Xhon F. Kenedi dhe vizioni i tij për Amerikën
Në më pak se 3 vjet si president, Xhon Kenedi i dha botës portretin e një Amerike të re, të një kombi me një vizion të gjerë, të gatshëm për të ndihmuar për zgjidhjen e problemeve edhe ruajtjen e paqes kudo. Lindon Xhonson, Gusht 1964
Xhon F. Kenedi (John F. Kennedy) lindi në një familje që do të dominonte shekullin e XX në jetën e Amerikës. Ai ishte i biri Xhozef Kenedit, një nga 16 njerëzit më të pasur të Amerikës të asaj kohe, përkrahës i fuqishëm i presidentit Frenklin Ruzvelt gjatë programit ekonomik të viteve 30-të. Xhon F. Kenedi lindi në një familje strikte ku prej secilit pritej të ishte i suksesshëm, ku që në fëmijëri mësoi të mos tërhiqej para vështirësive, ku të humburit që nuk kishin bërë maksimumin për të fituar nuk gëzonin simpati.
Familja Kenedi kishte nëntë fëmijë. Më i madhi i fëmijëve ishte Xho Kenedi, tek i cili i ati mbështeti shpresat fillimisht. Xhozef Kenedi nxiste garën midis fëmijëve dhe Xho ishte fitimtari. Të gjithë fëmijët shikonin nga Xho si nga një lider. Xhon Kenedi ishte fëmija i dytë dhe u rrit duke adhuruar vëllanë e tij më të madh. Ai përpiqej ta imitonte atë, të ecte në gjurmët e tij. Kudo ku shkonte Xho aty ishte edhe Xhoni. Atij i pëlqente të vraponte, të notonte, të luante bejsboll, futboll, të voziste e çdo gjë tjetër që bënte i vëllai i tij më i madh. Herë pas here prindërit inkurajonin diskutime për ngjarjet e kohës. Fëmijët e familjes Kenedi u rritën me pasionin për sportin dhe politikën.
Në 1937, presidenti Ruzvelt e emëroi Xhozef Kenedin ambasador të Shteteve të Bashkuara në Londër. Xhozef Kenedi ishte mik me kryeministrin anglez Çemberlein dhe me shumë të tjerë në kabinetin anglez. Ai i hapi djemve të tij derën e karrieres politike. Dy më të mëdhenjtë Xho dhe Xhonin i dërgoi nëpër Evropë për t’u njohur e për t’i raportuar atij në lidhje me situatën në prag të luftës. Xhon Kenedi shkoi me shërbim në Francë, Rusi, Gjermani, shtetet e Ballkanit, Palestinë dhe Itali. Ai pati rast të shihte nga afër artin e qeverisjes. Mësoi shumë nga ato që pa e që më pas influencuan në formimin e tij të ardhshëm. Xhon Kenedi i ri iu dha përfundimisht politikës.
Lufta e dytë botërore plasi në 1 Shtator 1939. Një ditë më pas ambasador Kenedi dërgoi djalin e tij 22 vjeçar në Glasgow, Skotland, të interesohej për amerikanët që kishin shpëtuar nga mbytja e anijes Athenia. Gjermanët kishin torpiduar pa asnjë lajmërim anijen angleze në të cilën ndodheshin mbi 1400 pasagjerë.
Kur Xhon Kenedi u kthye në Harvard shokët e tij studentë e shihnin me admirim. Ai kishte marrë pjesë në prologun e luftës botërore dhe qe ndodhur në qëndrën e ekplozionit botëror. Fokusi i Xhon Kenedit tani ishin shkencat politike. Ai vendosi të mbronte temën e disertacionit me fokus mbi gabimet në politiken e jashtme të Anglisë dhe të Shteteve të Evropës në prag të luftës botërore. Tema u konsiderua nga më të mirat e dorëzuara në universitetin e Harvardit. I ati krenar për punën e të birit, gjatë kësaj kohë mbante kontakte të vazhdueshme me të.
Ai i dha atij idenë që ta botonte disertacionin në formën e një libri. Xhoni pas një punë kërkimore shkencore doli me një botim në New York Times: “Pse fjeti Anglia?.” Xhon Kenedi në studimin e tij shtronte pyetjen nëse do të ishte e mundur për demokracitë të fitonin luftën pa u shëndruar në shtete totalitare. Libri i tij i vogël u bë shumë shpejt libri më i shitur në shkallë kombëtare.
Lufta në Evropë vazhdonte. Ushtria gjermane po përparonte në mënyrë të pandalshme. Franca ra. Anglia mezi mundi të shpëtojë mbeturinat e ushtrisë së saj në Dunkirk dhe ndodhej nën bombardimin ajror gjerman. Lufta në Evropë vazhdonte e hidhur dhe dukej se Amerika do të tërhiqej në konflikt nga momenti në moment. Ndërkohë, i vëllai, Xho Kenedi, la universitetin e Harvardit dhe u regjistrua në aviacionin naval.
