ZYRTARE/Kolegji rrëzon padinë e PS, lë në fuqi vendimin e KQZ-së që shpall Lulzim Bashën fitues të Tiranës me 93 vota

Kërkesa e opozitës u hodh poshtë me të njëjtën arsyetim si të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi kishte tejkaluar të gjitha afatet e mundshme ligjore të ankimimit të çështjes
UPDATE- Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së i cili shpalli me 93 vota fitues kandidatin e djathtë Lulzim Basha si dhe për pavlefshmërinë e 284 qendrave të votimit në kryeqytet. Në një vendim tepër të shkurtër nga ana e relatores së çështjes Sashenka Jonuzi është thënë që Kolegji ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmërinë e zgjedhjeve duke argumentuar vendimin në tejkalim të afatit. “Në bazë të nenit 158 pika 3 e kodit zgjedhor rrëzojmë kërkesën e Partisë Socialiste pasi e konsiderojmë si të pa bazuar në ligj për shkak të tejkalimit të afateve”- theksoi Jonuzi.
Kështu Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e KQZ ku u shpall fitues me 93 vota kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në seancën e Kolegjit janë larguar menjëherë pas publikimit të vendimit, duke mos dhënë ndonjë prononcim për këtë vendim.
Pritet që brenda 3 ditëve Kolegji Zgjedhor të zbardhë vendimin e rrëzimit të kërkesë padisë së Partisë Socialiste.
...