E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pepo vlerësohet me çmim të parë në Rusi

RUSI- Filmi dokumentar shqiptar "Mbretëresha e katrorëve" ësh të shpallur më i miri në Festivalin Ndërkombëtar të Kine masë sportive në Rusi. Në dhjetëditëshin e parë të korrikut u mbajt edicioni i katërt i këtij aktiviteti të rëndësishëm ku filmi ynë u shfaq si premierë botërore. "Mbretëresha e Katrorëve" është një vepër e regjisorit Ylli Pepo, "Artist i Merituar", e me skenar të komentatorit dhe gazetarit të shquar sportiv Ahmet Shqarri. Ai është xhiruar nga operatori i njohur Xhemal Reci ndërsa montazhi është bërë nga mjeshtri i talentuar Gjergj Pano.

Këtë vit organizatorët zgjodhën një nga qytetet me të veçanta të Rusisë, Jakutskun në verilindjen e largët. Vetëm 300 km larg rrethit polar, Jakutsku me 300 mijë banorë, është qyteti më i ftohtë i botës dhe njëkohësisht qyteti më verior i globit. Qendra më e madhe në tokë për prodhimin e diamanteve dhe të gazit organizoi me mbështetjen e shoqërisë "Rosneft" aktivitetit. Qëllimi i Festivalit ishte përhapja e të gjitha sporteve nëpërmjet artit të shtatë, lidhjet e filmit me kulturën fizike dhe jetën e shëndetshme të njeriut si edhe stimulimin e zhvillimit të kinemasë artistike e dokumentarëve sportivë. Festivale të tillë tërheqin vazhdimisht kureshtjen e publikut. Kështu ndodhi edhe në Jakutsk ku për katër ditë dhe net me radhë kinematë e qytetit ishin përplot me spektatorë. Filmi shqiptar u ndoq me interes të madh, edhe sepse tregonte për shahun, një temë shumë e dashur e këtyre trevave të largëta të botës, ku shahu sot ka hyrë edhe si lëndë mësimore, e detyrueshme në shkolla. Veçanërisht tërheqëse për ta, ishin skenat ku shfaqej Mikail Gorbaçovi, një ndër figurat më të mëdha politike të shekullit të kaluar, sot president nderi i "Fidës" - Federates Ndërkombëtare të Shahut. 

Në qendër të filmit të Ylli Pepos dhe Ahmet Shqarrit është matci për titullin botëror të shahut për femra, që u zhvillua në Tiranë, ndoshta eventi më i madh ndërkombëtar sportiv që është mbajtur në Shqipëri. Gjatë netëve të Festivalit të Jakutskut u panë më shumë se 150 filma, të seleksionuar nga 25 vende të botës dhe 50 rajone të Rusisë. Kishin ardhur këtu kineastë nga Bullgaria, Britania e Madhe, Shqipëria, Gjermania, Vietnami, Irani, SH.B.A, Italia, Portugalia, Bjellorusia, Franca e shumë vende të tjera. Në fund u nominuan vetëm 15 filma, ndër ta edhe filmi nga Shqipëria. Çmimet u ndanë sipas kategorive të veçanta si 'Filmi më i mirë dokumentar", "Individi dhe sporti", "Programi më i mirë televiziv sportiv", "Shoqëria dhe sporti", "Ngjarjet historike sportive" dhe "Sportet me skuadra". Në mbrëmjen e fundit, Kryetari i Jurisë Ndërkombëtare, regjisori i njohur rus Vitali Melik- Karamov e shpalli filmin tonë fitues në kategorinë "Filmi më i mirë dokumentar i Festivalit". Në kategoritë e tjera u nderuan me çmime filmat nga Azerbajxhani, Franca, Kina dhe Republika e Jakutisë që organizoi festivalin. Ndërsa çmimin e madh për filmin më të mirë artistik e mori regjisorja ruse Maria Mahatko me filmin "Futbolli për djem, por… edhe për vajza". Pas filmave "Lidhëset e këpucëve" dhe "Kampion nga asgjëja", filmi "Mbretëresha e katrorëve" është i treti radhazi i po të njëjtëve autorë, Ylli Pepo dhe Ahmet Shqarri, që nderohet me çmim në festivalet ndërkombëtare. Ky film është zgjedhur edhe në seleksionet zyrtare të Festivalit të madh televiziv "Prix Italia" dhe në festivalin e Pekinit që zhvillohet në tetor të këtij viti.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›