Xhon Kenedi që kishte qenë shëndetlig gjithë kohën, nuk mundi ta kalonte dot ekzaminimin fizik dhe nuk u pranua në ushtri. Ai nuk u tërhoq por provoi përsëri duke shpresuar ta merrnin në marinën detare. Përsëri u refuzua për shkaqe shëndetësore. Refuzimi i dytë e bëri Xhon Kenedin edhe më të vendosur. Ai filloi ushtrimet fizike për tu fuqizuar dhe kjo e ndihmoi të fitonte. Xhon Kenedi kërkoi menjëherë t’i jepej detyrë luftarake. Në fillim të vitit 1943 ai u dërgua në ishujt Solomon në Pacifikun e jugut në komandën e PT 109.
PT 109 ndërmori me sukses rreth 30 sulme kundër anijeve japoneze deri në mëngjesin e 2 gushtit të vitit 1943 kur gjatë patrullimit u godit nga një destrojer japonez dhe shpërtheu në flakë. Dy vetë nga personeli i anijes u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjerë u plagosën e po luftonin për jetën. PT 109 e shkatërruar u mbyt. Xhon Kenedi mundi t’i shpëtojë shokët duke i nxjerrë në një ishull të braktisur duke notuar në një largësi prej tre mile e gjysëm. Për heroizmin e tij Xhon Kenedi u nderua me medalje. Dikush e pyeti se si u bë hero. Ai u përgjigj: “Shumë thjesht, anija jonë u godit nga japonezët.” Heroizmi i tij për shpëtimin e shokëve të tij të luftës u bë frymëzim për filmin artistik me titull “PT 109″.
Për cilindo detyrimi ushtarak mbyllej aty, por me Xhon Kenedin ndodhi e kundërta. Lufta nuk kishte mbaruar dhe ai kërkoi të kthehej sërish në detyrën luftarake edhe pse në kushte shëndetësore të pafavorshme. U kthye përsëri në detyrë në Pacifik. Në pranverën e vitit 1944 u detyrua t’i nënshtrohej një operacioni në shtyllën kurrizore. Atë fundjavë që po linte spitalin, në Gusht 44, i erdhi lajmi që vëllai i tij i madh, Xho, ishte vrarë duke fluturuar mbi Belgjikë në një mision luftarak. Avioni i ngarkuar me eksplozion kishte shpërthyer para se të arrinte objektivin dhe trupi i Xho Kenedit dhe ndihmësit të tij nuk u gjetën kurrë. Xhon Kenedi u mpi. Xho kishte luftuar e fituar beteje pas beteje. Xho-ishte ideali i tij. Ishte ai në gjurmët e të cilit Xhon Kenedi kishte ecur që në fëmijëri. Xho ishte lider, ishte ai tek i cili familja kishte mbështetur shumë shpresa.
Pas vdekjes se Xho-s ai vend u hap për Xhon Kenedin.
Xhon Kenedi ishte vetëm 29 vjeç kur zuri vendin e tij në kongresin amerikan. Ende me portretin e studentit të Harvardit, Xhon Kenedi ishte tashmë veteran i luftës se dytë botërore, i nderuar për heroizëm. Si gjithë përfaqësuesit më të rinj në qeverinë amerikane, ai provoi anën emocionuese të detyrës se tij dhe nga ana tjetër edhe përgjegjësinë e madhe të votës. Xhon Kenedi ruajti mendimin e tij të pavarur edhe atëherë kur ai binte ndesh me atë të përfaqësuesve më të vjetër. Në një fjalim të tij ai do të shprehej që “Kushtetuta na ka bërë partnerë për progresin e jo rivalë për pushtet.”
Xhon Kenedi besonte thellësisht në rëndësinë e aktivizimit në jetën politike i pëlqente shumë edhe thënia e Edmund Burkes: “E vetmja gjë që i hap udhë triumfit të së keqes është pasiviteti i njerëzve të mirë”
Vetëbesimi se ai mund të bënte më shumë, se mund të merrte përgjegjësi edhe më të mëdha qe rritur. Ai kishte përvojën, gjallërinë, vendosmërinë dhe një shpirt të ri. Në 1952 Xhon Kenedi vuri kandidaturën për senator.
Si senator ai u bë një nga figurat më prominente të partisë demokratike. I pjekur si politikan Kenedi ishte gati për testime të reja më të vështira dhe ai moment erdhi.
Në 20 Janar 1961 në një ditë të ftohtë me një erë të akullt, veshur vetëm me kostum, Xhon Kenedi presidenti më i ri në historinë e SHBA, mbante fjalën e inaugurimit. Ishte një fjalim i bukur, elokuent, por mbi të gjitha ishte një fjalim që mbeti i paharruar për vizionin e ri që shpaloste. Ishte një betim për paqen në botë dhe premtim pasionant për progresin amerikan. Ai shpalli përpara Amerikës dhe të gjithë botës se tashmë pishtari kishte kaluar në duart