E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “Humbja skandaloze e PS”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Pëllumb Xhufi në një intervistë për “Ballkan” ka shpjeguar arsyet e humbjes së zgjedhjeve nga LSI në komunën e Kasharit, faktorët që ndikuan në këtë humbje, si dhe arritjen e partisë së tij si forcë e dytë në këto zgjedhje. Xhufi gjithashtu ka komentuar dhe vendimin e fundit që ka marrë Senati Akademik i Universitetit të Vlorës për heqjen e emrit të “Ismail Qemalit” këtij universiteti.

Kanë përfunduar zgjedhjet për Komunën e Kasharit, ku LSI ka dalë forca e dytë në këto zgjedhje dhe PS vetëm forca e katërt, çfarë tregon kjo? A është një sinjal për zgjedhjet e 2009 se LSI do të jetë forca e parë e majtë?

“Zgjedhjet në Kashar, përsa i përket LSI-së, mund të konsiderohen të kënaqshme, ne dolëm forca e dytë në mënyrë bindëse. Natyrisht do të kishim preferuar që të ishim fitues edhe kjo ishte e mundur, por natyrisht që pushteti i Sali Berishës ishte dje i gjithi në Kashar, me ministrat e Thesarit, e Financave, e Ekonomisë, e Rrugëve dhe Transporteve, atë të Bujqësisë të gjithë ata që kishin shkuar me thesin, qoftë plot apo bosh, me premtime për ndryshime radikale dhe fenomenale në këtë komunë. Kjo pati natyrisht rolin e vet, prezenca masive, me ministra, me bodiguard, me polici, me administratorë, nënpunës të shtetit. Drejtori i Ujësjellësit që, s e kuptoj se ç kishte të bënte në atë rast dhe atë komunë. Kjo është njëra arsye. Arsyeja tjetër, natyrisht e humbjes së të majtës, është qëndrimi fare arrogant i lidershipit të PS-së, i cili komunën e Kasharit do të duhej ta kishte lënë një kandidaturë të përbashkët të së majtës. Dua të kujtoj që LSI vetëm pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar ka mbështetur kandidaturat e PS-së në katër palë zgjedhje, në Shijak, Pogradec, Paskuqan, apo në njësin Nr.9 Bashkiake ku kandidonte Luan Zhegu deputet, dhe i kemi mbështetur me luajalitet dhe një angazhim të jashtëzakonshëm të njerzëve tanë më të mirë. Në këtë rast, në Kashar, do të ishte e mira të dilej me një kandidat të përbashkët dhe me një fytyrë ndryshe, sepse e majta ka qeverisur në këtë komunë dhe tre mandatet e kaluara, por ka qeverisur keq, dhe ish-kryetarët e kësajë komune janë me procese penale. Nga ana tjetër, ne gjykojmë se zgjedhjet në Kashar janë dhe pasqyra e ndjenjave brenda se majtës, e pakënaqsisë që është e dukshme, si rezultat i politikave të ashtëquajtura të reja, të cilat kanë zgjedhur një aleat të paprincip, të papranueshëm për elektoratin e majtë, atë të PS me PD, për ligjin elektoral, për të masakruar Kushtetutën dhe për të konsoliduar pushtetin e Sali Berishës, duke i vënë zgjedhjet e ardhshme në një pikëpyetje të madhe. Unë jam i bindur që kjo politikë e paprinciptë dhe që synon në fund të fundit, krijimin e një bipolarizmi politik, pushtetin e dy partive, ose të themi më mirë të dy individëve, dy kryetarëve, Ramës dhe Berishës, kjo politikë tashmë është e dështuar. Të gjitha lëvizjet që janë bërë kohët e fundit, në reforma, Kushtetutë, përfshi dhe reformën elektorale, kanë pasur si synim pikërisht këtë qëllim: të ngrenë një sistem bipartiak në Shqipëri, duke eliminuar forcat e tjera politike. Rezultati i saj u shpreh në një masë të madhe dhe në zgjedhjet e Kasharit ku PS-ja, siç u pa, ishte e fundit në mënyrën më skandaloze, siç nuk ka ndodhë asnjëherë, kjo natyrisht që nuk lidhet aspak me personin, kandidatin e PS-së, por me politikën që forca që e mbështeti ka aplikuar këto muajt e fundit”.

Plarent Shehu

Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›