Yjet që nuk e fituan kurrë “Topin e Artë”
Ai llogaritet si zemra e përfaqësueses së Spanjës. E udhëhoqi "furinë e kuqe" drejt titullit të botës. Për herë të dytë u nominua për futbollistin më të mirë të vitit, por mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, sërish mbeti duarthatë. Ai mbeti i dëshpëruar, sikur edhe bashkëlojtari i tij në Barcelonë dhe në Spanjë, Andres Injesta. Të hënën, lojtari më i mirë i vitit u shpall argjentinasi Lionel Mesi, për të cilin ishte hera e dytë radhazi që merr këtë çmim. Ksavi ndoshta humbi rastin e fundit për të fituar trofeun e më të mirit. Por, ai nuk është ylli i vetëm, që kurrë në karrierë nuk është shpallur më i miri, shkruan “SportBild”.
Çmimi për më të mirin e vitit 2010, për herë të parë është dhënë nga “France Football” së bashku me FIFA-n. Fillimisht çmimi jepej për lojtarin më të mirë në gjithë botën, por kur FIFA nisi të jepte një çmim të tillë më 1991, atëherë "France Football" shpërbleu më të mirin e Europës. Të paktën deri një vit më parë.
Paolo Maldini
Futbollisti legjendar i Italisë dhe njëri prej mbrojtësve më të mirë në histori, Paolo Maldini, asnjëherë nuk u shpall më i miri i botës. Ai zuri vendin e dytë në vitin 1995. Maldini mban rekordin për paraqitje me përfaqësuesen e Italisë dhe po ashtu është edhe ikonë e Milanit, skuadër tek e cila qëndroi gjatë gjithë karrierës. Gjatë karrierës, Maldini me Milanin fitoi shtatë herë titullin, një herë Kupën e Italisë, pesë herë Superkupën e Italisë, pesë herë Ligën e Kampionëve, pesë herë Superkupën e Europës, dy herë Kupën Interkontinentale dhe një herë Botërorin e klubeve.
Tierri Henri
Sulmuesi francez, Tierri Henri kishte fituar me Francën titullin e botës në vitin 1998 dhe atë të Europës në vitin 2000. Ai vlerësohej si sulmuesi më i mirë në botë, por "Topin e Artë" nuk e fitoi kurrë. Henri përfundoi në vendin e dytë dy herë: në vitin 2003 dhe 2004. Te Arsenali, ai la gjurmë dhe ende mban rekordin e golave te "topçinjtë", me 174 gola në 254 ndeshje.
Oliver Kahn
Portieri legjendar gjerman, Oliver Kahn, në vitin 2002, pas një Botërori fenomenal dhe një vit pas triumfit në Ligën e Kampionëve, ishte kandidat për të fituar "Topin e Artë", por ai përfundoi i treti atë vit, pas Ronaldos dhe Roberto Karlosit, ndërsa një vit më parë ishte renditur po i treti pas Majkëll Ouenit dhe Raulit.
Raul Gonzalez
Ikona e Real Madridit, Raul Gonzalez, në vitin 2002, me skuadrën madrilene e fitoi Ligën e Kampionëve. Raul vlerësohet ndër sulmuesit më të mirë të dekadës së fundit dhe mban njëherësh edhe rekordin për gola të shënuar në Ligën e Kampionëve. Por, në zgjedhjen për futbollistin e vitit më 2001, përfundoi vetëm në vendin e dytë. Raul tani është pjesë e skuadrës gjermane Shalke 04 dhe mbetet një yll tjetër, që nuk ka fituar çmimin më të madh individual.
Zhyst Fonten
Sulmuesi i madh franceze, Zhyst Fonten, në vitin 1958 ishte nominuar për "Ballon d'Or", por ai përfundoi vetëm në vendin e tretë. Fontaine në Botërorin 1958 shënoi 13 gola dhe ende mban rekordin për gola të shënuar brenda një botërori.
