E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Koalicioni funksionoi, opozita të bashkëpunojë

Kryeministri dhe zv.kryeministri e cilësojnë qeverisjen e vendit përgjatë 1 viti si pozitive dhe funksionale

TIRANË - Megjithëse se kriza politike midis forcave kryesore drejtuese në vend vazhdon ende të mbetet e pazgjidhur, kryeministri Berisha e ka cilësuar qeverinë e koalicionit si shumë funksionale.


Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha tha se mazhoranca qeverisëse ka funksionuar në mënyrë efiçente që nga marrëveshja e shtatorit të vitit të kaluar. "Në radhë të parë në drejtim të shtetit ligjor, si kusht i të gjitha kushteve për liritë dhe të drejtat e qytetarëve; promovimin e mëtejshëm të reformave ekonomike, si një mekanizëm kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe në kohërat më të stuhishme të financave dhe ekonomisë botërore; mbajtjes, respektimit të parimeve të mëdha të kohezionit social dhe në kushtet e vështirësive të mëdha.


Mendoj se koalicioni jo vetëm ia doli t'i përmbahet parimeve të shpallura, por ka përcaktuar veprimtarinë e tij në një perspektivë afatgjatë të madhe, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë", - tha dje Berisha.


Po të në të njëjtën linjë ka qenë edhe kreu i partisë së dytë në pushtet, Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Meta theksoi se ky koalicion ka funksionuar më së miri, megjithëse që në krijimin e tij, ai nuk mori mbështetjen e të gjithë funksionarëve të lartë të LSI-së.


Bilanci i këtij koalicioni në qeverisjen e vendit, sipas Metës, është pozitiv duke mundësuar, sipas tij, edhe përafrimin me Bashkimin Europian. "Mendoj se që nga dita që është shpallur ky koalicion, i imponuar nga vota e sovranit, ka treguar se ka qenë një koalicion mjaft funksionues.


Dhe natyrisht po të bëjmë një bilanc, megjithëse është ende herët, pasi një vit mbushet pikërisht në muajin shtator të funksionimit të qeverisë, absolutisht që është një bilanc plotësisht pozitiv që e ka treguar jo vetëm funksionimi i qeverisë dhe institucioneve të saj, por njëkohësisht ka rezultuar në një progres shumë të qartë në raportet e Shqipërisë me BE-në, po të kemi parasysh të gjithë hapat që janë hedhur përgjatë këtij viti", - u shpreh numri dy i qeverisë.


Meta shtoi se opozita duhet të reflektojë ndaj qëndrimit të saj politik dhe të japë kontributin në procesin e integrimit të vendit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›