“Ardhje 09”, më i miri rezervon biletën për në Nju Jork
Instituti i Artit Bashkëkohor të Tiranës dhe Zeta Galeri kanë shpallur këto ditë hapjen e ekspozitës të edicionit të tretë të çmimit “Ardhje ‘09”. Në këtë garë janë artistët Albi Zgjana, Blerta Kambo, Enkelejd Zonja, Gedmond Lushka, Lek Gjeloshi, Luçjan Bedeni, Nertila Pere, Suela Qoshja dhe Yllka Gjollesha.
Çelja e ekspozitës do të bëhet më 29 shtator në dy hapësira të ndryshme siç janë salla e Zeta Galeri dhe salla e galerisë në Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet. Çmimi fitues do të jepet nga një juri ndërkombëtare, e cila do të zgjedhë artistin më përfaqësues për këtë vit. Ky çmim konsiston në marrjen pjesë të fituesit në një program rezidence 6 javore në Nju Jork, ofruar nga Fondacioni për Shoqërinë Civile.
28 Shtator 2009