Nder Malësisë së Gjakovës për çka bërë për të gjithë shqiptarët
Presidenti Sejdiu, “Qytetar Nderi” i Komunës Margegaj
Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, iu nda titulli “Qytetar Nderi”, nga Komuna Margegaj, organizuar në Bajram Curri. Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi morën pjesë deputetë të Parlamentit shqiptar, përfaqësues të pushtetit lokal të Bajram Currit, të Kukësit si dhe përfaqësues tjerë të jetës politike e kulturore të vendit. Çmimi “Qytetar Nderi”, iu dha nga Regj Biberaj, kryetar i Komunës Margegaj. Me këtë rast, ish-presidenti Sejdiu tha se ndjehet shumë i nderuar që mori pjesë në këtë ceremoni solemne, për të marrë çmimin “Qytetar Nderi” i Komunës Margegaj. “Nderi që më bëhet mua si ish-president i Republikës së Kosovës, u përket të gjithë qytetarëve të vendit tim, njerëzve të urtë dhe fisnikë, që bënë sakrificat më të mëdha, për të qenë sot të lirë dhe sovran në atdheun tonë të dashur”, tha ish-presidenti Sejdiu Ai foli edhe për ndarjet historike që i janë bërë popullit shqiptar, atij në Kosovë dhe atij në Shqipëri. “Kufiri tragjik, vija që preu shpirtin dhe zemrën e etërve tanë, që ra mespërmes arave, livadheve, shkëmbinjve, lumenjve, fshatrave dhe qyteteve, bëri që jeta e familjes sime, sikur edhe e gjithë shqiptarëve, të kishte kaq shumë dhimbje dhe vuajtje. Ju e ndjeni më së miri, sikur që e ndjen Gjakova, çfarë do të thotë kjo ndarje, kur prehet mesmpërmes qenia e të jetuarit në një hapësirë të përbashkët fryme dhe trupi”, u shpreh Sejdiu, duke shtuar se puna e tij e deritashme ia ka vlejtur. “Prandaj, ia vlente të punohej dhe të sakrifikohej për të mundur ndarjen dhe për të pasur lirinë”, tha Sejdiu. “Si profesor i së drejtës, si bashkëpunëtor i presidentit historik Rugova, si lider i LDK-së, president i Republikës së Kosovës, prore kam pasur moto: kundër ndarjes dhe për lirinë ia vlen të punosh përjetë”, u shpreh mes tjerash, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai, në emër të qytetarëve të Kosovës, falënderoi Malësinë e Gjakovës e Tropojën për, siç tha ai, “atë që bëtë për shqiptarët dhe Kosovën”. “Si edhe e gjithë Shqipëria, ishit zemër përherë e hapur për të gjithë ata që u detyruan të kërkonin një hapësirë shpëtimi, ishit pjesë e sakrificës për lirinë e Kosovës dhe po kështu pjesë e fitores. Pa ju dhe mbështetjen Tuaj të fuqishme, përgjatë gjithë historisë dhe në veçanti në luftën e fundit nuk do të mbërrihej ideali i lirisë, për të cilën u sakrifikuan breza të shumtë”, theksoi Sejdiu. “Ne jemi të përcaktuar që të punojmë bashkërisht, që emri shqiptarëve në Evropën e Bashkuar të jetë i vlerësuar për punë dhe vlera qytetëruese, për lirinë dhe tolerancën”, u shpreh ish-presidenti Dejdiu. Ai foli edhe për bashkëpunimet mes dy vendeve, e veçanërisht qyteteve kufitare nga të dyja anët e kufirit. “Do të dëshiroja të theksoj pikërisht nga ky vend se tash kur Republika e Kosovës është e pavarur dhe sovrane, janë shtuar mundësitë e realizimit edhe të projekteve të përbashkëta. Komuna e Gjakovës, Deçanit dhe Junikut veçmas, mendoj se duhet të rrisin bashkëpunimin në të gjitha fushat me këto anë, mbasi zhvillimi modern, nuk mund të bëhet pa hyrë në një proces të madh integrimesh rajonale dhe më gjerë në Evropën e Bashkuar. Këto integrime janë shansi i Tropojës, Gjakovës i Shqipërisë dhe i Kosovës, si dhe i gjithë rajonit. Me këtë rast dua të theksoj, se Shqipëria dhe Kosova edhe më tepër duhet të krijojnë mundësi të favorshme investimesh dhe ato duhet shfrytëzuar bizneset dhe qytetarët”, shtoi Sejdiu. Ai foli edhe veprën e, siç e quajti ai, “heroit të demokracisë”, Azem Hajdari, “birin e kësaj Krahine, që i dha një forcë shkatërrimit të diktaturës dhe krijimit të shoqërisë demokratike”. “Po natyrisht, se Malësia duhet të ndjehet me fat, që i dha Shqipërisë liderin demokrat, Sali Berisha, mikun tim, me të cilin punuam bashkë kohë të gjatë në të gjitha proceset e arritjes se pavarësisë dhe të ndërtimit të shoqërisë së lirë dhe demokratike në Kosovë”, u shpreh Sejdiu.