Klosi:Do dal vetëm nëse do të jem i pavetëdijshëm
Aristir Lumezi
Deputeti Blendi Klosi, i cili ishte i pari që propozoi hyrjen në grevën e urisë, vazhdon të qëndrojë në çadër dhe pse gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë. Klosi vuan nga diabeti dhe mjekët i kanë kërkuar prej ditës që të ndërpresë grevën e urisë e cila mund t’i sjellë komplikacione të pariparueshme për shëndetin. Klosi nuk i është bindur dhe kërkesës së familjarëve të tij për të lënë grevën, të cilët vijnë e takojnë çdo ditë dhe pyesin mjekët për situatën reale të tij. Mësohet se çdo ditë i bëhen analizat në laboratorë të specializuar për të mbajtur nën kontroll parametrat jetësorë. Nga ana e tij, Klosi shprehet se mund të dalë nga greva vetëm nëse është pa vetëdije, ndërsa asnjëherë me ndërgjegje të plotë. Ai shprehet se mesazhet e qytetarëve dhe pjesëmarrja masive e njerëzve në mitingjet e përditshme të pasdites, i japin atij dhe grevistëve të tjerë kurajë dhe forcë për të rezistuar. Klosi tregon si kalon ditën, përkujdesin e mjekëve, situatën e përgjithshme në çadrën e grevës së urisë, mesazhet dhe lulet që marrin çdo ditë nga qytetarë të thjeshtë që çdo ditë bëhen e më të shumtë. Dhe pse ka probleme shëndetësore dhe mjekët thonë se ai nuk duhej të kishte hyrë fare në të, Klosi shprehet se mesazhi më mbresëlënës që ka marrë “është vullneti i mijëra e mijëra njerëzve që janë të gatshëm të na zëvendësojnë ne në rast se diçka do na ndodhë”.
Zoti Klosi si paraqitet aktualisht gjendja juaj shëndetësore, sepse vazhdimisht flitet për një përkeqësim të saj edhe nga ana e mjekëve?
Gjendja jonë shëndetësore është e rënduar në atë masë që ne kemi vështirësi të lëvizim nëpër çadra, është e bezdisshme qoftë të lexosh një libër apo një gazetë, por prapë ne mbahemi dhe situata morale është e lartë. Situata shëndetësore e grevistëve sa vjen e rëndohet, sepse u bënë kaq ditë, por doja të thosha se të tregosh me fjalë është e lehtë, por duhet të jesh këtu brenda të kuptosh atë gjendje dhe atmosferë që përjetohet këtu. Sepse nga jashtë e pamundur të imagjinosh se si mundet të përballohet kjo gjendje dhe duhet ta provosh vetë që të kuptosh se si mundet një njeri të rezistojë kaq ditë pa ngrenë asgjë, vetëm me ujë dhe u bë dita e tetë tashmë që dhe uji po na bëhet i vështirë për t’u kapërdirë poshtë. Ditët e para pinim shumë më tepër ujë, mbase dhe duke e kuptuar se ishte e vetmja gjë që mund të konsumonim, por tani dhe uji është bërë i vështirë në shije për tu kapërdirë. Kjo vjen edhe mbase nga lodhja dhe organet kanë bërë punën e vet dhe kanë shkuar në limitet e tyre, ndërsa mesa duket trupi po ha veten e vet dhe po tregon se paskemi shpirtra të fortë. E kam thënë dhe herë tjetër që në këtë bulevard nuk jemi 200 trupa, këtu është një shpirt që ngrihet nga pjesët e gjithsecilit. Por ne jemi të sigurt se nëse një pjesë të trupit dhe shpirtit ia kemi dhënë kauzës, jemi të gatshëm, që këtë ta çojmë deri në fund. Pra të çojmë në ezaurim të plotë gjithçka na ka mbetur deri në arritjen e qëllimit tonë.
..pjesën më të madhe të kohës e kalon i shtrirë në shtrat për pamundësi të lëvizjes..?
