E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhihani: Kualifikimi? Prisni dhe 90 minuta

Nuk mund të shkonte më mirë për Besën ndeshja e parë e turit paraeleminator të Kupës Uefa me serbët e Bezanija. Një barazim 2-2 që i jep shansin e madh skuadrës kavajase të shkojë më shumë se sa e kish menduar, rrugën e saj në një kompeticion kaq të rëndësishëm europian. Në fjalën e tij sulmuesi dhe kapiteni i skuadrës Parid Xhihani menjëherë pas kthimit nga Beogradi është shprehur mjaft i kënaqur me lojën e skuadrës së tij dhe vecanërisht me rezultatin, i cili 90% favorizon Besën. "Ishte një ndeshje mjaft pozitive nga ana jonë, e cila në pjesën më të madhe të saj foli me gjuhën tonë, pavarësisht se luanim në fushën kundërshtare. Përballë kishim një kundërshtar që luante fot edhe pse nuk ishte më lart se ne. Madje mund të them se skuadra jonë ishte më kualitetive në lojë dhe individë. Gjithsesi kjo nuk na bën të jemi euforikë, pasi kemi dhe 90 minuta përpara, të cilat duhet t'i kalojmë me sukses të plotë".
Parid në Beograd arritët një rezultat që pakëkush e kishte menduar të suksesshëm për Besën. Mund të na thoni dicka më shumë për barazimin 2-2 të arritur ndaj Bezanijës?
Nuk mendoj se nuk mendohej një rezultat pozitiv nga skuadra jonë edhe pse mosbesimi për skuadrat shqiptare gjithnjë është prezent. Me atë që pashë në fushën e lojës ne jo vetëm që e merituam barazimin, por edhe mund të kishim marrë fitoren. Megjithatë edhe shifrat 2-2 na japin plotësisht të drejtën të jemi ne të kualifikuar për në turin e dytë.
Jeni i sigurtë se nuk do të gaboni në ndeshjen e ardhshme në fushën tuaj?
Sigurisht që jemi dhe nuk mund ta besojmë largimin kaq shpejt nga UEFA. Është e vërtetë që përpara është dhe një ndeshje, e cila mund të sjellë edhe të papritura, por do t'i marrim të gjitha masat për të mos bërë ndonjë hap të gabuar.
Pas ndeshjes së parë me dy golat e shënuar në fushën kundërshtare ju jeni të kualifikuar. Mendoni të ruani rezultatin apo të arrini fitoren përballë tifozerisë kavajase?
Patjetër që do të kërkojmë një rezultat pozitiv. Jo vetëm kaq por do të bëjmë maksimumin për të shënuar sa më shumë në portën kundërshtare. Është një rast i mirë për të treguar se Besa e meriton kualifikimin dhe se kualifikimi për në turin e dytë ndaj skuadrës serbe nuk mund të jetë rastësi.
Të rikthehemi pak tek ndeshja e ditës së enjte. Përse nuk shënoi Xhihani ashtu si në ndeshjet e kampionatit?
Golat i kam ruajtur për në ndeshjen e dytë. Nuk më shqetëson aspak një gjë e tillë, pasi e rëndësishme është që Besa hodhi një hap të sigurtë drejt kualifikimit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kisha dy raste, por preferova të shërbeja për shokët e mi dhe një gjë të tillë e bëra mjaft mirë në golin e dytë me shërbimin që i bëra Elokanit, i cili shënoi golin e barazimit. Mendoj se ai asist ishte njësoj si të shënoja unë.
"Gazeta Sporti"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›