E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zanfina Ismajli: Nuk jam romantike, s’ëndërroj martesën

Zanfina Ismajli gjithmonë ka qenë ndryshe nga këngëtaret e tjera shqiptare. Nuk është përpjekur asnjëherë të ngjasojë me motrën e saj, Adelinën. Përkundrazi, ka krijuar profilin e vet suksesshëm dhe bindës, gjë që e ka bërë jo vetëm përmes këngëve por edhe klipeve, look-ut dhe performancave krejt origjinale. Por sikur të mos mjaftonte kjo, edhe në jetën e saj Zanfina është krejt ndryshe nga shumica e vajzave. Nuk është aspak romantike dhe nuk hyn tek vajzat që ëndërrojnë martesën dhe fustanin e bardhë. E ka rrëfyer vetë në këtë intervistë mjaft interesante, që ju ftojmë ta lexoni më poshtë!

Si u prit klipi i fundit?

Do të ishte jo modeste nga ana ime nëse do të flisja për klipin e fundit. Më mirë do të ishte të pyesnim publikun në këtë rast. Qëllimi im ka qenë që, pas një kohe që mungova t'i ofroj publikut këngë dhe tekst ku do ta gjenin veten, si dhe një klip më ndryshe.

Për ju ka shumë thashetheme, përse?

Që nga fillimi i karrierës për mua janë thënë thashetheme, shpesh edhe nuk i kam përgënjeshtruar, sepse nuk doja të humbja kohë me njerëz që kanë kohë të merren me mua dhe të shpikin për mua, injorimi që u kam bërë ka qenë gjithmonë përgjigjja ime për gojëkëqijtë.

Pse i bëjnë këto, mendon nga xhelozia?

Po xhelozia shpesh tek njerëzit përzihet me adhurimin, dhe ata që më kanë xhelozuar mua njëkohësisht më kanë admiruar, po nisem nga fakti që janë marrë aq shumë me mua dhe jo me jetën e tyre. Dhelpra, kur s’ka arritur rrushin ka thënë se është i thartë.

Zanfina me një trup të bukur, 100 për qind i veti, apo edhe ndonjë rregullim?

Ja edhe një fakt për xhelozinë. Normalisht që nuk kam asnjë intervenim. Trupi im njerëzve iu pëlqen, por unë nuk mendoj se është 100% perfekt. Njeriu asnjëherë s'është i kënaqur shumë me veten.

A mendoni se keni shkuar në lartësinë e Adelinës?

Karrierat tona dallojnë shumë dhe nuk mendoj se kam arritur aty ku është ajo, jo unë, por asnjëra deri më tani s’ka arritur ta mbajë kulminacionin aq gjatë sa ajo. Edhe estrada tashmë është bërë me afat skadimi. Maksimumi 5 vite (hahaha).

Kur do të keni sërish një duet me motrën?

Unë do të dëshiroja së shpejti, por nuk e di saktë. Më pëlqen të punoj me të.

Po me të tjerë artistë pse nuk bëni duete?

Sepse të gjithë të tjerët po bëjnë duete dhe nuk më pëlqen të bëj atë që bëjnë të tjerët. Nuk do doja që dikush të thotë që kam arritur famë në krahë të tyre.

Ke veshur ndonjëherë në jetën tënde fustanin e nusërisë?

Jo, asnjëherë. Shumica e femrave, së paku një herë në jetë e kanë provuar fustanin e nusërisë, por jo edhe unë. Nuk hyj në tipat e femrave që kanë ëndërr jetësore martesën, gjithashtu nuk jam romantike aspak.

Pas sa kohësh e shikon të veshur atë në një dasmë të vërtetë kur ti do të jesh nusja?

Nuk e di, kur të jetë kismet. Por mendoj se nuk do të jetë së shpejti.

Je për një dasmë moderne, apo tradicionale?

Unë edhe vetë jam tip më tradicional dhe ashtu do ta bëja edhe dasmën. Edhe pse s’kam menduar ndonjëherë për këtë gjë.

Ke menduar se cili artist mund të këndojë në dasmën tënde?

Jo, s'kam menduar. Nuk e di. I respektoj të gjithë kolegët e mi, por për këtë rast special nuk e di se kë do të zgjedhja. Por gjithsesi, mendoj se do të ishte dikush nga kolegët e mi më të moshuar e jo nga këngëtarët që këndojnë tash e 2-3 vite.

Projekti muzikor i radhës?

Një këngë e re për emisionet e Vitit të Ri, ndoshta do ta bëj këtë këngë edhe klip.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›