Bernd Shuster
Bernd Shuster, një yll në Real Madrid dhe Barcelonë, tri herë ishte në mesin e tre kandidatëve për "Topin e Artë", por nuk e fitoi këtë trofe kurrë. Kolegu i tij i mëvonshëm te Bajer Leverkusen dhe kampioni i botës, Rudi Fëler, nuk ishte nominuar kurrë.
David Bekham
Mesfushori anglez, David Bekham, dy herë është nominuar për "Topin e Artë", në vitin 1999 dhe 2001, por në të dyja rastet ai përfundoi i dyti. Në vitin 1999, Bekham me Mançester Junajtid fitoi tre trofetë e mundshme, por kjo nuk mjaftoi.
Uvi Seler
Ish-lojtari i Gjermanisë dhe legjenda e Hamburgut, Uvi Seler, në luftë për "Topin e Artë" në vitin 1960, përfundoi në vendin e tretë. Ai ndonëse vlerësohet njëri prej sulmuesve legjendarë të "pancerave", prapë nuk u shpërblye me një çmim individual.
Samuel Eto'o
Sulmuesi kamerunas, Samuel Eto'o fitoi gjashtë trofetë e mundshme me Barcelonën në stinorin 2008/09 dhe po ashtu fitoi edhe katër trofe me Interin në sezonin e fundit: Ligën e Kampionëve, Serie A, Kupën e Italisë dhe Botërorin e klubeve. Por, kjo nuk i mjaftoi kamerunasit që të shpallej lojtari më i mirë i vitit në botë.
Dino Xof
Portieri legjendar italian, Dino Xof, kurrë nuk fitoi trofeun më të madh individual. Ai ishte kandidat në vitin 1973, por përfundoi në vendin e dytë prapa legjendës Johan Krujf.
Roberto Carlos
Mbrojtësi i majtë brazilian Roberto Karlos, në vitin 2002 fitoi titullin e botës me Brazilin. Po ashtu ishte pjesë e sukseseve të mëdha të Real Madridit, mirëpo ai kurrë nuk fitoi "Topin e Artë". Më 1997 përfundoi në vendin e dytë.
Ferenc Pushkash
Legjenda hungareze dhe supergaylli i Botërorit 1954, Ferenc Puskash, nuk fitoi asnjëherë "Topin e Artë". Ai përfundoi në pozitën e dytë në zgjedhjen e vitit 1960, para Uvi Selerit dhe spanjollit Luiz Suarez.
Denis Bergkamp
Holandezi Denis Bergkamp në fillim të viteve ‘90 vlerësohej si njëri prej sulmuesve më të mirë në botë. Por, ai nuk mori ndonjë çmim për këtë. Në vitin 1993 ishte në mesin e tre më të mirëve, por trofeun nuk e fitoi.
Geri Lineker
Geri Lineker shënoi 48 gola, në 80 ndeshje, për Anglinë në vitet ‘80 dhe ‘90. Ai është shënuesi i dytë më i mirë në histori të "albionëve", pas Boby Çarltonit (49 gola). Mirëpo, nuk fitoi kurrë "Topin e Artë". Në vitin 1991 përfundoi në vendin e tretë prapa Lotar Mateusit dhe Zhean-Pier Papenit.
Diego Armando Maradona
Padyshim lojtari më i madh i historisë (ose i dyti pas Pele, debati për këtë çështje nuk do të mbarojë kurrë). Argjentinasi që fitoi Kupën e Botës në vitin 1986 dhe që i dhuroi kampionatin italian Napolit, jo vetëm që nuk e ka fituar çmimin për lojtarin më të mirë të planetit, por as që është nominuar ndonjëherë në tre finalistët. Diçka e rëndë për një yll të jashtëzakonshëm si ai, që ka shënuar dy golat ekstremë, atë më të keqin dhe më të mrekullueshmin brenda një ndeshjeje të vetme, kundër Anglisë në Botërorin e vitit 1986. Por, siç duket, ajo që e ka ndëshkuar Maradonën ka qenë jeta e tij jashtë fushave, e lidhur ngushtë me drogën dhe mafian.