E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zannier do të qëndrojë në Kosovë

Prishtinë -Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Lamberto Zannier do të qëndrojë në Kosovë, të paktën deri në fund të këtij viti, bën të ditur e përditshmja Express. Zannier nuk ka kërkuar shkëputje të kontratës dhe selia e OKB-së në New York, nuk ka paralajmëruar për një gjë të tillë. Në misionin e rikonfiguruar, të cilin e drejton, thonë se Zannier nuk ka plane të tjera, pos që të mbetet në Kosovë edhe për disa muaj të tjerë.

“Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm ka ende punë për të bërë këtu në Kosovë, por çfarëdo vendimi rreth PSSP-së, natyrisht se duhet të merret në New York”, ka thënë për këtë gazetë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie.

Zëdhënësi Geekie tha se UNMIK-u ka bërë gati planet për rikonfigurim, të cilat pritet ta marrin dritën e gjelbër nga OKB-ja. Në kuadër të planifikimeve parashihet që UNMIK-u nga 1.500 pjesëtarë të stafit që ka pasur një vit më parë, t’i mbajë jo më shumë se 500 gjatë vitit të ri buxhetor që fillon më 1 korrik.

“Kërkesa për buxhet për vitin 2009-2010 është rreth 47 milionë dollarë amerikanë dhe ky buxhet hyn në fuqi që nga 1 korriku. Ne presim që kjo shumë të miratohet shumë shpejt”, tha Geekie.

Sipas tij, brenda numrit prej 500 pjesëtarëve të stafit të UNMIK-ut, nga korriku i këtij viti përfshihen edhe stafi vendor në Kosovë, por edhe punëtorët në zyrat ndërlidhëse të UNMIK-ut në Beograd dhe Shkup.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›