Zahiretë e dimrit, amvisat në Polenë vazhdojnë traditën shekullore

Amvisat në zonën e Korçës prej kohësh janë duke punuar për zahiretë e dimrit, të cilat janë mjaft të shijshme dhe të nevojshme për stinën e ftohtë.
Në u ndalëm në fshatin Polenë, ku gjetëm zonjën Anila Veshi, e cila ishte duke përgatitur trahanin e ëmbël, ndërsa na tregon edhe të tjera produkte të prodhuara prej saj.
“E përgatisim trahanin e ëmbël me qumësht. Ka edhe trahan të thatë, me qepë, domate dhe piperka; petka, e plot gjëra të tjera. Tani fillojnë edhe turshirat. Me të dalë specat e verdhë mbushen piperkat me gjizë. Bëhen gogozharet në vazo, lakrat e të gjitha,” thotë znj. Veshi.
Janë të shumta amvisat në këtë fshat por edhe në zona të tjera të Korçës, të cilat vazhdojnë me fanatizëm këtë traditë të bukur të prodhimit të zahireve të dimrit, traditë që u është përcjellë nga nënat e gjyshet e tyre, e që sot kërkojnë ta përcjellin edhe në brezat e rinj.
“Këto i kemi mësuar nga nënat tona, mamatë dhe gjyshet, që kanë qenë amvisa shumë të mira. Kanë punuar me varfëri dhe përkushtim për të bërë gjëra që kishin mundësi t’i gatuanin vetë. Kështu ka vazhduar tradita vit pas viti,” shprehet ambisa nga Polena.
Zahiretë e dimrit janë mjaft të kërkuara edhe nga qytetarët e tjerë e vizitorët, të cilët jo vetëm i shijojnë këto gatime gjatë qëndrimit në zona të ndryshme të Korçës, por edhe i blejnë, çka është një mundësi e mirë për amvisat korçare për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.
/rtsh.al/