Unë në profesion jam inxhinier elektronik dhe kisha që nga koha e shkollës dhe pak më vonë që nuk kaloja kaq shumë orë para kompjuterit. Kompjuteri është bërë shoku më i dashur, sepse është më i thjeshtë për t’u menaxhuar dhe nuk ke nevojë për të dhënë shumë shpjegime apo për t’iu përgjigjur pyetjes që “ti që je me diabet pse nuk del jashtë grevës”. Gjatë ditës navigoj në internet, kemi IT, shohim filma, lexoj gazeta, libra, ky është regjimi ditor. Për të thënë të vërtetën dita kalon shpejt sepse jemi në ankth të lajmeve të fundit, të debateve, të situatave shëndetësore me kolegët që kanë shqetësime, me vajzat dhe gratë që në fillim ishin shumë të pranishme në gjithë vëmendjen e grevistëve dhe komunikonim, ndërsa tani ato janë rënduar shumë, dhe gjithsecili më shumë rri në krevat e tij dhe mendon.
Që nga dita e parë e deri më sot, e kishit menduar se gjendja shëndetësore do të rëndohej dhe do të ishit në këtë pikë. E kishit kaluar si në një film të gjithë këtë periudhë se si do të ishte jeta në çadër?
Gjendjen e përkeqësuar e kisha kaluar, por nuk e mendoja se trupi mund të rezistonte kaq gjatë. Por kjo gjendje tashmë është bërë fare rutinë. Unë dje pata një komplikacion, iu nënshtrova serumit dhe më pas parametrat m’u stabilizuan dhe tani ndjehem relativisht mirë në sensin që jemi të gjithë të shtrirë nëpër krevatet tona, të qetë, për të kursyer energji. Nëse bënim disa lojëra tavëll gjatë ditës, tani luaj një lojë dhe atë shumë herë me bezdi.
Unë kam folur dhe me profesor Sabitin dhe ai këmbëngul se duhet të dilni, po ashtu dhe kolegët, deputetët por kam përshtypjen dhe nga familjarët. Përse kjo vendosmëri e juaja duke rrezikuar shëndetin, kauza mund të vazhdohet dhe nga të tjerët këtu brenda, nuk ju duket e ekzagjeruar?
Ky është një debat të cilin unë nuk do të doja kurrë ta bëja, doli si informacion dhe ju të mediave jeni disi të veçantë për të qëndruar në këtë koordinatë. Unë kam probleme me diabetin. Nga tre diabetikë që ishim këtu brenda, dy shokë kanë dalë dhe mendoj se kanë bërë shumë mirë. Pothuaj të gjithë kolegët dhe shokët këtu brenda kanë nga një problem të vetin, por ne po përpiqemi që t’i menaxhojmë këto me stafin mjekësor dhe unë nuk do dilja kurrë nga kjo grevë me këmbët e mia, edhe me barelë do të dilja nga këtu vetëm nëse nuk do të isha i vetëdijshëm.
Si ndryshon psikologjia juaj nga orët e paradites në orët e pasdites, kur shumë mbështetës mblidhen në protestën e radhës dhe dëgjoni fjalimet që mbështesin kauzën tuaj?
Ky realisht është një fenomen interesant, se si paradite të gjithë janë të shtrirë dhe është vështirë të shohësh dikë që të komunikojë me shokun ngjitur. Ndërsa pasdite ka një elektrizim të këtij ambienti që vjen nga forca që transmetojnë mbështetësit tanë që mblidhen para çadrës sonë. Ata na bëjnë që të harrojmë se kemi ditë pa ushqim, na bëjnë të çohemi, të jemi entuziastë, ti përgjigjemi, tu buzëqeshim, t’i falënderojmë për lulet që na sjellin, apo të shkëmbejmë lule me ta, të shkëmbejmë mesazhe force dhe inkurajimi e qëndrese. Të gjithë veprojnë në të njëjtën mënyrë, është e vështirë të gjesh ndryshime në komportimin e 200 grevistëve. Ka një ndjesi kaq të mirë mes nesh dhe s’ka pasur sikur një rast hatërmbetjeje për ndonjë gjë.
Ju keni marrë shumë buqeta me lule, por dhe mesazhe. Cili është mesazhi më pikant i kësaj jave?
Mesazhi më mbresëlënës është vullneti i mijëra e mijëra njerëzve që janë të gatshëm të na zëvendësojnë ne në rast se diçka do na ndodhë.