E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historiani Montefiore: Ju rrëfej emocionin e përkthimit të librave të mi në shqip

08-07-2011 / Gazeta 55

Shkrimtari i famshëm Simon Sebag Montefiore, në një rrëfim të gjatë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, tregon për përvojën e vizitës në Shqipëri, me rastin e përkthimit të 5 veprave të tij nga Shtëpia Botuese “55” si dhe për sharmin që paraqesin shqiptarët, një vend modern e i sofistikuar, por edhe me një histori që ka nevojë të shkruhet në detaje
 

Si studiues i periudhës së Stalinit dhe Kremlinit, sigurisht që mbijetesa e një diktature staliniste në Evropë deri në vitet 90, e bën Shqipërinë vërtet interesante. Mendoj se Enver Hoxha, me qëllim e ka kopjuar Stalinin në shumë mënyra

Kudo, në çdo histori të një vendi ballkanik flitet për Shqipërinë. Kombi shqiptar, i gjendur edhe në Greqi, në Kosovë e ish-Jugosllavi. Dua të them se kombi shqiptar është shumë më i madh se Republika e Shqipërisë

Fevziu: Z. Montefiore, mirë se erdhët në Shqipëri.
Montefiore: Faleminderit.

Është hera e parë që vini këtu?
Po, është hera e parë.

20 vite pas rënies në komunizmit.
Po, 20 vjet dhe më vjen turp që ka kaluar kaq shumë kohë.

Keni pasur mundësi për të ardhur edhe më përpara këtu?
Jo, në fakt s’më ka rënë rasti. Sapo më ftuan, erdha menjëherë.

Z. Montefiore, jeni shumë i njohur këtu me librin që keni shkruar mbi Stalinin. Por nuk jeni edhe aq popullor apo i famshëm sa Norman Uisdomi.
Ke të drejtë. Të gjithë më thoshin se do të isha aq i njohur sa Norman Uisdomi në Shqipëri. Kjo ishte një shaka që bënin me mua në Angli.

Kur flitet për Britaninë, Norman Uisdomi është më i njohuri ndër britanikët.
Po. Sikur vetëm pak të kisha nga fama e tij këtu do të më bëhej qejfi.

Dua t’ju pyes për Stalinin. Libri i shkruar për të është shumë i njohur këtu në Shqipëri. Jo vetëm se është një nga librat më të mirë që kam lexuar, por është edhe interesante, gjithashtu. Sepse ju jeni këtu në vendin e fundit stalinist. Ne ishim një vend stalinist deri në vitin 1990 dhe drejtuesit e asaj kohe ishin përkrahës stalinistë. A keni gjetur ngjashmëri me epokën e Stalinit?
Absolutisht. Kjo është edhe arsyeja kryesore që më ka tërhequr historia e Shqipërisë, sidomos ajo e periudhës së Enver Hoxhës. Si studiues i periudhës së Stalinit dhe Kremlinit, sigurisht që mbijetesa e një diktature staliniste në Evropë deri në vitet 90, e bën Shqipërinë vërtet interesante. Mendoj se Enver Hoxha, me qëllim e ka kopjuar Stalinin në shumë mënyra.

Mendoni se ishte një kopje e Stalinit?
Ai ndiqte kopjen e tij. Ishte kopje e tij.

Ishte student i tij apo kopje e Stalinit?
Më shumë një lloj përzierje. Por ai me vetëdije të plotë e bëri veten një kopje të Stalinit. Kur u takua me të, Stalini ishte burri më i madh i shtetit komunist, një pushtues i Evropës lindore.

Edhe një nga burrat më të pushtetshëm në botë.
Po. Një nga më të fuqishmit. Si një pushtues i botës, që kishte pasur sukses të madh deri në Berlin. Një figurë shumë e madhe. Sigurisht që Enver Hoxha, nga Shqipëria e ndoqi me vëmendje revolucionin bolshevik, për këtë s’ka dyshim. Dhe kështu që do të mbështetej shumë te Stalini. Prandaj mendoj se ky libër ka shumë lidhje me Shqipërinë, edhe tani.

E dini? Edhe në Shqipëri, deri në vitin 1991 një qytet mbante emrin Qyteti Stalin.
Nuk e dija këtë.

Po, që nga viti 1953, kur vdiq Stalini e deri në vitin 1991, një qytet i Shqipërisë u quajt Qyteti Stalin.
Nuk e dija këtë, jo. Por ka lidhje edhe me librin. Gjithashtu e bën këtë vend shumë tërheqës për mua. Kështu që gjithë jetën jam munduar të lexoj sa kam mundur mbi periudhën e Hoxhës dhe historinë e Shqipërisë, i cili është një vend që më tërheq shumë. Prandaj sigurisht që më bëhet qejfi që kam ardhur, më në fund.

Në një intervistë keni thënë se jeni emocionuar kur keni lexuar historinë e Shqipërisë që nga shekulli i pesëmbëdhjetë, që nga Skënderbeu, deri në periudhën e Zogut e më pas të Enver Hoxhës. Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?
Që në fëmijëri. Në fillim, filloi të më tërhiqte shumë historia e Rusisë dhe sigurisht kur fillova të lexoj për Stalinin dhe për Evropën lindore, mësova edhe për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën.

Por Shqipëria ishte vendi më i vogël i Evropës lindore.
Shiko, s’dua t’ju bëj qejfin, por pikë së pari duhet të them se kudo, në çdo histori të një vendi ballkanik flitet për Shqipërinë. Kombi shqiptar, i gjendur edhe në Greqi, pastaj është Kosova, Jugosllavia.

