E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamir Shtylla: Videoja mund të merret si provë

Zamir Shtylla, ish-drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme tha se ekzistojnë të gjithë mundësitë për të zbardhur të ashtuquajturin skandali i përgjimit Prifti-Meta. Sipas avokatit Shtylla, përgjimi i realizuar nuk është një provë, por një indicie, për të dërguar hetuesit te prova dhe zbardhja e të vërtetës. Përmes një interviste për “GSH”, Shtylla theksoi se çdo episod i përgjuar është objekt hetimi me vete dhe veç të tjerash, ai vuri theksin të fakti, që duhen hetuar veprimet e kryera nga z. Prifti, pra nëse ai i ka përmbushur apo jo urdhrat e dhëna nga eprori i tij në këtë rast z. Meta. Juristi Shtylla theksoi se nëse Dritan Prifti do të gjendej përballë urdhrave të paligjshme dhe presioneve për t’i zbatuar ato, jo vetëm që nuk duhet t’i zbatonte, por duhet të mbante një qëndrim institucional dhe t’u drejtohej organeve kompetente…
Z. Shtylla, besoj jeni në brendësi të përgjimit Prifti-Meta të publikuar ditët e fundit. Sipas jush ka ndonjë mundësi që të hetohet kjo çështje?
Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të zbardhet gjithë e vërteta. Kaseta e përgjimit është një prove, e cila mund të shqyrtohet si të gjithë provat e tjera. Në gjykatat shqiptare, ka pasur praktika të ndryshme, por në shumicën e rasteve të tilla përgjime nuk janë konsideruar prova.
A mundet prokuroria ta marrë si provë këtë bisedë të përgjuar dhe mbi bazën e saj të ngrejë një akuzë?
Përgjimi në vetvete nuk përbën provë. Përgjimi është një mjet që të dërgon te prova, qoftë ky përgjim nga organet e drejtësisë, apo nga persona privatë. Për të shkuar te prova, duhet të vërtetohet ajo çfarë thuhet në përgjim, pra në bisedën verbale. Duhet të vërtetohet nëse biseda ka ndodhur apo jo, nëse kaseta është e montuar ose jo. Ajo çfarë është më e rëndësishme, janë problemet që ngrihen në atë bisedë të zhvilluar dhe të cilat duhet të hetohen.
Pra, sipas jush përgjimi mund t’i shërbejë prokurorisë për të nxjerrë të vërtetën në shesh?
Të gjitha episodet që shtrohen në bisedën e përgjuar përbëjnë një objekt hetimi me vete. Duhet të pyetet Dritan Prifti nëse biseda pasqyron ose jo të vërtetën, ashtu sikurse z. Meta duhet të japë komentet e veta. E rëndësishme është që nuk përbën provë ajo çfarë është biseduar dhe regjistruar në kasetë, por provë përbëjnë veprimet konkrete të z. Priftit lidhur me urdhrat dhe porositë që ka marrë nga z. Meta.
Ju thoni se duhet të hetohen veprimet e z. Prifti?
Po, është mjaft i rëndësishëm fakti nëse përbëjnë shkelje veprimet e kryera nga z. Prifti mbi bazën e urdhrave të marra z. Meta. Duhet sqaruar nëse ka shkelje ligjore, apo gjendemi përpara një problemi moral.
Ka shumë rëndësi të kuptohet se këto biseda dhe porosi janë të një niveli të lartë funksionar. Nëse urdhrat e dhëna nga z. Meta binin në kundërshtim me ligjin, atëherë z. Prifti nuk duhet t‘i kishte zbatuar, pavarësisht faktit kush ishte eprori i tij, qoftë në linjë shtetërore apo partiake.
Sipas jush, si duhet të kishte vepruar z. Prifti?
Z. Prifti është ministër shteti dhe si një burrë shteti nuk duhet të ishte marrë me regjistrim bisedash, por duhet të mbante pozicion parimor dhe ligjor ndaj z. Meta. Nëse ky i fundit jep porosi të kundraligjshme, ishte e detyrë e z.Prifti si ministër që t’ia bënte të qartë se porositë dhe urdhrat e kundërligjshme nuk mund të zbatoheshin. Duhet të kishte kurajën që t’ia thoshte mendimin e tij hapur dhe vetëm nëse ndodhej përballë një presioni dhe shantazhi mund tu drejtohej organeve të drejtësisë dhe që të kishte vlerën e duhur, kallëzimin duhet ta bënte në kohën dhe vendin e duhur.
Nga biseda që keni dëgjuar si ju duket dialogu?
Për aq sa jepet në kasetë, dhënia e porosive nuk shoqërohet me diktat, por duket një bisedë jo e moralshme, por mes dy miqsh, e pashoqëruar me presione verbale.
Si duhet të veprojë prokuroria?
Organi i hetimi duhet të sqarojë në mënyrë të shpejtë dhe duhet të jetë transparente me opinionin publik si një organ që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, që të mos e lënë këtë problem që t’i jepet shkak vazhdimit të luftës politike të pamoralshme.
Pra, është e domosdoshme që akuzat politike të bëhen transparente dhe opinioni publik duhet të dijë të vërtetën nga ky organ që ka detyrimin kushtetues për të qenë garant i interesave të qytetarëve. Ka detyrimin moral për të bërë transparencë. Zvarritja e çështjeve që kanë prapavijë politike është e dëmshme për interesat e shoqërisë dhe ul besimin e njerëzve në organet e drejtësisë. Ky është një problem (çështje) që duhet të merret drejtpërdrejtë Prokuroria e Përgjithshme pasi si njëri dhe tjetri, pra si z. Prifti dhe z. Meta janë deputetë dhe njerëz me imunitet. 

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›