E Diel, 1 Nëntor 2026

Klononin kartat e bankave në SHBA, pranga 8 personave

Vodhën mbi 115 mijë euro, duke prenotuar “online” bileta avionësh

Pronarët dhe punonjësit e pesë agjencive turistike në vendin tonë kanë përfunduar në pranga, pasi duke klonuar karta banke dhe duke ndërhyrë në sistemin e biletave të kompanive ajrore kanë mundur të vjedhin të paktën 115 mijë euro, ndërkohë që dyshohen edhe për shuma të tjera të mëdha parash. Gjatë operacionit të koduar “Concord”, kanë përfunduar në pranga tetë persona, ndër të cilët dy shqiptarë nga Kosova, të cilët mendohet se janë edhe “truri” i këtij aktiviteti kriminal. Pas një pune gjashtëmujore, policia ka mundur të zbulojë gjithë grupin, që është arrestuar për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”

Kanë qenë kompanitë ajrore, të cilat kanë pësuar dëme nga shitja e biletave “online” dhe që më pas i janë drejtuar policisë për ndihmë. Sipas të dhënave, pesë persona, që kishin kompani turistike dhe që punonin në to, bashkë me tri femra, dyshohen se për më shumë se një vit kanë kryer veprime me karta bankare, të cilat dyshohen se janë të vjedhura ose të klonuara. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto karta, janë përdorur në sisteme kompjuterike për të prerë bileta udhëtimi të linjave ajrore në sistemin “online”. Ata, në bashkëpunim, kanë kryer shpërndarjen e biletave të udhëtimit, të cilat ishin prerë në agjencitë e udhëtimit kryesisht në Tiranë, por dhe në qytete të tjera nëpërmjet shtetasve të mësipërm.

Sipas hetimeve, të arrestuarit merrnin paratë kesh nga persona të ndryshëm, me qëllim për t’u shitur bileta avioni për udhëtime të ndryshme. Më pas, duke ndërhyrë në sistemin e biletave të udhëtimit me avion dhe duke përdorur karta të klonuara, prenotonin online udhëtime në vende të ndryshme. Në këto kushte, kompanitë ajrore ishin në rregull, deri në momentin që u vinin telefonata nga poseduesit e vërtetë të kartave bankare. Kryesisht, këta persona të shqetësuar për mungesën e parave në llogaritë e tyre, që ishin nga SHBA-ja, kërkonin informacion në banka dhe rezultonte se ata kishin bërë prenotime për udhëtime me avion nga Shqipëria. Të shqetësuar kontaktonin me kompanitë ajrore dhe kërkonin sqarime. Në këto kushte, duke faktuar se ata nuk kishin bërë asnjë prenotim, u ktheheshin paratë e marra nga llogaria e tyre dhe humbja ngelte për kompanitë ajrore. Të shqetësuar nga kjo situatë, pronarët e kompanive dhe administratorët e tyre në Shqipëri kanë kërkuar ndihmën e policisë që të hetojë në lidhje me këtë problem. Fillimisht janë identifikuar agjencitë turistike, nga të cilat ishin bërë këto prenotime. Më pas, policia ka mbajtur nën vëzhgim gjithë punonjësit e agjencive në të gjithë vendin, derisa kanë faktuar sesi funksiononte mekanizmi i mashtrimit kompjuterik.

Policia tha se për këtë hetim ka punuar rreth gjashtë muaj, ndërkohë që ka rezultuar se kreu i saj ishte Zenel Buchala, nga Presheva e Kosovës, ndërsa pas tij vinte kosovari tjetër, Ken Kormani. Këta dy persona mendohet se merreshin me klonimin e kartave dhe me mashtrimin kompjuterik, duke bashkëpunuar edhe me shqiptarët. Në orët e pasdites, policia ushtroi kontrolle në agjencitë dhe në banesat e tyre, ku sekuestroi 5 mijë euro, 18 kompjuterë, që shërbenin për përdorimin e sistemit “online”, një sasi të konsiderueshme kartash telefoni prej 50 numrash, 20 celularë dhe dy mjete transporti. Për veprimtarinë e kryer prej tyre janë marrë mbi 100 kallëzime nga kompani fluturimesh, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme, për shkak të prerjes së biletave të udhëtimit me karta bankare të dyshuara të vjedhura apo të klonuara. Policia tha se po punon edhe me kompani të tjera ajrore, të cilat kanë pësuar dëme për shkak të prerjes së biletave me karta bankare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›