E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati në UNESCO pa muze historik

Autori i Lajmit: red.
Berati është një qytet i vizitueshëm për arkitekturën e veçantë të tij, për monumentet e shumtë të kulturës që gjenden pothuajse të gjithë në lagjet e tij historike, për Muzeun Onufri, ku ka një koleksion të çmuar ikonash, të cilat datojnë që nga shekulli XVI, për Muzeun Etnografik, për pozicionin gjeografik dhe thyerjet e çuditshme të relievit në dy anët e lumit Osum.
Aktualisht qytetit të Beratit i mungon muzeu historik.
Berati, një qytet historik, nuk ka muze historik!?
Vizitorët vendas dhe të huaj, ndërsa vizitojnë qendrën historike të Beratit, pra Mangalemin, Kalanë dhe Goricën etj. pyesin se ku është Muzeu Historik i Beratit. Kur u thua se Berati nuk ka muze historik, nuk e besojnë. Si mundet që një qytet me kaq lagje të vjetra të mos e ketë muzeun historik?! Natyrisht, Berati e ka patur muzeun e tij. Ky muze, në kundërshtim me ligjin iu kthye pronarit. Ndonëse iu dërgua edhe një letër Ministrit të Kulturës të asaj kohe nga këshilli i bashkisë Berat ( Bëhet fjalë për vitin 1998), askush nuk e vuri ujin në zjarr. Dhe Berati mbeti pa kujtesë. Mjaft dokumenta me vlerë humbën, ose u vodhën nga zyrtarë të pandërgjegjshëm. Muzeu kishte edhe pjesën e tij të politizuar, por dokumentat me vlerë të Luftës së Dytë Botërore mund të riklasifikoheshin në pikpamje historike, duke u zhveshur nga ngarkesat ideologjike. Në muzeun e dikurshëm gjendej pavioni i historikut të arsimit në Berat dhe trevat e tij. Aty gjendeshin mjaft dokumente dhe eksponantë unikalë të figurave të shkollës shqipe. Sot nuk dihet se ku ndodhen ato dokumenta dhe eksponantë me vlera. Nxënësit, brezat e rinj, vizitorët nuk mund të njihen me përpjekjet e mëdha të atdhetarëve të Beratit për shkollën shqipe. Po kështu flitet për një qytetërim 2004 vjeçar të pandërprerë, por mungojnë dokumentat e dëshmisë së këtij qytetërimi. Në arkivat e Vatikanit dhe qyteteve të tjerë të Italisë, në arkivat e Greqisë dhe të shteteve të tjerë të rajonit pa dyshim që ka dokumenta ku flitet për Beratin, marrëdhëniet e tij me këto qytete e shtete, por varfëria materiale dhe mendore ka bërë që dëshmitë e qytetërimit të Beratit të mos njihen as nga banorët vendas, as nga vizitorët. Gjatë kësaj kohe muzeu në Berat egziston vetëm në letër. Pushteti lokal ka akorduar miliona për spektakle vulgarë me këngëtare bullgarë, por nuk ka dhënë asnjë lek për të pasuruar, zbuluar historinë e Beratit që fle e fshehur në arkiva brenda dhe jashtë vendit. Ka mjaft gropa në historinë e qytetit tonë, të cilat lipset të studjohen. Studjuesit nuk mungojnë. Nëse do të akordohen fonde për të ndriçuar këto pjesë të errëta të historisë, atëherë do t u lëmë brezave një pasuri të paçmuar. Atëherë mund të flasim për turizëm kulturor dhe historik në Berat. Berati duhet të ketë muzeun historik. Ky muze mund të vendoset në një nga shtëpitë me arkitekturë karakteristike të Kalasë, pranë Muzeut Onufri. Madje edhe Muzeu Etnografik mund të zhvendoset pikërisht në këtë lagje, duke formuar kompleksin muzeal të qytetit të Beratit.

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›