E Diel, 1 Nëntor 2026

Yzeiraj: Treguesit kryesorë të gjashtëmujorit dëshmojnë vijimin e stabilitetit ekonomik

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Stabiliteti makroekonomik mbetet një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike të vendit, ndërsa treguesit e gjysmës së parë të vitit konfirmojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, deklaroi zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj.

Përmes një videomesazhi, Yzeiraj tha se çdo objektiv, pavarësisht nëse është teknik apo politik, afatshkurtër apo afatgjatë, mbështetet mbi një bazë thelbësore.

“Cilido synim apo objektiv teknik apo politik, afatshkurtër apo afatgjatë mbështetet mbi një bazë të vetme, të padukshme, por thelbësore: qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit”, u shpreh ai.

Sipas Yzeirajt, treguesit kryesorë ekonomikë për gjysmën e parë të vitit dëshmojnë vijimin e stabilitetit të ekonomisë shqiptare dhe besimin e tregjeve ndërkombëtare.

“Rritja ekonomike ka vijuar e qëndrueshme dhe në linjë me objektivat tanë”, tha zëvendësministri, duke shtuar se edhe inflacioni vijon të mbetet në nivele të ulëta dhe të kontrolluara.

“Inflacioni vijon të mbetet i ulët dhe, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, i kontrolluar, gjë që mbron fuqinë blerëse dhe krijon parashikueshmëri për tregun”, deklaroi Yzeiraj.

Ai veçoi gjithashtu koston e borxhit, e cila, sipas tij, ka shënuar rënie.

“Kostoja e borxhit ka shënuar rënie të krahasueshme ose më të ulëta se ato të vendeve të rajonit”, u shpreh Yzeiraj.

Referuar statistikave, aktiviteti ekonomik vijoi të zgjerohej me ritme të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Rritja ekonomike rezultoi 3,7% në tremujorin e parë, ndërsa treguesit e disponuar sugjerojnë vazhdimin e trendit rritës edhe në tremujorin e dytë. Kjo ecuri ka pasqyruar rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve të shërbimeve, të cilat u mbështetën nga rritja e të ardhurave, pritjet për të ardhmen, rritja e të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit. Yzeiraj deklaroi se, “Integrimi në Bashkimin Europian është objektivi i parë strategjik i këtij mandati, ndërsa lehtësimi i aksesit në financë për bizneset e vogla dhe të mesme dhe garantimi i stabilitetit makroekonomik përbëjnë dy drejtimet e tjera kryesore të punës”. /e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›