Zaganjori, emër drejt rrëzimit
Kur parlamenti vendosi që raundi i dytë për votimin e Presidentit të bëhet paraditen e të hënës së 4 qershorit, në orët e fundit janë intensifikuar takimet jopublike për procesin e zgjedhjes se presidentit. Kështu, përflitet se Ilir Meta është takuar me Edi Ramën, takim përgjatë të cilit me shumë gjasë kandidatura e Xhezair Zaganjorit ka rënë si emër konsensual për postin e lartë, raporton Vizion Plus.
Gjate ditës së sotme gjithashtu mësohet se kreu i LSI-së, Meta është takuar edhe me shefin e mazhorancës Berisha, në përpjekje për të dalë me një kandidat konsensual për president. Rreth orës 14:00 të dy protagonistët e koalicionit qeveritar, Berisha e Meta, kanë biseduar në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke shfrytëzuar edhe faktin që gjatë gjithë paradites ka zhvilluar punimet e rregullta seanca plenare. Mësohet se të tjerë emra po ngrihen e bien ne tryezën e negociatorëve dhe në fjalorin politik është rikthyer teza e një zgjidhjeje me konsensus te gjitha palët. Ilir Meta duket se ka marre përsipër rolin e ndërmjetësit në gjithë këtë histori, duke tentuar madje qe jo vetëm të konkludojë me një emër që do ta kënaqte edhe Berishën edhe Ramën, por edhe të tentojë një takim mes të dyve. Një parapërgatitje terreni për një ulje bashkë të krerëve te PD e PS, në fakt, Meta e ka bërë edhe gjate ditës së sotme, kur në një aktivitet të Lëvizjes së Gruas për Integrim ka folur për dobinë e takimit Berisha-Rama. Orët e ethshme të politikes vazhdojnë në kërkim të një emri, që do të bashkonte të gjitha palët dhe deri në raundin e dyte të votimit, situata mund të ndryshojë shumë herë.
Presidenti, propozohen 2 emra
Ndërsa raundi i parë për votimin e kreut të ri të shtetit është ezauruar dhe kur në 4 qershor është vendosur të zhvillohet raundi i dytë, shoqëria civile, u propozon partive politike dy emra të cilët mund të merren ne konsiderate, gjatë raundit të negociatave për Presidentin.
Vizion Plus ka siguruar letrën e cila mësohet se i është shpërndarë të gjithë deputeteve të kuvendit të Shqipërisë, me postë elektronike. Sokol Sadushi, ish-anëtar i gjykatës kushtetuese dhe Valdete Sala, veprimtare e shoqërisë civile, janë figurat që pretendohet se plotësojnë kriteret për të qenë në listën e përzgjedhjes për kreun e ri të vendit. Te kontaktuar me telefon një pjese e firmëtarëve thonë se emrat nuk janë për publikun e gjere, por për partitë politike të cilat duhet ti marrin ne konsiderate këto 2 propozime. Sokol Sadushi ka ushtruar profesionin fillimisht si jurist dhe me pas si avokat. Nga viti 91 deri me tani ushtron mësimdhënien si rektor i se drejtës administrative pranë Fakultetit te Drejtësisë dhe Shkollës se Magjistraturës. Prej 13 vitesh, Sadushi ka qene anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa Valdete Sala, prej shumë vitesh drejton fondacionin Soros në Shqipëri.