Zagreb/ Gjekmarkaj takim me homologun Reiner, mbështetje Kroacisë mbi integrimin europian

Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi një takim në Parlamentin e Kroacisë me nënkryetarin e këtij institucioni, akademikun dhe kardiologun Željko Reiner.
Gjatë takimit, Gjekmarkaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian, si dhe ndaj Kosovës. Ai vlerësoi gjithashtu qëndrimin e Kroacisë lidhur me ish-komandantët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Gjekmarkaj gjatë bisedës përcolli në emër të liderit të opozitës, Sali Berisha, përshëndetjet për kryeministrin kroat Andrej Plenković, të cilin e cilësoi si kryetar të një partie të qendrës së djathtë dhe aleate në Partinë Popullore Europiane.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua zhvillimeve politike në Shqipëri. Gjekmarkaj tha se ngriti shqetësime lidhur me zgjedhjet, të cilat, sipas tij, janë kontestuar edhe nga OSBE/ODIHR. Ai deklaroi se në vend vijon një klimë protestash dhe pakënaqësie, ndërsa opozita, sipas tij, është përjashtuar nga jeta institucionale dhe nga diskutimet për reforma, përfshirë reformën territoriale dhe atë zgjedhore.