Z. Kryeministër, ju ka mbetur vetëm Thashethemi!
Daut Zeraj/jurist, Bashkia Vlorë
-Së fundmi Kryeministri ynë, në vazhdën e takimeve elektorale dhe të inaugurimeve të stisura për vepra të infrastrukturës, që ose janë projektuar në kuadër të mashtrimit elektoral, ose sapo kanë filluar me të njëjtin qëllim e nuk dihet se kur do të përfundojnë, u shfaq me eskortën e tij në rrethin e Vlorës. Pa diskutim që vëmendja e publikut, nëse ka një të tillë, u përqendrua te pasqyrimi i arritjeve të “qeverisë së tij”, siç është mësuar të thotë shpesh, por edhe te premtimet që dihet se ai i bën pa u menduar mirë, pasi me vetëdije e di që nuk realizohen. Por këtë herë, jo, nuk ndodhi kështu .Nga tribuna e mitingjeve u bëmë dëshmitarë të fushatës së tij anti-opozitë të cilën së fundmi po i shndërron në një lloj fushate thashethemesh kundër kandidatit për deputet të opozitës z. Koço Kokëdhima. Kjo nga njëra anë tregoi se Partia Socialiste ka vepruar drejt kur ka vlerësuar z. Kokëdhima si kandidat për deputet të saj, por nga ana tjetër tregon në fakt se ky vlerësohet si kundërshtar i deklaruar i qeverisjes se këtij Kryeministri. Sigurisht që z Kokëdhima nuk ka asnjë arsye të mbështetet nga askush dhe as të mbrohet, pasi ai ka treguar, me rezistencën dhe qëndrimin në opozitë dhe, e tregoi edhe njëherë në debatin në emisionin “Opinion” te TV Klan se është një person publik me integritet dhe parimor, i cili nuk i këmben këto me orekset e pushtetit dhe me asgjë tjëtër. Pra çështja nuk është z. Kokëdhima si person, por standardi i Kryeministrit ndaj biznesmenëve të pasur që hyjnë në politikë dhe politikanëve pushtetarë që bëhen të pasur në sajë të pushtetit. Për më tepër, tendenca e tij dhe e shumë opinonistëve për ta konsideruar çështje përfshirjen e biznesmenëve në krah të PS-së, meqë kjo është forcë politike e majtë e që sipas tyre mbron shtresat e varfra, për këtë ide pra, që propagandohet nga PD-ja, se përfaqësuesit e PS-së duhet të jenë fukarenj, është e domosdoshme një analizë e hollësishme. Një analizë që duhet parë në një këndvështrim jo dashakeq, por objektiv. Dhe nëse analizojmë kështu arrijmë në përfundime krejtësisht të kundërta me ato të Kryeministrit dhe të opinionistëve. Për këtë mjafton të shohim dy shembuj domethënës: Para disa kohësh në shtyp doli se nga deklarimi i pasurisë së njërit prej këshilltarëve të Kryeministrit, por edhe zyrtarëve të tjerë, se ai zotëronte një pasuri prej mbi një milion euro dhe nuk përmendej ndonjë biznes justifikues. Askush nuk ka të drejtë të akuzojë, por ndërkohë, askush, as Kryeministri nuk u shqetësua për rrugën e përdorur për të realizuar një pasuri të tillë. Ndërkohë që akuzat për z. Kokëdhima, i cili për shumë vite ka bizneset e tij, u hodhën pa asnjë kriter etik, por edhe ligjor. Themi etik, pasi është formë flagrante e presionit ndaj njerëzve të biznesit që të jenë konformistë me pushtetin. Por më kryesori është kriteri ligjor, pasi bizneset e kujtdo janë të ekspozuara ndaj administratës shtetërore, tatimeve, sigurimeve shoqërore, për fondet publike ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë etj.. Dhe kur këto nuk flasin, kushdo që flet është thjesht një thashethemexhi që nuk duhet marrë seriozisht. Se që të akuzosh biznesmenin pse ke blerë me çmim të ulët një objekt shtetëror të shitur në ankand nga administrata shtetërore, ose pse ke ndërtuar pallat me leje të organit kompetent dhe akoma më tej, pse ke arritur të fitosh në një konkurrim gjatë prokurimit publik, kjo është thjesht idiotësi për ta besuar vetëm idiotët. Po kështu, tendenca për të anatemuar mbështetjen e biznesmenëve ndaj PS-së, nuk ka asnjë argument ligjor moral dhe veçanërisht ideologjik. Sepse këto, të mara së bashku nuk e lidhin përkatësinë partiake me pasurinë personale, por me vetëdijen personale në raportin me njerëzit dhe sidomos me funksionimin e shtetit. Këto çështje shtrojnë vetiu pyetjen nëse ne duam një shtet që të mundëson të pasurohesh me rregulla dhe që nuk largon vëmendjen nga njerëzit në nevojë, apo një shtet rrumpallë që të mundëson pasurimin nëpërmjet anarkisë dhe i lë njerëzit në mëshirën e fatit. Në këtë kuptim, të gjitha tentativat kundër biznesmenëve që janë në krah të PS-së janë jo vetëm dashakeqe, por edhe të dështuara. Se pastaj na duhet të mendojmë se personat që jetojnë me ndihmë ekonomike, ose përfitojnë për fushatë një thes miell nga qeveria, nuk duhet të jenë në krah të PD-së si forcë e djathtë, kur dihet se në zonat e varfra të Shqipërisë rurale ka shumë dhe me të cilët krenohet Kryeministri se e ka Shqipërinë blu.