E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritan Shehi: Nuk ka rëndësi në cilin raund zgjidhet presidenti, rëndësi ka të zgjidhet

Share

Deputeti demokrat Tritan Shehi, tha se kandidati i mazhorancës, Xhezair Zaganjori, mbetet kandidaturë potenciale për postin e kreut të shtetit, pavarësisht se u kundërshtua nga opozita në raundin e parë të votimit. Duke folur për studimepolitike.com, ai tha se është normale që të zgjidhet një president edhe në raundin e pestë. Nuk mund të parashikoj se si do të shkojë raundi i dytë. Shpresojmë, që do të ketë një kompromis, por edhe në qoftë se nuk ka, edhe ky është një zhvillim brenda hapësirave që jep ligji. Pra, rëndësi ka që gjithçka të zhvillohet brenda hapësirave që jep kushtetuta. Për mua nuk ka asnjë rëndësi, nëse do të zgjidhet në raundin e dyte, të tretë, të katërt apo të pestë. Rëndësi ka, që ky është një proces, që do të finalizohet pozitivisht, tha Shehu.

Së pari, mazhoranca ka shpallur vetëm një emër, që është Xhezair Zaganjori. Së dyti, kjo kandidaturë nuk ka dështuar akoma. Është një emër substancial dhe real. Së treti, edhe ky, është një emër që ende nuk është paraqitur zyrtarisht me firmat e deputetëve, pasi pritet që të negociohet me opozitën, që në rast se gjenden hapësirat, atëherë kjo kandidaturë të hyjë në votim si kandidaturë e përbashkët. Dua të them, se Zaganjori është një njeri dinjitoz. Unë e njoh mirë, sepse ka qënë ambasador, kur unë isha ministër i jashtëm. Ia njoh vlerat dhe për mendimin tim i përmbush të gjitha kriteret për të qenë president i vendit. Sidoqoftë, bëhet fjalë për zgjedhje, që në fund të fundit janë politike. Ndërkohë unë shpresoj, që opozita të dalë nga një ngërç i saj i brendshëm. E them këtë, sepse mendoj, se opozita po përpiqet të bëjë lojën e saj në nivelet bllokuese dhe jo në nivele zgjidhëse e gjithpërfshirëse. Kjo ka krijuar një ngërç, i cili nëse nuk do të zgjidhet brenda opozitës, atehërë do të çojë procesin në zgjedhjen e presidentit me 71 vota. Pra, unë emndoj se kjo do të varet nga zhvillimet e brendshme të  opozitës dhe dalja e saj nga qëndrimi bllokues, ndoshta për arsyet e saj të brendshme, apo për arsyet e një vizioni të gabuar politik që ka opozita, duke synuar ti hapë punë mazhorancës me anë të bllokimit të reformave dhe zhvillimeve pozitive për vendin. Në çdo pikëpamje që ta analizojmë problemin del, se qëndrimi i opozitës është i gabuar. Jam i bindur, se nëse del opozita nga ky ngërç, atëherë zgjidhja do të gjendet qysh në raundin pasardhës. Në të kundërt zgjidhja do të gjendet në raundin e katërt, apo të pestë, vijoi më tej ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›