E Diel, 1 Nëntor 2026

Zamira Koleci: Të pakënaqur ka gjithmonë, por ne do ngrejmë juri objektive

 

 Festivali i 48-të i këngës në Radio-Televizionin Publik Shqiptar pritet të jetë në datat 24-27 dhjetor. Këngëtarët, prezantuesit, balerinët, orkestra, juria dhe një skenar që po shkruhet tashmë. Çfarë është vendosur dhe çfarë jo, i tregon në këtë intervistë për "Panorama Plus" drejtoresha e festivalit, Zamira Koleci.  
A mund të na thoni në cilën fazë janë përgatitjet?
Në fakt jemi në kohë me përgatitjet, pasi po punojmë me të njëjtin ritëm që ishim vitin e kaluar, kur festivali u mbajt në mes të dhjetorit. Kemi nisur përgatitjet intensive me orkestrën, ndërsa provat në skenë do të nisin në datën 18 dhjetor.
Janë tërhequr nga gara Besa Kokëdhima dhe Eliza Hoxha, cila është arsyeja dhe si do procedohet më tej?
Në fakt, Besa Kokëdhima është tërhequr personalisht si këngëtare dhe autori i këngës Pirro Çako e zëvendësoi me këngëtaren Rona Nishliu. Ndërsa Eliza dhe kompozitori i këngës Florent Boshnjaku janë tërhequr së bashku nga konkurrimi. Në rastin e parë është një vendim individual i Besës, edhe pse u përpoqëm ta bindim për të kundërtën. Ndërsa në rastin e dytë jemi duke menduar se si do procedojmë pasi vendimet i marrim në kolegjialitet. Pra, nëse do të vazhdojmë konkurrimin me një këngë më pak, apo nëse do mblidhet sërish bordi dhe të vendosë për kualifikimin në garë të këngës së parë që vjen, sipas renditjes së këngëve të përzgjedhura.
Është folur se për herë të parë pas shumë viteve orkestra e RTSH-së do të luajë “live”?
Po, është e vërtetë. Këtë vit për herë të parë pas shumë vitesh orkestra do të luajë “live”, do të vendosim harqet në punë, gjithçka do të bëhet me partitura. Pra, do të eksperimentojmë dhe shpresojmë që t’ia arrijmë edhe pse vështirësia teknike ekziston në sallën e Pallatit të Kongreseve. Në transmetimin direkt do të luhet me harqe, piano, kitarë e bateri.
Kompozitori Aleksandër Lalo nuk do të dalë me kritikat e tij pas festivalit?
Nuk e di, mbase jo. Megjithatë asnjëherë nuk mund të pritet prefeksion në një aktivitet kaq të madh. Priten gjithnjë kritika, por të jenë të bazuara në të vërteta. Ka pasur komente më parë se as këngëtarët nuk këndojnë “live” gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse nëse këngëtarët nuk do këndonin “live” nuk do të na pranonin në “Eurosong”, është kriteri numër 1.Tashmë kemi siguruar pajisjet për të realizuar “live”-in e orkestrës dhe këngëtarëve. Gjithashtu janë katër vajza nga kori i Teatrit të Operas dhe Baletit, që do të këndojnë në back vocals.
Një pikë e rëndësishme e festivalit janë prezantuesit, kush do jenë ata?
Po, u vendos të jenë çifti i këngëtarëve Alban Skënderaj dhe Miriam Cani.
Duke qenë se Alban Skënderaj nuk ka pasur asnjë eksperiencë të mëparshme si prezantues, do deshëm të dinim nëse u ofruan vetë apo ishte një ftesë që ua bëtë ju?
Emrat e tyre u diskutuan që në fillim të përgatitjeve për këtë edicion të festivalit. Shpresojmë të arrijnë një moderim të mirë. Unë personalisht nuk kam qenë shumë dakord, por regjisori Osman Mula këmbënguli për faktin se Albani është një këngëtar sipmatik dhe që publiku e do. Ndërsa Miriamin nuk e njoh personalisht, por mesa di ajo ka eksperiencë si prezantuese në televizionet gjermane, dhe mbase në këtë prezantim do të jetë protagonistja kryesore. Skenari po përgatitet nga Genc Ymeraj, ndërsa është planifikuar që ata do të këndojnë dhe do kërcejnë, arsyeja edhe pse u vendos përfundimisht që të jenë prezantues.
Ndërkohë një pjesë e rëndësishme është dhe koreografia, ç’vend do të zënë balerinët?
Koreografia është përgatitur nga Julian Bulku, i cili do të sjellë një grup baleti profesionist nga Greqia që do të realizojnë pjesë me fabula brenda. Juliani do të përgatisë edhe perfomancat e dy prezantuesve.
Detaje për skenografinë, cila do të jetë simbolika e këtij viti?
Skenografinë e ka ideuar italiani Karlo Cane, skenograf i Rai-t. Do të jetë një skenë e ngrohtë, me elementë të muzikës, nuk dua të zbuloj më shumë… E rëndësishme është që materiali që ai ka përdorur nuk ka përmbajtje metalike, që thyen zërin e këngëtarit gjatë erfomancës “live”.
Kur mbyllet një festival shumë mbeten të pakënaqur. Për t’i shmangur, ju për çfarë jeni kujdesur më shumë?
Pakënaqësitë janë pashmangshme përderisa festivali ka fitues dhe të humbur. Do të kujdesemi për të mbledhur një juri që të jetë sa më objektive. Deri tani nuk janë piketuar ende emra konkretë, por do të jenë personalitete të artit te kulturës që nuk kanë marrë pjesë në juritë e viteve të fundit. Patjetër do të jenë persona me identitet dhe që nuk mund të gjykojnë subjektivisht.
Ka shumë këngëtarë të zhgënjyer dhe që janë betuar se nuk marrin pjesë kurrë në festival. Por ka dhe nga ata që rikthehen sërish…
Kur mbyllet festivali nisur nga kjo që thoni nganjëherë mendoj se askush s’ka për të ardhur vitin tjetër. Por në Shqipëri s’ka shumë mundësi për t’u bërë pjesë e ngjarjeve të mëdha siç është ky festival. Çfarë kam kuptuar është se këngëtarët kanë nevojë për skenën e madhe. Është dëshira për skenën që nuk i lë rehat, e për të mos i thënë jo përfundimisht një konkurrimi të tillë. E megjithatë ka dhe këngëtarë që e kanë mbajtur fjalën deri tani duke mos iu rikthyer më festivalit, siç është Manjola Nallbani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›