikë të Sali Berishës, sot janë nën drejtimin e Berishës dhe në drejtimin e punëve të vendit. Askush prej tyre s'është i penguar të garojë.


A duhet të ketë një riformatim të lidershipit të Partisë Demokratike dhe a do të jetë Kongresi i 14 dhjetorit që do ta bëjë këtë?


Natyrisht, në Kuvend për të gjitha postet gara është e hapur. Për kryetarin e partisë ka pasur raste që është votuar me një kandidaturë, është votuar me dy kandidatura. Kjo nuk ndodh vetëm në Partinë Demokratike. Ka ndodhur edhe në partitë e tjera politike shqiptare që të jetë votuar me një kandidaturë. Është edhe një praktikë evropiane, e Partive Popullore Evropiane.


Ndërsa, për nivelet e sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarit të partisë, në të gjitha Kuvendet që mbaj mend unë, gjithmonë është votuar me kandidatura alternative, besoj që përsëri do të shkohet me dy kandidatura alternative. Do të jetë Këshilli Kombëtar, cili me votën e tij përcakton këto nivele drejtuese.


Si i komentoni zhvillimet politike në vend, kur opozita po bojkoton Kuvendin dhe po proteston për hapjen e kutive të votimit, ndërsa mazhoranca nuk lëshon nga qëndrimi i saj për të mos i hapur kutitë me argumentin se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave?


Së pari, nuk gjej asnjë argument në pretendimet e tyre. Unë jam prej shumë vitesh në këtë Kuvend, në Shqipëri dhe nuk është pretenduar për të hapur dhe për të rinumëruar kutitë në vitin 1997 dhe në 2001, kur shkalla e manipulimit dhe raportet e ndërkombëtarëve i kanë nxirë zgjedhjet në Shqipëri.


Mazhoranca e sotme është një mazhorancë legjitime. PS-ja ankohet, por ka një aktor të tretë, një faktor të tretë, që i ka certifikuar zgjedhjet dhe unë nuk shoh asnjë argument.


Mbi 20 mijë përfaqësues të Partisë Socialiste kanë vëzhguar drejtpërdrejt procesin, kanë kontrolluar dhe monitoruar procesin, kanë firmosur, kanë vulosur deri edhe anëtarët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve; kanë vendosur rezultatin përfundimisht; gjykata ka vendosur rezultatin përfundimisht. Së pari, unë nuk gjej argumente.


Së dyti, e konsideroj këtë një lojë shumë të dëmshme për imazhin e Shqipërisë, një dëm që Partia Socialiste me këto veprime të rrugës vazhdon të mbajë imazhin e vendit në vlerësimet që bëjnë ndërkombëtarët.


Së treti, duke menduar se nuk ka asnjë argument tjetër, të gjitha analizat të shpien në atë se Edi Rama për interesa ngushtësisht individuale dhe për grupe të interesit rreth e qark tij, të grupeve të krimit mbi pronat dhe pasuritë. Interesat e Edi Ramës dhe të grupeve mafioze rreth e qark tij, janë ata që mbajnë peng dhe duan të mbajnë peng rezultatet e zgjedhjeve dhe rezultatet e qeverisjes së vendit.


Ndarja e posteve


Sekretariati organizativ duhet të merret vetëm me punët e partisë dhe të mos ketë angazhime të tjera. Sekretari mediatik duhet të jetë te partia. Një sekretariat që merret me burimet njerëzore, mund të jetë te partia i pangarkuar me detyra të tjera tek ekzekutivi.


Pra, këto gjykoj unë që janë të domosdoshme. Problemet e lidershipit tjetër, të niveleve të kryetarit, të sekretarit të përgjithshëm, të nënkryetarit të partisë, unë nuk gjykoj se ka vend që t'i ndajmë në funksione, sepse nuk ka arsye që disa potenciale të rëndësishme politike të shkojnë për të qeverisur dhe të jenë poli qeverisës i vendit dhe pastaj disa të tjerë të emërohen drejtues të partisë së nivelit më të lartë saj, duke qenë një pol tjetër që drejton te partia.


Parimi "një anëtar një votë"


Kjo varet nëse do të vendoset ose nuk do të vendoset në statut, nëse do të miratohet në statut. Nëse partia mendon se brenda katër viteve ka mundësinë t'i krijojë këto kushte, mund të vendoset në statut dhe mund të aplikohet, por duhet të presim të miratohet statuti i partisë dhe të vendosë Kuvendi për këtë çështje.


Përveçse në nivelet e seksioneve dhe grup-seksioneve, "një anëtar një votë" nuk është aplikuar as në nivelet e degëve, sepse edhe në degë ka delegatë të zgjedhur, që votojnë për kryetarin dhe kryesinë e degës. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.


"Në disa qarqe të tjera ku ka pasur probleme, që nuk janë arritur rezultatet e duhura ose janë arritur rezultate më të dobëta, sesa rezultatet e zgjedhjeve të 2007-ës apo 2005-ës"

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›