Maqedonia, Mali i Zi.
Po. Sigurisht. Dua të them se kombi shqiptar është shumë më i madh se Republika e Shqipërisë. Kështu që për dikë që e tërheq kaq shumë kjo periudhë dhe këto vende... Në fakt, gjithmonë më ka tërhequr historia e Kaukazit dhe e Ballkanit. Por më kanë pëlqyer edhe gjëra të tjera. Kam lexuar shumë për Jeruzalemin. Libri im i fundit është për Jeruzalemin. Sigurisht që më është dashur të studioj edhe dinastinë shqiptare të Mehmet Aliut. Ai sundoi Jeruzalemin për gati 10 vjet dhe sigurisht Egjiptin për 150 vite. Kështu që Shqipëria është më e madhe se Shqipëria. Si student i historisë, Shqipëria është një vend shumë tërheqës.

Edhe gjatë Perandorisë Otomane, shqiptarët kanë luajtur rol të rëndësishëm.
Po, një rol shumë të madh. Kanë luajtur rol të rëndësishëm duke nxjerrë njerëz të rëndësishëm për perandorinë, si pashallarë, vezirë, gjeneralë. Shqipëria ka një histori shumë më të madhe se sa thjesht ajo që ka ndodhur brenda territorit të Shqipërisë. Prandaj më pëlqen kaq shumë. Por sigurisht, duke qenë se më ka tërhequr më shumë periudha e Stalinit, periudha e Hoxhës ishte gjithashtu shumë interesante.

Mendoj se në atë kohë ishte i vetmi vend stalinist në botë.
Absolutisht, po.

Pas periudhës së Hrushovit, në Bashkimin Sovjetik, Shqipëria ishte i vetmi vend stalinist në botë.
Po. Kështu Enver Hoxha, me krimet që ka bërë, mbetet një personazh interesant, i rëndësishëm, që është i mistershëm edhe për ne, në Angli.

Si e shikoni tani Enver Hoxhën?
Si një monstër. Po tregohem i sinqertë me ju, por është e tmerrshme dhe e pabesueshme se ai vriste njerëz në vitet 1980. Shumë nga ngjarjet që ndodhën në periudhën e Hoxhës janë aq të tmerrshme, aq të sëmura. P.sh. vrasja e Shehut dhe përndjekja e viteve ‘80. Ishte e pabesueshme që kjo ndodhte në Evropë në ato vite. Sigurisht që mua më duket një personazh makabër. Por që të tregohem më serioz edhe me pyetjen tuaj, shpresoj që librat e mi të ndikojnë te shqiptarët sot, sado pak. Ne shkrimtarët kemi shumë pak ndikim. Unë do doja që njerëzit të lexonin librat e mi për Stalinin, sidomos të rinjtë. Brezi i ri që kalon shumë kohë në internet dhe ndoshta nuk lexon aq shumë sa ne që jemi në të 40-at e lart. Kur të marrin këta libra do të shohin se historia është interesante dhe emocionuese. E dyta, mund të fitojnë bursa dhe t’u duket edhe argëtuese, por e treta dhe më e rëndësishmja për Shqipërinë është se duhet të shikojmë me kujdes të kaluarën, duhet ta analizojmë dhe të dënojmë me qartësi. Duhet të shikojmë me kujdes edhe periudhën e Hoxhës dhe kjo është e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri në të ardhmen.

Po. Në fakt, librat tuaj s’janë histori të mërzitshme, por janë histori shumë tërheqëse për Stalinin sidomos. Dua t’ju bëj një pyetje, sidomos për mbretin Zog dhe Skënderbeun. Ju thatë se keni lexuar shumë për mbretin Zog dhe Skënderbeun. Çfarë dini për mbretin Zog, për shembull?
Mendoj se mbreti Zog është interesant, sepse përfaqëson një Shqipëri më madhështore, më pompoze dhe më të larmishme. Sidomos edhe për emrin e tij që në anglisht tingëllon shumë ekzotik. Për shkak të këtij pompoziteti, ndoshta edhe ka pasur ndikim shumë të keq te Zogu, sepse e kanë parë shpesh si një personazh të fryrë dhe jo serioz. Por për mua, nga sa kam studiuar për të, ai është një personazh i nënvlerësuar. Dhe përsëri unë do të inkurajoja shkrimtarët dhe historianët shqiptarë të shkruanin për këtë periudhë sa më gjerë të jetë e mundur.

Ose më hapur?
Hapur, por të jetë edhe lehtësisht e lexueshme. Jo diçka mbresëlënëse, por të jetë e lexueshme. Sepse unë mendoj se Zogu ishte krijuesi i Shqipërisë moderne. Ka bërë shumë gjëra në këtë fushë. Gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri që atëherë ka qenë si një veprim pro tij ose reagim kundra tij. Përveç kësaj, më duket shumë interesante edhe karriera e tij. Filloi si një njeri i thjeshtë dhe në fund u bë mbret. Ngjan si një aventurë e stilit të Napolonit në Ballkan, apo jo?

Është interesante, në fakt z.Montefiore, se 20 pas rënies së komunizmit, s’kemi një libër historik të mirëfilltë për jetën e Enver Hoxhës, as ndonjë libër për jetën e mbretit Zog, i cili ishte një personazh shumë i rëndësishëm në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë. Ishte ai që krijoi një shtet të vërtetë në atë kohë. Ky është një gabim apo një problem për historinë shqiptare?
Mendoj se është problem. Është pjesërisht problem, por edhe një sfidë, që nuk e ka vetëm Shqipëria, por e gjithë bota.

Por ne kemi libra të shkruar nga të huaj dhe jo nga studiues vendas.
Po, duhet ta bëjnë shqiptarët këtë.

