Zarzavatet e stinës ulin inflacionin
Indeksi i çmimeve të Konsumit ra me 0.4 për qind gjatë muajit prill, në krahasim me marsin, si pasojë e rënies së çmimeve të zarzavateve në treg. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 1.4 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Ulja e çmimeve qe e pritshme për shkak të daljes së prodhimeve bujqësore vendëse në treg. Megjithatë, zarzavatet vijojnë t’u kushtojnë shqiptarëve 27 për qind më shtrenjtë se një vit më parë, veçanërisht për shkak të referencave të larta doganore të zbatuara për prodhimet bujqësore të importit dhe për shkak të zhvlerësimit të lekut kundrejt euros. Taksat e reja dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar vijuan t’ua rëndojnë xhepat e shqiptarëve gjatë prillit. Produktet e duhanit kushtuan 9.5 për qind më shtrenjtë se një vit më parë, si pasojë e disa ligjeve dhe vendimeve që kanë sjellë rritjen e akcizës, si dhe shtimin real të tatimit mbi vlerën e shtuar të paguar nga konsumatorët. Edhe produktet e hidrokarbureve pësuan rritje të konsiderueshme. “Gjatë këtij muaji vazhdoi rritja e çmimit të karburanteve dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 5.8 për qind, dhe çmimi i benzinës 4.5 për qind,” deklaroi INSTAT. Kostoja e jetesës së shqiptarëve në prill qe 3.5 për qind më e lartë se një vit më parë.
#