Ylber Islami, kandidat i VV-së për Fushë Kosovën

Sot, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Fushë Kosovë shpalli kandidatin e sajë për zgjedhjet e 3 nëntorit. VV-ja e ka emëruar Ylber Islamin si kandidatë të sajin.
Ditën e diele, më 25 gusht, anëtarët e 12 pikave të Lëvizjes në Fushë Kosovë kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune, sipas parimit një anëtar një votë. Rezultatet paraprake janë shpallur qysh ditën e dielë. “Pas pritjes 24 orëshe, pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Andaj, ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lirë dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të shprehur në statutin dhe rregulloren për zgjedhjet e brendshme në VETËVENDOSJE!. Sot, shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidat për Kryetar të Komunës së anës, z. Ylber Islami, i cili ka fituar 91.45% të votave”, tha Alket Zeqiri nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
Kandidati Ylber Islami falënderoi aktivistët e kësaj qendre për besimin që ia kanë dhënë, duke shtuar se për ndryshimin e gjendjes në Fushë Kosovë, duhet angazhim i gjithësecilit. “Përveç keqqeverisjes e keqmenaxhimit, pushtetarët në Fushë Kosovë janë angazhuar që ta disciplinojnë opozitën. Në Fushë Kosovë, fatkeqësisht, asnjëherë nuk ka pasur opozitë. Rrjedhimisht, asnjëherë nuk është artikuluar zëri i qytetarëve. ”, tha Islami. Ai shtoi se kësaj radhe, qytetarët e Fushë Kosovës me Lëvizjen VETËVENDOSJE! kanë një alternativë politike të qartë. “Bashkë mund t’ia dalim! Guximi qytetar për ndryshime është më i domosdoshëm se kurrë. Unë do t’i shkoj deri në fund luftës sime politike pa marrë, parasysh pasojat”, theksoi në fund kandidati për Kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Ylber Islami.
Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, përgëzoi aktivistët e Fushë Kosovës për zgjedhjet e brendshme që kanë mbajtur, dukë dëshmuar edhe njëherë nivelin e lartë të demokracisë brenda Lëvizjes. “Ylber Islami ka lindur në Fushë Kosovë më 20 qershor të vitit 1970. Si student i dalluar në Fakuletin e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe, ka diplomuar me notën mesatare 9,12. Gjashtë vjet ka punuar si profesor në shkollën e mesme të tregtisë, hotelierisë dhe turizmit “7 Shtatori” në Prishtinë. E më pas, për dhjetë vjet ka punuar në mediet e shkruara si gazetar, redaktor, redaktor gjuhësor-lektor. Në periudhën e paraluftës ka qenë shumë i angazhuar në aktivitete politike siç janë organizimi i mbajtjes së referendumit, organizimi i mësimit nëpër shtëpi, etj”, tha Kurti, përderisa po fliste për kandidatin.
Duke folur për komunën e Fushë Kosovës, Kurti tha se përveç moszhvillimit e mjerimit social, kjo komunë është ndëshkuar edhe përmes procesit të decentralizimit mbi baza etnike, që kishte për qëllim krijimin e komunave me shumicë serbe. Fushë Kosovës i janë marr fshatrat Batusë dhe Uglarë, ku në këtë të fundit janë shumë aktive edhe sot strukturat ilegale kriminale të Beogradit. /Indeksonline/