Pse?
Sepse unë dua të lexoj një libër, të përkthyer. P. Sh. Fahri Balliu ka shkruar një libër të mrekullueshëm për zonjën Hoxha, të cilin e kam lexuar dhe më duket një histori e arrirë. Por tani dua të kem më shumë. Shqiptarët duhet të shkruajnë. Ka aq shumë për të thënë për jetën në “Bllok”, të cilën ne duhet ta kuptojmë. Ndonjëherë për këtë ia dalin më mirë të huajt. Në Rusi, p. sh., asnjë s’ka shkruar një libër si timin për Stalinin. Edhe kjo ka arsye. Së pari ka një problem mes shkrimeve akademike dhe atyre të masës. Historia popullore është shkruar nga gazetarë me gjuhë mbresëlënëse, ndërsa akademikët shkruanin libra që i lexonin akademikë të tjerë dhe katër-pesë studentë. Kështu që duhet gjetur një rrugë e mesme. Kjo është ajo që bëj unë. Shkruaj me një gjuhë që është diku në mes të këtyre të dyjave. Dua t’u bëj një thirrje shkrimtarëve dhe studiuesve të rinj shqiptarë të shkruajnë për Hoxhën, për Zogun.

A është e rëndësishme të shikohet se si e kuptojmë ne?
Është e rëndësishme për Shqipërinë që të bëjë përpara dhe është e rëndësishme për demokracinë shqiptare. Është e rëndësishme që të ndërtosh një shoqëri të mirë dhe të vazhdosh përpara. Ju premtoj se këta libra do të shiteshin shumë në botë dhe këta shkrimtarë do të bëheshin vërtet të famshëm dhe do shisnin libra jo vetëm në Angli, apo Amerikë, por në gjithë Evropën. Kështu që kjo është një sfidë për studiuesit e rinj shqiptarë.

Z. Montefiore, a do t’ju interesonte të shkruanit një libër për Enver Hoxhën?
Do të më pëlqente shumë.

Kur bëtë një libër për Stalinin, mund të bëni edhe një libër për një Stalin të vogël.
E them me sinqeritet se do të më pëlqente të shkruaja një libër për Hoxhën. Në fakt, Benxhamin Disraeli, i cili është një nga të preferuarit e mi thoshte: “Kur dua të lexoj një libër, e shkruaj vetë”. Kjo është ajo që kam bërë me Stalinin, Katerinën e madhe dhe me Jeruzalemin. Por më duhet të them se s’i kam mjetet e mjaftueshme për të shkruar për Hoxhën.

Përse?
Sepse s’di gjuhën, s’kam shumë mundësi kërkimi. Do të më pëlqente të shkruante dikush tjetër dhe unë do të kontribuoja me shumë qejf për hyrjen dhe do të ndihmoja që të shitej nëpër botë, por dikush duhet ta shkruajë atë libër.

Doja t’ju pyesja se pse jeni kaq i interesuar për diktatorët? Pjesa më e madhe e tyre janë të tillë. Jo vetëm figura diktatorësh, por drejtues karizmatikë.
Më intereson pushteti. Unë e kam studiuar pushtetin. Më tërheq shumë politika, politika angleze, po ashtu edhe ajo amerikane dhe evropiane. Jo vetëm diktatorët. Në fakt, libri i parë që kam shkruar “Të pushtetshmit”, po, për Katerinën e Madhe dhe princin Petjomkin që ishin ndër njerëzit më dashamirës dhe zemërmirë që drejtuan ndonjëherë Rusinë. Kështu që s’më pëlqen të shkruaj vetëm për të këqijtë, por sigurisht, të tregohemi të sinqertë, të këqijtë janë më shumë argëtues. Kur shkruan libra të tillë, duhet të përhumbesh për rreth pesë vite të tëra në kërkime mbi temën. Kur unë shkruaj, lexoj vetëm për atë temë dhe asgjë tjetër. Unë e fundos veten krejtësisht në atë subjekt. Prandaj duhet të jetë shumë interesante dhe shumë e thellë. Jo shumë personazhe historikë janë aq tërheqës sa Stalini apo Katerina e Madhe. Vetëm disa personazhe të rangut të Çërçillit, apo të Frederikut të madh apo Frenklin Ruzveltit mund ta kenë atë lloj rëndësie. Duhet lexuar gjithçka, edhe lista e rrobave për të larë është interesante.

Po si e zbuluat ju Stalinin?
Kur kam qenë një djalë i vogël, në shkollë fillore në Angli. Gjeta një revistë. Në atë kohë më pëlqenin shumë historitë me vrasës. Në atë revistë isha regjistruar për të marrë librin “Krim dhe Ndëshkim”. Aty ishte shkruar një artikull për Stalinin. Isha rreth 8 vjeç. E lexova dhe u mrekullova.

Shumë e vështirë për një tetë vjeçar që të lexoje për Stalinin.
Po, por isha fëmijë shumë i çuditshëm, më beso. Lexova për të dhe më pas fillova ta studioja. Edhe pse isha shumë i ri, që rreth asaj moshe unë lexova edhe për Hoxhën. Lexoja gjithçka që mundja. S’më pëlqente fare sporti.

Mendoj se Hoxha ishte më shumë ekzotik, kurse Stalini ishte më i fuqishëm, i cili kishte mundësinë të ndryshonte jetën në Evropë.
Po. Stalini ishte pak a shumë ai që krijoi botën tonë.

I cili kishte pak frikë nga Evropa në atë kohë.
Po, ai ishte kompleks, ishte i madh, ishte titan. Ai ishte një figurë gjigante. Ishte një figurë shumë e rëndësishme. Kjo ka rëndësi për një shkrimtar. Ky libër është shkruar në 40 gjuhë tashmë.

Por ishte edhe e vështirë të shkruaje për Stalinin, sepse ka me mijëra biografi dhe libra që janë shkruar për të. Pse është ndryshe libri juaj?
Tregon Stalinin e vërtetë. Tregon se si u bë i pushtetshëm dhe se si funksiononte pushteti në atë kohë. Çdo libër tjetër tregon se sa gjigant ishte ai si njeri.

