Prishtina zotohet për lirimin e hapësirave publike

Nga e hëna me datë 26 gusht, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Inspekcioni, ka filluar zbatimin e Vendimit 01.nr.031-125588 për ndalimin e ekspozimit të mallit jashtë lokaleve afariste dhe në sipërfaqe publike, të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, më date 13.07. 2013.
Vendim i cili ndalon cdo ekspozim të mallit në sipërfaqe publike, para lokaleve, në trotuare, rrugë, sheshe etj, në territorin e Komunës së Prishtinës, pa leje të organit kompetent.
“Për zbatimin e këtij Vendimi do të përkujdesën inspektorët komunal, sanitarë dhe ata të mjedisit, si dhe Policia e Kosovës. Tregtia dhe shitja e mallrave ushqimore në hapësira publike, trotuare, rrugë, sheshe etj është e ndaluar, dhe paraqet edhe rrezik për shëndetin e qytetarëve”. Thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.
Çdo mall ushqimor dhe jo ushqimor, reklamë, objekt lëvizës, objekt statik që ndeshet nga inspektorët në hapësira publike, rrugë, trotuare, sheshe etj, pa paralajmërim, sipas Komunës, do të konfiskohet nga inspektorët, dhe do të pasojnë gjobat.
“Malli ushqimor i konfiskuar nëse nuk paguhet gjoba dhe nuk tërhiqet brenda afatit 24 orë do të asgjësohet, ndërkaq mallrat tjera që afati i qëndrueshmërisë është më i gjatë duhet të paguhet gjoba dhe të tërhiqet brenda 30 ditëve, pas këtij afati malli i konfiskuar do të shitet sipas ligjeve në fuqi”.
Njëkohësisht, Komuna e Prishtinës, ka premtuar se organet gjegjëse, do t’i shqyrtojnë me kujdes kërkesat e pranuara, dhe në ato lokacione dhe hapësira ku mund të plotësohen kushtet e parapara higjeniko-sanitare, dhe ku nuk pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve do të lëshohen leje të përkohshme.
“Shitësit ambulatorë dhe tregtarët që kanë tregtuar në afërsi të tregjeve dhe pranë tyre, veprimtarinë mund ta ushtrojnë brenda tregjeve në lagjen “Ulpianë” dhe “Tregun e Gjelbër”, ku ka vend të mjaftueshëm dhe stenda të lira. Ndërkaq, shitësit e druve, thëngjillit dhe gëlqeres, mund të tregtojnë në lokacionin e përcaktuar për këtë destinim në lagjen “Gallapi”, tek ”Fusha e Pajtimit’”. /Indeksonline/