"Kult 2009", çmimet për më të mirët
Sot në mbrëmje, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të zhvillohet ceremonia për ndarjen e çmimeve "Kult 2009", ku do të vlerësohen me çmime 10 personalitetet më të mirë të vitit 2008, si dhe aktiviteti më i mirë i vitit. Në 10 kategoritë e caktuara, sipas fushave të ndryshme të artit, konkurrojnë 4 artistë. Artistët pjesëmarrës në këtë konkurs vlerash artistike dhe kulturore janë vlerësuar për veprimtaritë e zhvilluara në vitin që lamë pas nga Akademia Kult. Në kategorinë "Libri artistik i vitit" merr pjesë edhe gazetari Fatos Baxhaku, me vëllimin e reportazheve "Gur". Ai është në konkurrim me Lindita Ahmetin me vëllimin poetik "Lulja Alba", Ben Blushin me romanin "Të jetosh në ishull", dhe Ismail Kadarenë me romanin "Darka e gabuar". Ndërsa në kategorinë "Regjia e vitit" konkurron regjisori i njohur Altin Basha, me veprën "Allegreto Albania". Ai është përballë regjisorëve Erion Kame me "Kulla e Fildishtë", Arben Kumbaro me "Franku V", dhe Milto Kutali me veprën "Për mua, Miriam dhe Sandri". Për të arritur në natën finale të "Kult 2009", garën e kanë nisur 26 interpretues lirikë, 38 instrumentistë, 120 artistë pamorë në ekspozita personale e të përbashkëta, 61 aktorë, 49 aktore, 24 regjisorë, 125 libra artistikë, 110 albume muzikore dhe 56 aktivitete në të gjithë vendin. Fituesit do të përzgjidhen falë një votimi të kombinuar mes jurisë dhe televotuesve.