Kur merr një libër për Stalinin, mendon se di shumë për të, sepse ka shumë libra, dokumentarë, filma dhe gjithçka tjetër.
Ky është i ri. Kjo është pamje e re mbi Stalinin, sepse është bazuar gjithçka mbi dokumente, mbi të gjitha. Dokumente të asaj kohe që u hapën shumë vonë për studiuesit, rreth 1999 dhe 2000, që tregojnë për shumë mistere të kohës. Gjithë librat mbi Stalinin e tregonin si një mostër dhe si figurë misterioze. Kur të lexoni librin tim do të shikoni se ai s’është më mister, sepse ne dimë shumë mbi të tashmë. Sigurisht që s’mund të dish gjithçka për një njeri. Le ta themi hapur. Mund të shkosh te psikiatri për 30 vite rresht dhe në fund ai s’di edhe aq shumë për ty. Kështu që është e njëjta gjë edhe me Stalinin. E kam studiuar Stalinin për 10 vite.

Ishte e vështirë të studioje Stalinin?
Shumë e vështirë.

Pse? Ngaqë ishte një personalitet kompleks apo...
Ai kishte një personalitet shumë kompleks. Arsyeja që ai u ngrit aq lart dhe mori në dorë Kremlinin ishte se mund të shkruante një artikull në revistë, të fliste për ide, por dinte gjithashtu edhe të organizonte një vrasje apo një grabitje. Kur Lenini donte të arratisej nga Shën Peterburgu në 1917, ai s’iu drejtua Trockit, por Stalinit që ta ndihmonte. Ka shumë politikanë që mund të shkruajnë artikuj dhe të bëjnë fjalime, por ka edhe politikanë të tjerë që mund të organizojnë vrasje, arratisje dhe punë të pista. Shumë pak mund t’i bëjnë të dyja. Ky është thelbi i suksesit të tij.

Si ishte e mundur që një djalë i thjeshtë nga Gjeorgjia të bëhej njeriu më i fuqishëm në botë?
Ishte e jashtëzakonshme. Mund të ndodhte vetëm në vitet 1920.

Ishte për shkak të rrethanave apo ishte meritë e tij?
Të dyja bashkë. Ishte kombinimi i karakterit të tij unik dhe... Shiko, nëse s’do të studionte rusisht në shkollën fetare, ai s’do të bëhej dot drejtues. Atij i duhej të shkonte në shkollën e kishës, ky ishte një nga rastet kyçe për të bërë përpara. Por mendoj se ishte një kombinim i karakterit të tij me rrethanat e kohës. Nëse marksizmi s’do të ishte bërë ide ndërkombëtare në fillim të viteve ‘20, një gjeorgjian s’do të ishte bërë kurrë drejtues. Ka shumë dyshime dhe hipoteza, por dihet fakti se regjimi leninist e gjeti veten në rrethana ekstreme dhe atyre u duhej një ekstremist për të udhëhequr.

Nëse hedhim vështrimin në oborrin e carit të kuq, do të shikojmë se shumë prej anëtarëve s’ishin të arsimuar, s’ishin intelektualë të vërtetë, sepse pjesa më e madhe e tyre ose ishte dëbuar jashtë Rusisë, ose ishte vrarë. Si ka mundësi që ky grup personash e drejtuan një shtet si Bashkimin Sovjetik për më shumë se 30 vite?
Ajo që është interesante për stalinistët është se para se të vinin në pushtet, ata ishin në ilegalitet, si një lloj terrorizmi bolshevik. Ata bënin një jetë shumë sekrete, takoheshin në taverna apo klube dhe gjithçka sipas planeve të caktuara. Kur erdhën në pushtet të perandorisë më të madhe në botë, ata e drejtuan pikërisht në atë lloj mënyre. Tamam në të njëjtën mënyrë, sikur takoheshin fshehurazi në tavernat e tyre në Tbilis, në Gjeorgji. Por më interesantja është se Rusia është drejtuar gjithmonë nga klika të vogla. Kur drejtonte cari, i caktonte vetë ai. Ishin burokratë ose ushtarë të caktuar nga vetë cari. Edhe sot Rusia drejtohet nga një klikë e vogël, shpesh ushtarakë sekretë që i kanë hyrë politikës ose biznesit. Ka rreth 20 burra që drejtojnë sot Rusinë. S’janë më të kualifikuar se të tjetër, por kanë shumë nën kontroll, që në vitet ’90. Rusia ka një traditë. Ajo që duket në fasadë...

S’është diçka që u përket sovjetikëve...
Është në natyrën e rusëve.

Është si një filozofi e vendit dhe e kombit.
Po, është një mekanizëm që duket se gjithmonë funksionon në Rusi.

Dua t’ju them se jam habitur kur kam lexuar për ditët e fundit të Stalinit. Një ndër njerëzit më të fuqishëm në botë dhe që kishte drejtuar Rusinë për gati 30 vite vdiq në një shtrat të vogël, pa para e pa pasuri. Pse kjo lloj jete?
Ai besonte. Ai ishte idealist.

Ai shkatërroi familjen e tij, gruan, dy djemtë, vajzën, gjithçka. P. Sh. kur nipi i tij flet për takimin e tij të parë me të, thotë se ishte i emocionuar se s’po takonte gjyshin, por drejtuesin e vendit. Pse mund të bëjë një njeri i tillë këtë jetë?
Ai besonte tërësisht në marksizëm-leninizmin.

