E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë mbledhin fonde për restaurimin e Memorialit të Rilindësve

SHKRUAN: Bledar Shehu 15-01-2011 11:17

Një grup të rinjsh të qytetit të Gjirokastrës kanë marrë iniciativën për restaurimin e Memorialit të Rilindësve në qytetin e gurtë. Bëhet fjalë për nismën e 100 të rinjve gjirokastritë për të restauruar varret e pesë rilindësve: Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri dhe Andon Zako Çajupi, që ndodhen në një kodër në hyrje të qytetit. Pjesë e këtij memoriali është edhe një piedestal i gurtë në nderim të veprës dhe kontributit të patriotëve gjirokastritë. “Duke parë indiferencën që po tregohet në lidhje me përkujdesjen karshi këtij memoriali, ne vendosëm që të ndërmarrin një iniciativë për mbledhjen e fondeve dhe për restaurimin e varreve të rilindësve dhe patriotëve gjirokastritë”, thotë i riu Albi Koçi, një prej pjesëtarëve të kësaj nisme.

Ky kompleks është ngritur në vitin 1978. Në këtë vit u restauruan varret e Bajo Topullit, eshtrat e të cilit ishin vendosur në këtë vend në vitin 1936 dhe varri i Çerçiz Topullit, eshtrat e të cilit u rivarrosën në vendlindje po në këtë vend në vitin 1937, pasi u sollën nga Fusha e Shtoit në Shkodër. Gjatë ndërtimit të këtij kompleksi historik, 30 vjet më parë, varreve të dy vëllezërve Topulli do t’u shtoheshin edhe varret e patriotëve dhe rilindësve A. Z. Çajupi, K. Hoxhi dhe P. Sotiri. Pjesë e këtij kompleksi ishte edhe një piedestal i ndërtuar me gur, në krye të të cilit qëndronte simbolikisht një shqiponjë e derdhur në bronz. Aktualisht, 30 vite pas ndërtimit të tij, ky kompleks paraqitet tërësisht i harruar nga investimet, për mirëmbajtjen dhe restaurimin e tij. Varret e pesë rilindësve dhe patriotëve janë gjysmë të rrënuar, ndërkohë që nuk arrijnë të identifikohen, pasi u mungojnë edhe emrat e tyre. Shqiponja mbi piedestalin e gurtë është e shkatërruar, ndërkohë që mjaft prej shkallareve të gurta janë thyer. Mungesa e investimeve për mirëmbajtjen dhe restaurimin e tij ka bërë që Kodra e Rilindësve të jetë tashmë e harruar për vizitorët.

Grupi i 100 të rinjve gjirokastritë do të ndërmarrë një fushatë për mbledhjen e fondeve dhe më pas do të nisë punën për restaurimin e këtij memoriali. “Ne nuk mund të lejojmë që ky simbol i shqiptarizmës në Gjirokastër të shkatërrohet, por do të punojmë për restaurimin e tij”, pohon i riu A. Koçi. Të rinjtë synojnë që restaurimi i Memorialit të Rilindësve të përfundojë në muajin mars 2011, në kuadër edhe të 103-vjetorit të Luftës së Mashkullorës. Përpara disa javësh ishte Forumi i Intelektualëve për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës, i cili nëpërmjet një peticioni dërguar presidentit Bamir Topi kërkonte ndërhyrjen e tij për restaurimin e Memorialit të Rilindësve në qytetin e Gjirokastrës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›