E Diel, 1 Nëntor 2026

Ymeri: Arsyet pse nuk do ta votojmë Pacollin

“Ne nuk do ta votojmë Behxhet Pacollin për kryetar të Republikës. Konsiderojmë që ai është i papërshtatshëm edhe politikisht edhe personalisht për të shërbyer si president i vendit”, ka deklaruar deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën në këto çaste po votohet për të tretën herë, për të zgjedhur Presidentin e Republikës.
 

“Behxhet Pacolli, si kryetar i AKR-së dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar, ka qenë i pranishëm, së bashku me shumë të tjerë, në të gjitha ato momente kur ky Kuvend miratonte ligje të Planit të Ahtisaarit, pa debat e në mënyrë të përshpejtuar jodemokratike, dhe aprovonte flamuj shkombëtarizues e himne pa tekst. Gjatë tërë kësaj kohe as Pacolli, e as partia e tij, nuk e kanë bërë as kundërshtimin më të vogël ndaj kësaj mënyre absolutisht jopolitike dhe jodemokratike të funksionimit të Kuvendit. Ky moskundërshtim e bën Pacollin dhe të tjerët si ai, një njeri joparimor, që nuk e çanë kokën fare për zhvillimin politik të vendit. Pra, që e çan kokën vetëm për interesat e ngushta personale”.

“Pacolli është biznesmen. Prandaj marrëveshja e tij për koalicion është vetëm pazar, dhe nuk ka asgjë politike në të. Në këtë drejtim Pacolli e ka blerë postin e Kryetarit. Si biznesmen që është ai tregoi gatishmëri që t`i hyjë kësaj marrëveshje transaksioni pavarësisht koston. Për të posti i Kryetarit duket të jetë një investim i rëndësishëm nga i cili pret kthime të mira. Por biznismen është edhe Thaçi. Ai e bleu Pacollin dhe AKR-në në mënyrë që ta sigurojë edhe për ca kohë postin e kryeministrit. Edhe ky këtë e pa si investim dhe edhe ky pret kthime nga ky investim. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarëdo qoftë pazari dhe pavarësisht sa do të fitojnë këta dy persona nga ky pazar, e tërë kjo marrëveshje afariste në fund do t`i faturohet qytetarit të Kosovës. Prandaj nuk do ta votojmë Pacollin”, ka thënë ndër të tjera deputeti Ymeri.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›