Vërtet besonte?
Absolutisht që besonte. Jam i bindur për këtë. Të gjithë ata që e njihnin e besonin këtë. Ai besonte plotësisht në marksizëm-leninizëm, si një islamik në fenë e tij. Ai besonte se ishte kryqtar, si anëtar i një urdhri fetar ushtarak, si një tempullar, si një kalorës. Por ai gjithashtu besonte se vetëm ai mund ta bënte dhe se ishte si një mesia i ideve të tij. Vetëm me këto ai dominoi gjithçka. Kështu që ai s’ishte i korruptuar, kur flitet për para apo për dinasti. Ai s’ishte nepotist. Prandaj ishte ndryshe nga diktatorët tuaj këtu. Nga Hoxha, nga blloku dhe nga familja e bllokut, ku gjithçka bëhej nëpërmjet martesave, për të kontrolluar familjet. Kjo është një pjesë e rëndësishme e bllokut. Në Rusi bëheshin martesa të tilla, por Stalini i kishte inat këto lloj favorizimesh. Pas vdekjes së tij, elita bolshevike që erdhi në pushtet dhe drejtoi Rusinë...

Pas vdekjes së Stalinit?
Pas vdekjes së Stalinit. Kjo ka ndodhur edhe këtu, sigurisht. Ndikimet e këtyre familjeve janë akoma shumë të fuqishme në Shqipëri. Kështu që ka ndryshime, ka shumë ndryshime.

A ishte e vështirë të hapeshin arkivat për Stalinin?
Po, në romanin tim ‘Sashenka”, që flet për një grua ruso-hebreje, jetën e saj në familje, dashuritë e saj, flet gjithashtu edhe për punën e saj në arkivat sovjetike. Kjo është ajo që quhet “bazuar në fakte”. Është libër letrar, por bazohet në përvojat e mia, sigurisht. Edhe pse pjesa më e madhe është e trilluar. Por nëse doni të dini se si është të punosh në arkivat sovjetike dhe sekretet e tyre, lexoni librin, i cili, jam shumë i kënaqur të them se është përkthyer në shqip.

Ju i keni botuar të gjitha në shqip?
Po, i kam botuar edhe në shqip.

A mendoni se ka akoma dokumente të rëndësishme për jetën e Stalinit që s’janë botuar akoma?
Sigurisht, por dokumentet më të mira janë ata që ai i ka shkatërruar, ndoshta. Por është njësoj edhe me arkivat tuaja.

Pak muaj më parë, arkivat tona zbuluan informacione mbi varret e 20 mijë të ekzekutuarve, ndërkohë që priteshin pemët e pyjeve.
Po ju them një histori. Në fillim shkrova librin “Katerina e madhe”. Kjo bëri që të fitoja simpatinë e Kremlinit. Ata e pëlqyen librin. Kështu që më thanë: “Mirë, ky s’është anti-rus. Ai mund të ketë të drejtën për të parë dokumentet mbi Stalinin”. Kështu gjeta dokumentet për Stalinin. Kur unë e botova librin, ata, Kremlini e urreu librin. Ata urryen librin dhe më urryen edhe mua. Kështu që ndjeva se si ishte përbuzja e ftohtë e Kremlinit ndaj meje. Kur doja të shkruaja për Stalinin, në rininë e vet, shkova në arkivat e tyre dhe u kërkova nëse mund të kisha një sallë ku të punoja dhe privilegjet që përfitoja. Ata thanë: Çfarë privilegjesh? Kush je ti? S’të kemi parë ndonjëherë. Kur i pyeta nëse mund të përdorja arkivat...

Sikur ishe në Bashkimin Sovjetik dhe jo në Rusinë moderne.
I pyeta nëse mund të merrja dokumentet, por ata më thanë se gjatë fundjavës, dy ushtarë të rinj që ruanin arkivat u dehën dhe u rrëzuan në një nga raftet dhe u vranë keq. Rafti u thye. Kështu që e kanë mbyllur arkivin dhe s’mund të nxjerrin asnjë dokument. Kjo është sjellje tipike e Rusisë. Jam i sigurt se kështu ndodh edhe në Shqipëri. Pra, a ishte vërtet aksident apo ndonjë komplot?

Mendoni se ka ndonjë lloj nostalgjie në Rusi për Stalinin?
Po.

Tek drejtuesit apo te vetë populli?
Mendoj se në të dyja palët. Ata ndjejnë një lloj kontradikte te Stalini. Ata ndihen shumë të tërhequr nga rendi, prestigji dhe suksesi. Nga prestigji mbretëror që kishte Stalini. Por sigurisht që ndihen edhe të turpëruar nga vrasjet. Nga vrasje në masë, nga paaftësitë e asaj periudhe. Ajo që më tërheq në Shqipëri është reagimi ndaj periudhës së Enver Hoxhës tani.

Si mendoni, cili është reagimi i shqiptarëve ndaj asaj periudhe?
Shoh se të rinjtë e kuptojnë se periudha e Hoxhës ishte një epokë e errët për Shqipërinë. Ata kuptojnë zhvillimin e vonshëm të Shqipërisë, vrasjen e shumë të pafajshmëve, që nga priftërinjtë e deri te artistët dhe deri tek politikanët në krye të shtetit. Por gjithashtu mendoj se ka njerëz të jetës publike, që janë nostalgjikë për atë periudhë, që vazhdojnë të mbajnë lidhjet që ishin krijuar që në atë periudhë. Ky është rrezik i vërtetë për Shqipërinë, prej të cilit duhet pasur shumë kujdes. Sepse ju tashmë keni një demokraci në funksion, një demokraci të vërtetë, bëni zgjedhje që vlerësohen nga vëzhguesit si të lira dhe vlefshme. Por ka njerëz që duan të rrezikojnë këto zgjedhje. Duhet pasur shumë kujdes me këtë fakt. Zgjedhjet që vëzhgohen nga vëzhgues të huaj, nga Bashkimi Evropian janë plotësisht të vlefshme. Prandaj duhet pasur shumë kujdes në këtë pikë. Por edhe duhet pasur kujdes për të ardhmen e Shqipërisë, sidomos të rinjtë dhe inteligjenca kombëtare.

