E Diel, 1 Nëntor 2026

Zamira Koleci: “Sivjet ka ndryshuar mënyra e votimit, shpresojmë të jemi në 10-she”



Juliana Pasha përfaqëson Shqipërinë në garën e 39 vendeve konkurrente në Festivalin Europian që organizohet në Oslo. Do të këndojë anglisht, do të dalë pa koreografi në një perfomancë shumë energjike. Të tjera detaje rreth këtij përfaqësimi në Eurovizion i zbulon në këtë intervistë drejtoresha e Radio Tiranës, Zamira Koleci:
Festivali Europian po afron, në ç’fazë jeni me përgatitjet?
Jemi vërtet në përgatitjet e fundit. Delegacioni që do të shkojë në Oslo (Norvegji) përbëhet nga këngëtarja Juliana Pasha, autorët Ardit Gjebrea, Pirro çako (bashkautor në tekst), orkestruesi i këngës Shpëtim Saraçi, këngëtaret e xhazit; Joy Garrison, Glenys Vargas dhe Desiree Kedjou tre backvocals që vijnë nga Italia, violinisti Olen çezari shumë i suksesshëm, dhe Joni Peçi që ka stiluar veshjen dhe kujdeset për perfomancën. Ne konkurrojmë të 12-tët më 25 maj, për herë të parë në natën e parë të festivalit. Mendoj se përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovizion çdo vit ka rritje cilësore, por këtë vit vërtet do të jetë një përfaqësim më interesant. Që nga mënyra si prezantojmë këngën me një videoklip shumë të arritur dhe deri te disa kartolina me dedikim që Juliana do ua shpërndajë fansave për herë të parë.
Olen çesari do të jetë pjesë e këtij perfomimi. Pse vendosët që në skenë të jetë një violinist?
Olen çesari është një violinist shumë i suksesshëm në Itali dhe vlera e tij në atë skenë nuk qëndron vetëm në interpretim sepse baza muzikore është bërë tashmë dhe ai ka kontribuar pasi me violinën e tij është regjistruar kënga. Por ai dallon për një ekspresivitet mbresëlënës nga mënyra sesi i bie instrumentit, dhe që besojmë se do krijojë një larmi për publikun.
Mungesa e koreografisë në skenë a mund të shihet si disfavor duke pasur parasysh që elementit të kërcimit i jepet shumë rëndësi në këtë festival?
Unë mendoj se mund të shihet si diçka e re, pasi krijuesit kanë dashur që në plan të parë të jetë kënga dhe zëri i Julianës. Nuk është se nuk do të ketë perfomancë pasi do të ketë një përafrim të lëvizjeve të Julianës me vajzat, dhe Oleni që do të komunikojë shumë bukur me këngëtaret. Besoj do jetë më mirë pasi skena e Festivalit të ndihmon në këtë perfomancë. Them se jo gjithmonë duhet dalë në skenë me koreografi, ashtu si vitin e kaluar ku pamë që shumë këngëtarë dolën në skenë pa koreografi.
Gjithsesi Juliana është përgatitur për perfomancën, si?
Po është përgatitur jashtëzakonisht shumë. Mesa di unë ajo ka marrë mësime për mënyrën se si do lëvizë, si do komunikojë më spektatorin, dhe besoj se të gjithë e dimë që Juliana është imponuese në skenë. Ka bërë shumë praktikë dhe më bën përshtypje fakti që i merr gjërat shumë seriozisht. Ndoshta është në moshë shumë të pjekur dhe kjo është një sfidë që duhet ta kapërcejë me sukses si këngëtare me potencë.
Ju çfarë e ambiciesh keni, sa afër dhe sa larg finales e shihni Shqipërinë?
Padyshim që ambicia e parë është të hyjmë në finale, edhe pse mund të ketë surpriza të këndshme ose të pakëndshme, gjithçka pritet. Ne patjetër synojmë të gjithë të hyjmë në finale, duke parë edhe vlerësimin që i bëhet këngës sonë në internet. Mbi 500 mijë klikime i janë bërë këngës sonë. Unë personalisht dua të arrijmë në dhjetëshe, pastaj le të shohim.
Meqenëse ky është festival përfaqësues për Shqipërinë, dikush mund të pyeste pse këngëtare me ngjyrë duhet të shoqërojnë Julianën?
Ato janë një pjesë shoqëruese shumë simpatike dhe me shumë reputacion në Itali. Kanë kënduar me këngëtarë të njohur atje, kanë marrë pjesë në festivalin e Sanremos, dhe s’besoj se mund të shihet si problem. Pastaj jetojmë në kohën e globalizmit kështu është gjithçka e pranueshme. Po ashtu do të thosha që të mos harrojmë që ka dhe shtete që nuk marrin pjesë për këngëtarët të tyre në festival. Kjo pasi në rregulloren e festivalit nuk vendosen kufizime të tilla.
Po në mënyrën e organizimit, cila është festa që po përgatit Norvegjia?
Presim një organizim të bukur, pasi organizatorët na thanë që Festivali bëhet në Norvegji po nuk është festivali i Norvegjisë. Janë 39 vende, pjesë e festivalit dhe secili vend ka pjesën e tij. Ne këtë duam, pasi në Finlandë, në Beograd apo Moskë mungonte atmosfera e vendeve pjesëmarrëse.
Dhe si realizohet kjo?
Po ja, në Tiranë erdhi një operator dhe xhiroi këtu një grup të rinjsh, si dhe një familje tipike shqiptare që bëjnë tifo për Julianën. Ky klip do të transmetohet gjatë festivalit, dhe kështu në një farë mënyre do të jetë prezent interesimi i Shqipërisë dhe pasioni i publikut për ta ndjekur këtë festival.
Si do të zhvillohet procesi i votimit këtë vit, do të ketë ndryshime?
Po, duhet ta theksoj se ketë vit votimi me sms hapet që në momentin që fillon festivali dhe mbaron 15 minuta pasi është mbyllur transmetimi i këngëve. Gjithashtu ajo që është e re këtë vit është që juria do të votojë dhe për fazën gjysmëfinale, ndryshe nga më parë që votonte vetëm në finale. Ky për mua është një lajm shumë i mirë, pasi personalisht i besoj shumë votimit të jurisë, pasi është profesionist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›