E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: I gatshëm për të negociuar



Aristir Lumezi

Kryesocialisti Edi Rama u shpreh dje i gatshëm të negociojë për gjetjen e zgjidhjes së krizës. “Asnjëherë nuk kemi refuzuar asnjë ftesë nga cilado anë që ajo ka ardhur apo që mund të vijë për të diskutuar çështje të cilat kanë të bëjnë me interesin publik siç është kjo çështje kaq madhore për vendin, kaq madhore për njerëzit, kaq madhore për ardhmërinë e gjithë atyre që Shqipërinë e kanë atdheun e tyre dhe nuk duan ta lënë”, tha Rama dje në mesditë pas vizitës që zhvilloi në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Sapo është kthyer nga Parisi, ku zhvilloi një vizitë 24 orëshe, Rama i është drejtuar qendrës spitalore për të vizituar katër grevistët që u dërguan me urgjencë në spital. Rama vizitoi dje 5 grevistët, të cilët u shtruan në QSUT për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Pas vizitës Rama u shpreh se është i gatshëm për negociata të menjëhershme, si në tryezën që pritet të organizohet nga Presidenti i Republikës Topi ashtu edhe nga maxhoranca.
Kreu i socialistëve, Edi Rama, theksoi për mediat se “kjo është sakrifica më e madhe ndaj një opozite të palëkundur në kërkim të diçkaje kaq elementare si, liria”. Përballë kërkesave të ambasadorëve të huaj dy ditë më parë në takimet me Presidentin Topi, Rama u përgjigj se opozita është gati të dialogojë. “Ne jemi të gatshëm jo vetëm të dialogojmë, por dhe të gjejmë rrugën e zgjedhjes, por edhe të bindur se rruga e vetme e zgjidhjes është rruga e transparencës”, u shpreh Rama. Lidhur me përgjegjësinë për shëndetin e grevistëve pas deklaratave edhe të ndërkombëtarëve Rama tha se “përgjegjësinë për këto dhimbje dhe për gjithë ato dhimbje të tjera që janë ende brenda atyre trupave dhe jo në duart e mjekëve e mban ekskluzivisht pushteti dhe posaçërisht Sali Berisha”.
Protesta
Gjatë protestës së pasdites përballë çadrës së grevës së urisë, kryesocialisti tha se beteja për transparencë, është e pandalshme. Ndërkaq Rama shprehu vlerësimin e tij për vendosmërinë e grevistëve, të cilët, siç tha ai kërkojnë të rikthehen në çadër edhe kur janë dërguar në spital në gjendje të rëndë. Kreu i opozitës nënvizoi se beteja për transparencë nuk do të zgjidhë vetëm çështjen e votës, por do të çlirojë qytetarët nga frika e pushtetarëve. “Sot jemi në një betejë e cila vetvetiu nuk do të zgjidhë vetëm çështjen e transparencës, por do të këpusë nyjën e frikës me të cilën Berisha do të shtrëngojë dita ditës fytin e Shqipërisë që kërkon të thotë me forcë fjalën e vet kundër gjithçkaje që nuk është në interesin e vet” vijoi më tej kryesocialisti duke ftuar qytetarët në protestën e madhe, paraditen e së dielës.
Grupi i pS
Po dje pasdite, pas protestës kreu i grupit socialist bashkë me kryetarin Rama mblodhën grupin e deputetëve. Në mbledhje është vendosur që në javën e dytë të grevës së urisë, qëndrimi i PS të përshkallëzohet dhe me veprime më radikale. Mosbindja civile do të shtrihet në të gjithë vendin. Protestuesit do të bllokojnë akset kryesore rrugore në të gjithë vendin duke vështirësuar në këtë mënyrë qarkullimin e automjeteve dhe duke sjellë kaos në trafik. Rama ka kërkuar më shumë angazhim të deputetëve për të sjellë sa më shumë qytetarë dhe mbështetës në protestën e sotme, por dhe në protestat që PS organizon çdo pasdite para çadrës së grevës së urisë.

Dalipi: Protesta po hap një epokë të re
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, deklaroi dje në protestën e opozitës para çadrës ku po mbahet greva e urisë para Kryeministrisë se, opozita po kërkon të mbyllë një epokë të errët të historisë. Ai tha se sheshi para Kryeministrisë ku po mbahet greva e urisë do të jetë pjesë e historisë. “Këta këtu do të jenë jo vetëm për të hapur kutitë, por edhe për
të hapur një ditë të mbarë për Shqipërisë dhe për të realizuar një mision historik për opozitën shqiptarë, atë për
mbylljen e një epoke historike, e cila i ka rraskapitur të tërë shqiptarët”, tha Dalipi

Majko: Berisha, ulu në tryezë!
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i kërkoi dje në protestë Kryeministrit Berisha që të ulet në tavolinën e negociatave. “Sot e në vazhdim ne i drejtohemi Sali Pashait. Mos e nxij veten më shumë seç e ke nxirë. Ulu në tavolinë e dialogo me vëllezërit e tu! Mendon se i ke më të afërt se Fazlliçin dhe mafien e tij kriminale? Kjo nuk është një çadër që kërkon pushtet, por është një çadër që kërkon liri, - tha Majko. - Nuk duam të bllokojmë ligjin dhe marrëveshjen e vizave, por duam që të heqim vizat mes njëri-tjetrit, – u shpreh Majko, duke vazhduar. - Kjo flamë duhet të marrë fund, pasi ka prekur edhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›