Shumë herë, kur kam shfaqur emisionet e mia mbi periudhën komuniste apo mbi Enver Hoxhën, kemi bërë edhe sondazhe nëpërmjet mesazheve telefonike ose postës elektronike. Kemi vërejtur se 93 për qind e shqiptarëve janë kundra regjimit të Hoxhës dhe nostalgjikët s’janë më shumë se 5 për qind. S’mund të quhet numër i konsiderueshëm.
Një gjë tjetër është ajo që mund të quhet “privatizim i periudhës së Hoxhës”, ku njerëzit mbajnë lidhjet e mëparshme dhe ku sistemet e vjetra funksionojnë pas fasadës së demokracisë. Shiko, unë s’jam ekspert i politikës në Shqipëri, por mund të them se këta sisteme përbëjnë vërtet rrezik që të vazhdojnë më tej në një jetë që aspiron drejt demokracisë së vërtetë. Prandaj po them se këtu ekziston rreziku. Unë po them se duhet pasur kujdes të madh për këto çështje.

Libri juaj mbi Stalinin e ri do të bëhet film?
Po, do të bëhet film.    

Mendoni se filmi do të ndihmonte më shumë librin? Apo filmi mund të shkatërrojë një libër?
Sigurisht që unë dua të jetë film i mirë. Do të doja që të luante një njeri si puna e Xhoni Depit që të luante rolin e Stalinit. Ai do të ishte i shkëlqyer.

Por shumë ndryshe.
Po. Por ai mund të luajë çdo lloj roli.

Ai mund të bëhet edhe djall.
Gjithashtu edhe Al Paçino do të ishte fantastik në rolin e Stalinit në moshë të madhe. Mendoj se filmi do të bëhet dhe jemi shumë të emocionuar për këtë.

Kur mund të dalë filmi?
S’e di, por jam takuar me producentët dhe skenaristët. Por mund të jetë me 6 mini-seri. Mund të mos jetë film, por një serial i shkurtër, gjë që më duket më mirë kështu.

Mendoj se do të ishte më interesante.
Po. Është si “Sopranot”, versioni komunist i Sopranove.

Pse ky pasion kaq i madh mbi Rusinë? Pse kjo lidhje me Rusinë?
Unë e dua Rusinë. Më pëlqen letërsia, gjuha, njerëzit, hapësira e pafund, vetë melodrama e Rusisë, triumfet dhe tragjeditë, për të cilat ia vlen të shkruash me shumë emocion. I kam shmangur shkrimet për historinë angleze, sepse më duket pak sikur shkon në një linjë. Jam shumë krenar për historinë tonë, por është më pak emocionuese se ajo ruse.

Ka më shumë mister në historinë ruse?
Familja e mamasë sime e ka origjinën nga Rusia. Ata ishin hebrenj në perandorinë ruse. Gjithmonë jam rritur me një ndjenjë të veçantë lidhjeje me këtë vend.

Z. Montefiore, po për sa i përket familjes suaj? Ka shumë komente për babanë tuaj, për gjyshin tuaj, Moshes Montefiore.
Ai është paraardhësi im, ai është themeluesi i familjes sonë në Angli. Ai ishte emigrant. Erdhi nga Italia gjatë epokës Viktoriane. Ishte hebre.

Hebre nga Italia?
Po, hebre nga Italia. Mbiemri im përkthehet mali i luleve. Ai erdhi në Angli dhe u bë shumë i pasur. U bë baron.

Merrej me financë?
Po, merrej me financë. Ishte kunat me Rotçajlldin, kështu që i hynë biznesit bashkë.

Thuhet se ai ka përdorur historinë e Vaterlosë për të bërë para.
Po. Ai dhe Rotçajlldët bënë shumë pasuri duke thënë se e dinin se kush e kishte fituar i pari betejën e Vaterlosë.

Nga e dinin?
Ata kishin sistemin e tyre të inteligjencës. Me pëllumba. Kështu që ata e morën vesh se beteja ishte fituar dhe vendosën të bënin tregti, që në atë kohë konsiderohej e paligjshme.

Po përse studiuat letërsi?
Unë e dua letërsinë. Për mua, letërsia është gjithçka, librat janë gjithçka. Edhe në moshën e internetit, e gjithë dituria vjen nga librat.

Doja t’ju pyesja për Jeruzalemin. Çfarë është Jeruzalemi për ju? E kam fjalën për qytetin, jo për librin.
Kam lidhje familjare me atë qytet. Paraardhësi i Montefiorëve themeloi qytetin e ri të Jerusalemit në 1860 dhe ndërtoi një mulli, mulliri i Montefiorëve. Edhe motoja e familjes sonë është Jerusalemi. Gjatë gjithë jetës kam dashur të shkruaj për Jerusalemin. Dhe ky libër është rezultati i një jete të tërë studimesh. Sigurisht që kjo përfshin edhe fazën shqiptare.

Ishte thjesht studim apo edhe vetë historia e familjes suaj?
Është historia e familjes sime. Në libër mund të lexoni për historinë e familjes sime, të vërtetën, skandalet, sepse Montefioret njihen edhe për shumë skandale.

Janë dokumente apo vetëm kujtime?
Të dyja bashkë. Kam përdorur edhe dokumente të familjes. Por i thonë 3 mijë vjet histori. Nëse doni të kuptoni Lindjen e mesme sot, të kuptoni nëse Jerusalemi është mysliman apo i krishterë, atëherë lexojeni.

Si po shkon libri?
Po ecën shumë mirë. Në Angli ka qenë libri më i shitur për javë të tëra.

Çfarë dini për letërsinë shqiptare?
Jo mjaftueshëm. Njoh Ismail Kadarenë.

Keni lexuar libra të Kadaresë?
Disa prej tyre. Jo shumë. Shiko, ne nuk dimë shumë për letërsinë shqiptare. Të them të drejtën, s’jam aq i zoti në letërsinë shqiptare sa ç’jam në histori. Por për ne, Kadare është figurë e madhe. Ai është i rangut të shkrimtarëve të mëdhenj, që kanë shkruar kundër tiranisë.

