E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zagrebi vlerëson balerinin shqiptar

Ai vetë e ka thënë se me shumë punë dhe me shumë dashuri e përkushtim për artin, mund të arrihen të gjitha, e madje të vlerësohesh për mundin e derdhur. "Çdo gjë vjen gradualisht", ka thënë Ilir Kerni dhe duket se për të vlerësimet janë të merituara. Për më shumë se një dekadë i është kushtuar baletit jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai ka dhënë e vazhdon të japë kontributin e tij në Teatrin Kombëtar të Zagrebit. Ilir Kerni, një nga balerinët më të njohur e më të vlerësuar shqiptarë, pak më shumë se një javë më parë është nderuar me "Plaketën e Zagrebit". Emocionet kanë qenë të mëdha për të. Është prekur dhe emocionuar për vlerësimin. Më 30 maj, në Ditën e Zagrebit, kryetari i bashkisë, Milan Bandiç, në një ceremoni ku u nderuan personalitetet më të spikatur të të gjitha fushave, vlerësoi edhe balerinin shqiptar, Ilir Kerni, i vetmi nga Teatri i Zagrebit me këtë çmim të veçantë. "Unë nuk e kisha menduar që do të nderohesha nga qyteti im i dashur (pas Tiranës), Zagrebi", thotë Ilir Kerni, i cili u nderua mes intelektualëve të fushave të ndryshme të Kroacisë. E balerini, që e ndien veten pjesë të vendit i cili i dha më shumë sukses nga sa mund të kishte imagjinuar në kohën kur u largua nuk i fsheh emocionet. "Për mua është një kënaqësi e veçantë vlerësimi me këtë çmim. Me sa duket, paskam lënë sadopak gjurmë në këtë vend", shton mes emocionesh ai. "Plaketa e Zagrebit" iu dorëzua artistit shqiptar vetëm pak ditë pasi festoi ditëlindjen e tij të 50-të. Për këtë arsye, emocionet e Ilir Kernit dyfishohen. As që i kishte shkuar ndër mend ndonjëherë se do të ishte edhe ai pjesë e këtij vlerësimi të rëndësishëm për personalitetet kroate. Kroacia duket se ka qenë për Kernin vendi i mundësive të mëdha në shumë kuptime. Teatri Kombëtar i Zagrebit, me një traditë më shumë se 140-vjeçare, i ka falur mjaft shqiptarit, i cili la Shqipërinë dhe me një bursë të UNESCO-s shkoi për specializim në Operën e Parisit dhe atë të Strasburgut. Fati e donte që të takohej me një drejtor, i cili i propozoi t‘i drejtohej Kroacisë. Sot, 50-vjeçar, ai ka zgjedhur të mos ndalet. Ka ende për të bërë e për të dhënë. Ilir Kerni, baletmaestër i Teatrit Kombëtar të Zagrebit, i kalon ende ditët duke u ushtruar. Ditët e tij janë intensive, prova, projekte e premiera të reja të cilat vazhdojnë të mbushin jetën profesionale. Në 30 vite karrierë, Ilir Kerni numëron dhjetëra role të spikatura në balete si "Liqeni i mjellmave", "Giselle", "Arrëthyesi", "Bukuroshja e fjetur", "Copelia", "Les Silfides" etj. Ndërkaq, ai ka interpretuar në vende të ndryshme, si në Itali, Francë, Belgjikë, Austri, Holandë, Spanjë, Zvicër, Angli, Greqi, Turqi, Kinë, Japoni, Hungari, Gjermani etj. Ilir Kerni festoi më 18 maj 50-vjetorin e lindjes. Ai erdhi në jetë në Tiranë, në vitin 1959. Pasi përfundoi Akademinë e Baletit në vitin 1977, u angazhua menjëherë si balerin i parë në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku për aktivitet të shquar artistik u vlerësua me një sërë titujsh, si "Artist i merituar", "Çmimi i Republikës", u dekorua me urdhrin "Naim Frashëri i klasit II" etj. Në të njëjtën kohë është angazhuar edhe si pedagog në Akademinë e Baletit, Tiranë. Po ashtu, si pedagog ka qenë i angazhuar dhe në Tokio, Francë, Kroaci. Në vitin 1990 fitoi bursën e UNESCO-s për pedagogji e kërcim në "Grand Opera" në Paris. Pasi e përfundoi këtë të fundit, u angazhua në "Opera de Strasburg". Nga 1994 e deri më sot është i angazhuar si balerin i parë në Teatrin Kombëtar të Zagrebit, ku edhe këtu, për punë kualitative, është dekoruar disa herë me çmimin "Oskar Ormosh", si dhe në vitin 2002 iu dha "Çmimi më i lartë në Kroaci" për rolin e Mefistofelit në baletin "Faust", si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera. Më 2005-ën i është besuar edhe detyra e baletmaestrit të trupës, ku është i angazhuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›