E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stopohet procesi i zgjedhjes së një presidenti konsensual

Share

Mesazhet e Brukselit bien në vesh të shurdhër në Tiranë. E vetmja që zien është media që shpik konsensuse dhe negociata. Në fakt asgjë nuk ka lëvizur përveç Ilir Metës që del çdo gjysëm ore në çdo televizion. Për të mbrojtur atë që ka humbur me kohë: integrimin

Një ditë pas dështimit të raundit të parë të votimit për presidentin gjërat nuk kanë lëvizur aspak përpara. I vetmi që ka lëvizur ka qenë ndoshta Ilir Meta, që po tenton të bëjë protagonistin. Por sërish gjithçka në nivelin e deklaratave. Berisha dhe Rama nuk u bënë të gjallë për mediat. Ndërkohë që në gazeta e televizione vërshuan deklarata e hamendësime se gjërat po shkojnë drejt konsensusit. Në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Flitet për takime të Metës me Ramën dhe të Metës me Berishën, por asgjë e konfirmuar zyrtarisht.

Disa media të Brukselit kanë rikujtuar deklaratën e Komisionerit Fyle se duhet nxituar se vendi mund të humbasë sërish mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Për Fylen nuk u kujtua askush të flasë sot. Të gjithë e dinë se shanset për të marrë statusin kandidat janë minimale. E di edhe Ilir Meta, që ngriti një koalicion me Berishën për integrimin. Po ashtu e di që konsensus do të thotë të dëgjosh e të ulesh me opozitën.

Por mazhoranca madje bëri një shfaqje tjetër force kur me kartona vendosi të caktojë datën e votimit të dytë më 4 qershor. Me ato kartona ka vendosur të çajë përpara. Disa deputetë të PD po shfaqen në media, duke folur me gjuhën e Berishës që po shkojmë drejt konsensusit, por se edhe zgjedhja me 71 vota është e drejtë.

Nga ana tjetër në media ka nisur të shfaqet kandidati i mazhorancës, Xhezair Zaganjori, që deklaron se do jetë kandidat deri në raundin e tretë, duke konfirmuar në njëfarë mënyrë se ai ka hyrë në garë për të qenë konsensual. Astrit Patozi i PD dhe Petrit Vasili i LSI thonë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga emri i tij, pasi nuk duan të tallen me shqiptarët dhe as më vetë kandidatin. Ndërkohë dy drejtues të tjerë partish, Shpëtim Idrizi i PDIU dhe Vangjel Dule i PBDNJ deklarojnë se një tryezë si në vitin 2007 vetëm sa do merrej me thashetheme.

Në këto kushte vetëm diçka po i gëzon demokratët, që koalicioni është në një mendje për të zgjedhur një president. Kjo ka rëndësi për ta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›