Të kthehemi prapë tek tema e Rusisë dhe sidomos te vendet post-komuniste. Po flisnim më parë se si po vepron elita dhe lidershipi në Rusi, për sa i përket filozofisë së Rusisë. Si mendoni ju, z. Putin ka ndonjë ngjashmëri me Stalinin?
Jo. S’ka ngjashmëri. Pastaj historia nuk e përsërit veten e vet. Kjo është një nga gjërat më interesante të Shqipërisë dhe Rusisë. Hoxha s’do të vijë më kurrë. As Stalin s’do të ketë më. Nëse vijnë ndonjëherë në pushtet, do të vijnë nëpërmjet hibrideve shumë të ngatërruara, të fshehur mirë pas fasadave. Prandaj thashë se duhet pasur kujdes.

Si mendoni, cili është rreziku më i madh për këto vende? Vende që po jetojnë një demokraci të re?
Rreziku qëndron nëse lejojmë sistemin e vjetër dhe të korruptuar, nëse lejojmë njerëz që s’e duan as lirinë dhe as demokracinë të ndërhyjnë në vetë sistemin e demokracisë. Krejt pa e kuptuar, këta njerëz që s’e vlerësojnë demokracinë, hyjnë thellë në sistemin e saj dhe kërkojnë ta shkatërrojnë dhe ta korruptojnë që në thellësi. Ky është paralajmërimi që japim ne. Ky është rreziku që kanoset. Kjo ka ndodhur pak a shumë në Rusi. Ata krijuan një demokraci sovrane, por ka gjithmonë e më pak liri në Rusi tani. Ky është rrezik dhe diçka vërtet e trishtë. Por s’e mendoj në asnjë mënyrë që Putini është si Stalini, apo do të bëhej si ai. Është diçka krejt tjetër.

Kam parë disa konferenca për shtyp të tijat. Ai është arrogant, shumë ndryshe nga politikanë të tjerë. Nuk ngjan me një politikan të ditëve të sotme.
Ai e di se rusët i kanë qejf njerëzit me karakter të fortë. Ata i duan carët, i tërheqin shumë. Në Rusi gjithçka ka funksionuar si një kontratë. Ata i japin pushtet një klike shumë të fuqishme, në mënyrë që ata t’u mundësojnë begati, siguri dhe prestigj. Deri tani kështu ka funksionuar në Rusi. Prandaj regjimi i Putinit ka popullaritet.

Mendoni se ka vende ku demokracia s’mund të funksionojë?
Jo, s’e besoj se mund të ndodhë. Shumë njerëz e besojnë këtë për vendet arabe.

Po, për botën arabe e kisha në veçanti.
Unë besoj se bota arabe mund të jetojë në demokraci ashtu si çdo vend tjetër në botë. Por bëjmë gabim të presim shumë. Shqipëria p.sh. është një vend më i sofistikuar, në kontinentin evropian dhe ju keni krijuar një demokraci perëndimore, një demokraci evropiane.

Mendoj se problemi me Shqipërinë është izolimi shumë i gjatë, jo vetëm gjatë komunizmit, por edhe më përpara. Ishte pjesa më e izoluar e perandorisë osmane, ku mungonte tërësisht infrastruktura. Më pas erdhi dhe izolimi i Enver Hoxhës. 15 ose 20 vitet e mbretit Zog s’ishin të mjaftueshme për të modernizuar vendin...
Pikërisht. Prandaj mendoj se vendet arabe s’mund të presin një demokraci evropiane menjëherë. Ajo që do të ndodhë do të jetë diçka në mes. Diçka mes demokracisë dhe asaj që kishin. Mendoj se gjëja më e mrekullueshme është kryengritja e arabëve. Jam vërtet i mahnitur nga ajo që po ndodh atje.

Por le të shohim se ku mund të jetë fundi i kësaj kryengritjeje. Mund të jetë Irani?
Gjëja më e mrekullueshme do të ishte rënia e tiranisë islamike në Iran. Sepse Irani e tregon qartë se sa më egër dhe sa më përgjakshëm i shtypin njerëzit këta diktatorë, aq më e vështirë bëhet për t’i hedhur që aty. Kjo është teori e vërtetuar. Sa më pak të jenë nën vëzhgimin e CNN-it apo sa më pak të vihen nën presion nga Evropa për t’u sjellë mirë, aq më të lirë janë për të vrarë sa më shumë njerëz. Mendoj se tani e ka radhën Siria. Pastaj mund të kalojë te Irani.

Absolutisht.
Është aleate e Iranit. Nëse Siria bie, mund të ndodhin shumë gjëra të mira.

Çfarë mund të ndodhë më pas? Kam ndër mend këtu Egjiptin, Tunizinë, Libia dhe vende të tjera. S’po flas për Arabinë Saudite, sepse është pak më e komplikuar. Por a është e mundur apo a ekziston rreziku se diktatorë si Mubaraku apo Ben Ali të vijnë prapë në pushtet, diktatorë islamikë?
Ky është rreziku. Mund të largohen diktatorë si Kadafi, por mund të vijnë në pushtet terroristë islamikë të xhihadit. Ne thjesht nuk e dimë përgjigjen e asaj pyetjeje. Kjo është frika, se mund të ndodhë diçka më e keqe.

Por ndërmjet këtyre dy balancave, a mendoni se demokracia është absolutisht më e mira?
Po, mendoj se ka shumë shpresë së populli arab me ndihmën e internetit dhe të një bote të re ku po jetojmë, mund ta përqafojnë demokracinë. Jam shumë optimist, por mendoj se do të duhet shumë kohë. Do të ketë faza të ndërmjetme dhe sisteme hibride politike.

