Zbardhen hollësitë e ngjarjes në Uashington

Vazhdojnë të zbardhen hollësitë e ngjarjes që tronditi dje Uashingtonin, në një incident në të cilin një kontraktor i industrisë së mbrojtjes vrau 12 veta në Kantierin e Marinës dhe pastaj u vra nga policia. Autoritetet kanë thënë se 34 vjeçari vuante nga paranoja e nga çrregullime të gjumit dhe trajtohej për probleme mendore.
Zyra Federale e Hetimeve thotë se kontraktori, Aaron Alexis, përdori një leje-hyrje të vlefshme për t'u futur në bazën pranë Uashingtonit, një objekt ushtarak ku punojnë disa mijëra njerëz dhe që ruhet mirë.
Autoritetet thanë se Alexis vdiq pas një shkëmbimi të shtënash me policinë brenda njërës prej ndërtesave të kompleksit.
Incidenti filloi rreth orës 8 e 20 të mëngjesit, kur 34-vjeçari nga Teksasi nisi të qëllojë me breshëri nëpër korridoret e ndërtesës si dhe nga një ballkon i brendshëm mbi punonjësit që ndodheshin poshtë.
"Nuk kemi shumë informacione. Të vrarët janë të moshave nga 46 në 73 vjeç", tha Vincent Gray, kryetar i bashkisë së Uashingtonit.
I rritur në qytetin e Nju Jorkut, Alexis ishte konvertuar në budizëm dhe kishte patur probleme me policinë në vitet 2004 dhe 2010 për përdorim armësh. Në raportet me policinë ai përshkruhej si njeri i mbushur me zemërim.
"Është e çuditshme, kurrë nuk e kisha menduar se dikush si Aaron mund të bëjë diçka të tillë," thotë Mike Ritrovato, i cili u njoh me zotin Alexis, kur punonte për të bërë riparime në restorantin e tij.
Presidenti Obama ka dhënë urdhër që ditën e premte flamujtë në mbarë vendin të ulen në gjysmë shtizë për të nderuar viktimat./Indeksonline/