Besa Krasniqi: Ndjenja fatkeqe më solli fat

Falë një spektakli televiziv, ka arritur të ngjitet shpejt në majat e suksesit. Bëhet fjalë për Besa Krasniqin e cila më parë ngjiste pasarelat më të famshme të Evropës. Por tashmë, çdo gjë ka marrë drejtim tjetër në jetën e saj. Ajo ka vendosur t’i përkushtohet njëqind për qind muzikës. Gjatë një bisede telefonike me Besa Krasniqin, këngëtarja tregon se muzikën e ka me shumë pasion, e cila i dedikohet zhanrit të muzikës së lehtë dhe pop, duke prekur tema të ndryshme shoqërore dhe çështje që u përkasin të rinjve të moshës së saj. Viti 2008 është kryesor për Besa Krasniqin, e cila po përgatitet për albumin e saj të tretë, në gjuhën angleze.
Tani zëri i saj është bërë tërheqës jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë adhuruesit dhe njohësit e muzikës në Suedi. Këngëtarja e re, Besa, nuk e llogarit më se suksesi i saj më i madh ishte vendi e parë në festivalin muzikor të talenteve të rinj në Karlskrona të Suedisë, por ajo e pranon se ky ishte çelësi i suksesit, sepse aty nuk i shpëtoi syrit të producentit të shtëpisë muzikore më të njohur në Suedi, “Pama Records, Maxe Axelsson”. Pas paraqitjes brilante që pati në garën e talenteve të rinj për katër javë me radhë, kulmi ishte nata finale, ku këngëtarja e re arriti të triumfonte. Por suksesi ishte i dyfishtë, sepse në mesin e anëtarëve të jurisë ishte dhe Maxe Axelsson, shefi i shtëpisë së njohur muzikore në Skandinavi, “Pama Records”. Pas dy albumeve më të hershëm, Besa Krasniqi tani është paraqitur me siglën e saj, e cila ka dy këngë që zgjodhi t’i publikonte në gjuhën angleze. Këngët titullohen “Hey DJ” dhe “Yes I’m sure”. Kompozitorët e saj suedezë janë Fredrik Jonsson dhe Tomas Karlson. Ndërsa me kompozitor shqiptar bashkëpunon me Alfred Kaçinarin, i cili i ka kompozuar këngën “Teen Sensation”, në gjuhën angleze, por me ritme shqiptare. Kënga është prezantuar me videoklip në të dyja gjuhët. Tekstin e kësaj kënge e ka bërë Demir Gjergji. Ndërkaq, përveç paraqitjeve te suksesshme në Skandinavi, Besa ka qenë pjesëmarrëse për dy vjet rresht në festivalin “Polifest” në Kosovë, ku ka fituar edhe çmimin e tretë. “Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua, duke qenë e pranishme në një garë, ku jam përballur me bashkëmoshatarë nga të gjitha trevat shqiptare”, shprehet këngëtarja e sapozbuluar. Për sa i takon talentit dhe paraqitjes së saj skenike, gjatë gjithë javës ka qenë e ftuar speciale në të gjitha mediat në Suedi. Është pikërisht jehona mediatike, që i ka ngjitur edhe nofkën “Ylli i Kosovës” (Kosova stjärna). Gjatë kësaj vere, Besa do të nisë një turne muzikor për të prezantuar edhe këngët e saj më të reja, që për momentin kërkon t’i lërë surprizë. Edhe pse ndjek studimet në shkollën e muzikës, për piano, ajo rrëfen se ka kënduar që në vegjëli. Kështu që me të ardhur momenti i famës që i dha spektakli, formati i të cilit është i ngjashëm me “Ethet...”, karriera e saj po ecën vaj. Këngët e saj janë të publikuara në tri gjuhë: shqip suedisht dhe anglisht, për t’i mbledhur bashkë në një album në fund të vitit. Një tjetër pasion i saj është edhe vallëzimi, një plus më shumë në performancat e shkëlqyera skenike. Albumin e parë në shqip me titull “Hëna e di lojën”, Besa Krasniqi e përfundon në moshën 10-vjeçare. Ky album është edituar nga shtëpia botuese diskografike “Labia,” e cila është njohur në Kosovë. Dy vite më pas ajo nxjerr albumin e dytë në shqip me titull, “Fluturat në erë”, incizuar në studion “Falks”. Pavarësisht nga niveli i suksesit në një moshë shumë të re, Besa Krasniqi shprehet në një intervistë me “Diaspora Live”, se ajo dëshiron të jetë e mirë për njerëzit dhe i jep rëndësi mirësjelljes, edukatës dhe pasurimit shpirtëror.