Z. Montefiore, si ju duket Shqipëria gjatë kësaj vizite?
Po më pëlqen shumë këtu. Më pëlqen ushqimi, njerëzit janë tërheqës, gratë janë të bukura. Të gjithë po tregohen shumë të mirë me mua. Prandaj më pëlqen shumë këtu dhe më vjen vërtet mirë.

A është ndryshe realiteti në Shqipëri nga perceptimi që keni ju nga jashtë? Jo ju personalisht, por njerëzit në përgjithësi.
Ndoshta do të shkruaj në gazetë në Angli se si më është dukur Shqipëria. Të them të drejtën jam i habitur dhe më tërheq Shqipëria. Siç e thashë edhe në fillim, kam dashur gjithmonë të vija dhe ja ku jam tani.

Cili është libri që doni më shumë?
Të them të vërtetën, e kam shijuar shumë kur kam shkruar “Sashenkën”, romanin tim. Sepse jam dhënë e tëra me mish e me shpirt në atë libër. Është romantik, tronditës. Kam qarë ndërsa e shkruaja. Isha i çliruar nga çdo lloj fakti. Thjesht duhet të krijoja. S’kisha pse krijoja fakte, sepse në fakt librat historikë janë vërtet shumë të vështirë.

Pse?
Prej informacionit të pamat që gjen, pastaj nevoja për ta seleksionuar informacionin, pastaj për ta kthyer në letërsi, dashuria për të bërë sentenca dhe fjali sa më të bukura. Sepse në fakt kam standarde shumë të larta. P. Sh. kur lexova të dy librat, atë për Stalinin dhe për Jeruzalemin, pasi i kisha mbaruar, s’më pëlqyen fare. I kam shkruar edhe një herë që t’i bëja sa më të lexueshëm për këdo, për njerëz jo vetëm të interesuar në histori, por edhe për njerëz që ndoshta s’do të lexojnë më kurrë një libër historie. Ky është synimi im, që të gjithë të lexojnë librat e mi. Prandaj e di se libra si Jeruzalemi, apo Katerina e Madhe do të lexohen nga njerëz që s’u pëlqen shumë të lexojnë libra historie.

Kush është lexuesi i parë i librit tuaj? Gruaja juaj?
Gruaja ime është lexuesja e parë e romanit Sashenka. Edhe ajo është shkrimtare, gjithashtu një grua shumë inteligjente dhe e mrekullueshme. Sigurisht, pa të s’do të mund të shkruaja asnjë prej këtyre librave.

A është e vështirë të kesh edhe një shkrimtare tjetër në familje?
Në fakt, ne shkojmë mjaft mirë.

Është ndonjë lloj konkurrence?
Jo, në fakt jemi aleatë.

Cili do të jetë libri juaj i ardhshëm? A po punoni për një libër?
Jo, them se mund ta kemi mbyllur tani për tani me Jeruzalemin. Një nga arritjet më të mëdha është që u përkthye shumë shpejt në Shqipëri, nga “55”-a. Z. Balliu e ka përkthyer në një kohë rekord, sa mund ta quaja heroike përpjekjen e tij për ta botuar.

Mund të themi se të gjithë librat tuaj janë përkthyer në shqip.
Po, të gjithë librat e mi janë përkthyer në shqip dhe jam shumë krenar për këtë. Jam shumë i kënaqur që shqiptarët i pëlqejnë dhe shpresoj t’i lexojnë të gjithë. Kështu mund të komunikojnë me mua nëpërmjet internetit, facebook-ut dhe të më thonë në i kanë pëlqyer ose jo. Sepse kjo më pëlqen shumë. Më pëlqen bota e re. Sepse si një shkrimtar është kënaqësi e madhe që mund të flas me shqiptarë, p. sh. dhe të kem lidhje me njerëz të largët.

A keni takuar politikanë shqiptarë gjatë vizitës?
Shpresoj të takoj më shumë politikanë. Shpresoj të takoj. Kam takuar shumë prej ministrave të qeverisë suaj tashmë.

Cila është përshtypja juaj?
Ministrat më duken shumë elegantë. Jam vërtet i habitur. Më duken tërheqës dhe siç e thashë, të sofistikuar, sa shumë mirë mund të ishin ministra në Britani, Amerikë, apo diku tjetër. Më duhet të them se kam mbetur pa fjalë.

Z. Montefiore, ka shumë komente në media, sidomos në internet dhe gazeta për lidhjen mes familjes suaj dhe asaj mbretërore në Britani. Si është e vërteta?
Ne kemi marrëdhënie miqësie me disa pjesëtarë të familjes mbretërore. Unë dhe gruaja ime i kemi miq, sidomos princin e Uellsit. Ai është një mik i familjes sonë. Është një njeri shumë tërheqës.

A janë lexues të librave tuaj?
Mendoj se i lexojnë librat e mi. Pastaj më ndihmojnë shumë. P. Sh. Me librin Katerina e Madhe, princi i Uellsit u shkroi muzeve në Shën Peterburg që të më ndihmonin. Kështu që më ka mbështetur shumë gjatë punës sime. Kjo e bën vërtet një njeri dhe një mik të mrekullueshëm. Ai do të ishte gjithashtu një mbret i mrekullueshëm një ditë.

Z. Montefiore, pas kësaj vizite të shkurtër në Shqipëri, a keni në plan që të vini dhe të qëndroni më gjatë?
Po. A do të më merrni në program, kur të kthehem një ditë? Po, do të më pëlqente shumë. Jam shumë i emocionuar, sepse kam marrë një titull honorifik nga universiteti. Nesër do të flas me studentët për rreth një orë, kështu që ata mund të më bëjnë çfarë pyetje të duan, publike ose private, për librat, apo sido qoftë. Shpresoj të kthehem një ditë dhe të jap leksion në universitet ose thjesht të kthehem.

Faleminderit që erdhët sonte këtu dhe shumë faleminderit për këtë libër të mrekullueshëm.
Shumë faleminderit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›